Qeveria ua kalon bashkive problemet me inceneratorët

Tiranë, 8 shkurt 2023 – Inceneratorët e Elbasanit dhe Fierit janë jashtë funksionit dhe malet e mbetjeve rreth tyre rrezikojnë një krizë të re mjedisore, por qeveria duket se nuk ka asnjë plan për menaxhimin e situatës.

E pyetur nga BIRN nëse qeveria kishte plan menaxhimi për krizën e re mjedisore të krijuar për shkak të mosfunksionimit të inceneratorëve në Elbasan dhe në Fier, zv. kryeministrja Belinda Balluku e adresoi problemin tek autoritetet lokale.

“Rastet janë të ndryshëm,” tha Balluku, duke shtuar se “bashkia e Elbasanit ka një kontratë qeraje me shoqërinë e sekuestros dhe për çdo pyetje mund t’i drejtoheni bashkisë”.

Balluku pretendoi se inceneratori  i Elbasanit është funksional dhe se ka prodhuar energji. “Por mbas 3 vitesh funksionim, si çdo teknologji tjetër, mund të ketë kohët e veta të remonteve,” shtoi ajo.

Ndërsa për inceneratorin e Fierit, Balluku tha se të dhënat duhej të kërkoheshin pranë Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.

“Është marrë në menaxhim nga Agjencia e sekuestros për shkak të procedurës. Kur është marrë nuk ka qenë i përfunduar, por në dijeninë time janë duke vijuar procesin e ndërtimit të inceneratorit,“ tha ajo.

Më herët, BIRN pa nga afër pirgjet e mëdha të plehrave në të dy inceneratorët dhe konstatoi mosfunksionimin e tyre, ndërsa bashkia e Elbasanit nuk iu përgjigj pyetjeve se se pse inceneratori nuk punon dhe as mbi rreziqet mjedisore që shkakton groposja e mbetjeve në landfill.

Pavarësisht pretendimit të Ballukut se inceneratori ka qenë në punë, shoqëria me kapital publik,  ECO-ELB, e krijuar nga të gjitha bashkitë e qarkut që nga muaji prill 2022 e përshkruante si emergjente situatën e krijuar, përmes një kërkese për pajisje me licensë të përshpejtuar për prodhimin e energjisë, drejtuar Entit Rregullator të Energjisë.

Të dy këto investime i kanë kushtuar taksapaguesve shqiptarë rreth 58 milionë euro, por u sekuestruan nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, pas hetimeve të nisura për veprat penale të korrupsionit, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave ndaj ish-ministrit të mjedisit, Lefter Koka, ish-deputetit socialist, Alqi Bllako dhe zyrtarëve të tjerë të qeverisë.

Edhe administratorët kryesorë të kompanive koncesionare, Stela Gugallja, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto akuzohen gjithashtu për korrupsion.

(Reporter.al)