Fadromat e Ministrisë së Brendshme shembën dy pishina në një resort turistik nën pronësinë e pronarit të mediave, Irfan Hysenbelliu, një përshkallëzim tjetër i një konflikti që vijon prej muajsh mes qeverisë dhe këtij biznesmeni, ndërsa opozita deklaroi se liria e medias është në rrezik.
Gjergj Erebara, BIRN
Fadromat e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit shembën mëngjesin e së premtes dy pishina në kompleksin “Prestige” në bregdetin e Durrësit, në atë që Ministria e Brendshme e cilësoi një aksion për rivendosjen e ligjshmërisë, ndërsa pronari i resortit, biznesmeni Irfan Hysenbelliu dhe media nën pronësinë e tij shpalli se gjendej nën një sulm të qeverisë për shkak të vijës së vet editoriale.
Zëdhënësi i kryeministrit, Endri Fuga hodhi poshtë akuzat se kryeministri Edi Rama po përdor pushtetin shtetëror në një konflikt të karakterit politik, ndërsa Ministria e Brendshme akuzoi Hysenbelliun se përdor mediat nën pronësinë e tij për të sulmuar zyrtarët e shtetit që, sipas saj, “po zbatojnë ligjin”.
Dy partitë kryesore opozitare, PD dhe LSI, e konsideruan aksionin një sulm kundër lirisë së medias, ndërkohë që mediat kryesore audiovizive, të cilat perceptohen si proqeveritare, e konsideruan ngjarjen jolajm dhe nuk raportuan për të.
Zëvendëspresidentja e ‘Hysenbelliu Group’, Fabiola Hysenbelliu deklaroi për gazetën “Panorama” se sulmi i qeverisë ndaj Prestige Resort lidhet drejtpërsëdrejti me linjën editoriale të medias nën pronësinë e Hysenbelliut.
“Kjo situatë ishte e planifikuar nga zoti Edi Rama. Ai është mundur të negociojë për editorialin e News 24 dhe Panorama. Ne jemi këtu për t’i thënë; ne nuk ndryshojmë editorianlin,” deklaroi ajo.
Ministria e Brendshme deklaroi nga ana e saj se veprimet në “Prestige Resort” janë pjesë e një fushate më të gjerë kundër informalitetit.
“Ndërhyrja e sotme për rikthimin e rreth 4 mijë metrave katrorë rërë e det të kthyera në beton, përpara një resorti ku një pjesë e zhvillimeve edhe në brendësi të zonës së pishave janë ndërtime të paligjshme për qëllime fitimi, është trajtuar nga mediat e zotit Irfan Hysenbelliu si sulm ndaj linjës editoriale të tyre,” deklaroi ministria në një faqe në Facebook. [Link]
“Nuk është hera e parë që mediat News24, BalkanWeb dhe Panorama synojnë të mbulojnë problemet e pronarit të tyre me ligjin, duke marrë rolin e viktimës së lirisë së shtypit,” shtoi ajo.
Pyetur nga BIRN në lidhje me akuzën se kryeministri po përdor pushtetin shtetëror në konfliktin me Hysenbelliun, zëdhënësi Endri Fuga deklaroi “nuk ka lidhje”.
Ndërsa deputetë dhe funksionarë të ndryshëm të opozitës, përfshirë Partinë e Lirisë dhe Partinë Demokratike në grupin mbështetës të Sali Berishës, deklaruan se kemi të bëjmë me një sulm kundër lirisë së medias.
“Partia Demokratike dënon me ashpërsi këtë sulm ndaj medias së lirë e të pavarur!,” deklaroi Albana Vokshi, deputete e PD-së. “PD dënon dhunën shtetërore të pushtetin privat të Edi Ramës ndaj biznesit shqiptar!” shtoi ajo.
Irfan Hysenbelliu është pronar i News 24, Balkanweb dhe gazetës Panorama, ndërsa ka interesa të tjera ekonomike në sektorin e ndërtimit, turizmit dhe prodhimit të birrës. Ai është pronar i Birra Korça dhe aksioner maxhoritar i Birra Tirana.
Fokus Media Group, kompania që ka nën pronësi televizionin News 24, kontrollon rreth 7.4% të tregut televiziv në Shqipëri, sipas të dhënave të vitit 2020.
Përgjatë muajve të fundit, media nën pronësinë e tij ka akuzuar Drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, Ceno Klosi për korrupsion dhe pasuri të paligjshme. Ky i fundit duket se ka urdhëruar kontrolle tatimore mbi Birrën Tirana, për të cilat u deklarua se është gjetur evazion fiskal si dhe detyrime tatimore të papaguara me vlerë 1.7 milionë euro.
Në maj, tre zyra të ndryshme të tatimeve kanë depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit tre urdhra bllokimi të shit-blerjes së aksioneve të Birrës Tirana për shkak të detyrimeve tatimore të papaguara. [Link]
Tregu i medias në Shqipëri konsiderohet se është nën ndikim të tërthortë të pushtetit politik, ku qeveria përdor pushtetin për të kontrolluar median dhe ku pronarët përdorin median për të promovuar interesat e veta.
Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit në lidhje me liritë themelore të njeriut shkruan: “Shumica e pronarëve të televizioneve private përdorën përmbajtjen e transmetimeve të tyre për të ndikuar veprimet e qeverisë kundrejt bizneseve të tyre të tjera.” [Link]
Gjithsesi, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit, agjencia shtetërore që merret me ndërtimet pa leje, ka një reputacion jo më të mirë se sa media.
Në raportin e vet të vitit 2018 për Klimën e Investimeve, Departamenti Amerikan i Shtetit vërejti: “Ka pasur raportime të besueshme se qeveria ka shembur disa shtëpi pa proces të rregullt ligjor si pjesë e një fushate më të gjerë për shembjen e ndërtimeve pa leje. Qytetarët kanë dorëzuar ankesa se INUK ka injoruar kërkesat e qytetarëve për të shembur disa ndërtime pa leje, ndërsa kanë zgjedhur të shembin ndërtesa të tjera, për të cilat qytetarët nuk janë ankuar.”