Lubjanë / Bruksel, 21 prill 2021 – Për ditë më radhë mediat sllovene raportuan për ekzistimin e një dokumenti të cilin, sipas raportimeve, kryeministri i këtij shteti ia kishte dërguar BE-së.
E shkruar në anglisht, dokumenti i përmban disa pikëa të cilat flasin për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, për aneksimin e Republikës Srpska nga Serbia, për rirregullimin e territoreve kroate që janë pjesë e federatës boshnjako-kroate në Bosnjë dhe Hercegovinë,si edhe për bashkimin e Kosovës me Serbinë.
Qeveria e Sllovenisë, e udhëhequr nga kryeministri Jansha, ka mohuar autorësinë e këtij dokumenti. Në përgjigjen e kabinetit të kryeministrit Jansha thuhet se burim i këtij dokumenti janë partitë e majta sllovene.
“Kryeministri i Republikës së Sllovenisë, Janez Jansha, nuk e komenton ‘non-paperin’ dhe çështjet e tjera që nuk ekzistojnë. I gjithë mbulimi mediatik i dokumenteve të pretenduara nuk ka asnjë lidhje me Qeverinë e Republikës së Sllovenisë. Ne gjithashtu besojmë se komenti më i përshtatshëm për këtë çështje do të ishte nga partitë e opozitës së majtë sllovene, të cilat, për mendimin tone, janë burimi i kësaj çështjeje”, thuhet në përgjigjen e kabinetit të kryeministrit slloven.
Për këtë çështje nuk kanë dashur të flasin as në Këshillin e Evropës, të cilit raportohet t’i jetë dërguar dokumenti.
“Fatkeqësisht, nuk kemi ndonjë koment për të ndarë mbi këtë [çështje]”, thuhet në përgjigjen e Këshillit Evropian për Reporterin.
Gazeta e ka kontaktuar edhe Komisionin Evropian për ta marrë një qëndrim të këtij institucioni të BE-së rreth ‘dokumentit slloven’ mbi rikonfigurimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor. Në përgjigjen e zëdhënësit të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, thuhet se nuk kanë parë asnjë dokument të tillë.
“Ne kurrë nuk komentojmë për dokumente të ndryshme të botuara nga mediat. Për më shumë, në këtë rast të veçantë nuk i takon Komisionit Evropian ose Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm të shprehemi në lidhje me çështjen e non-paperit të pretenduar, pasi Komisioni nuk ka pranuar asgjë dhe nuk është në dijeni për përmbajtjen e pretenduar të një dokumenti të tillë”, ka thënë Stano.
Por, Primozh Cirman, kryeredaktor i gazetës sllovene “Ne Cnecuriano”, e cila e publikoi ‘non-paperin’, ka thënë zyra e Presidentit të Këshillit të Evropës, ditën kur u publikua dokumenti, fillimisht e ka konfirmuar se e ka marrë dokumentin, por pas disa minutash e ka mohuar këtë.
“Të hënën,kur u publikua lajmi, kolegu ynë nga gazeta “Delo” korrespondent në Brukselit, e pyeti zyrën e Michael [President i Këshillit Evropian] dhe zyra së pari konfirmoi se e kishte marrë dokumentin që flet për shpërbërjen e Bosnjë dhe Hercegovinës. Por, gjysmë orë më vonë po nga zyra e Michael e thirrën gazetarin dhe i thanë se nuk mund ta mohojnë, por as ta konfirmojnë se e kanë marrë letrën”, i ka thënë Cirman për Albanianpost.
(r.m.)