Maxhoranca ka depozituar në Kuvend një projektligj të ri për ndryshimin e Kodit të Familjes si dhe një projektligj për birësimin. Në propozimin e shumicës parlamentare u njihet e drejta personave që nuk janë të martuar të bëjnë birësimin e të miturve. Sipas ligjeve në fuqi sanksionohet se vetëm një çift bashkëshortësh të martuar ka të drejtë të birësojë një fëmijë të mitur.
Ndërkohë që në propozimin e ri shtohen edhe birësimi nga një person i vetëm apo nga një çift që bashkëjeton prej 3 vitesh. Në relacionin e projektligjit sqarohen arsyet pse propozuesit e nismës kanë lënë të hapur mundësinë që dhe bashkëjetuesit të birësojnë.
Në draft sqarohet se shoqëria shqiptare po evoluon dhe për rrjedhojë i njihet e drejta dy heteroseksualëve të birësojnë një fëmijë, edhe pse këta s’janë të martuar. Ndërkohë që nuk sqarohet në asnjë resht futja e konceptit të birësimit nga një person i vetëm. Kodi i Familjes është ndër nismat që kërkojnë konsensus me maxhorancës dhe opozitës në Kuvend, pasi mund të ndryshohet me 84 vota.balkanweb