Qeveritë e Shqipërisë kanë paguar rreth 6,5 miliardë lekë ose 53 milionë euro për ndërtimin e disa segmenteve të Rrugës së Arbrit, para se ajo të jepej me koncesion.
Të dhënat, që burojnë nga Drejtoria e Thesarit në Ministrinë e Financave (lista shumëvjeçare e investimeve), tregojnë se thesari i shtetit ka paguar 6 fatura të ndara në lote sipas segmenteve të cilat janë paguar gjatë periudhës 2015-2017, para se segmenti të jepej me koncesion (shiko tabelën bashkëngjitur).
Të dhënat tregojnë se, financimet para se jepej koncesioni janë përfituar nga kompania “Gener 2” dhe “Gjoka Kontruksion”, e cila më vonë fitoi edhe koncesionin mbi rrugën.
Kontrata e ndërtimit me koncension nisi në vitin 2018 dhe përfundon në vitin 2031, gjatë të cilit do të realizohet edhe gjithë pjesa e financimit nga qeveria.
Rruga e Arbrit është e gjatë rreth 73 kilometra, rreth 20 kilometra u ndërtuan me 6,5 miliardë lekë që u dhanë deri në vitin 2017, ndërsa 52 kilometrat e tjera që u dhanë me koncension kushtuan 36 miliardë lekë sipas të dhënave të përditësuara nga Ministria e Financave.
Para se të jepej me koncesion një kilometër në rrugën e Arbrit kushtoi mesatarisht 2,6 milionë euro, ndërsa me koncesionin rreth 6 milionë euro, ndërkohë që mbetet e papërfunduar ende vepra kryesore e rrugës, Tuneli i Murrizit.
Ashtu si edhe për koncesionet e tjera, fatura për rrugën e Arbrit, sidomos për koncesionin PPP nuk është ende e qartë, pasi Ministria e Financave raporton vlera të ndryshme vit pas viti.
Sipas raportimit më të fundit të Ministrisë së Financave është 36 miliardë lekë ose 297 milionë euro .
Në raportin vjetor të koncesioneve 2020, që u hartua nga Ministria e Financave, vlera e investimit për ndërtimin e Rrugës së Arbrit raportohet 26 miliardë lekë, ndërsa Drejtoria e Thesarit në Ministrinë e Financave (projektet e investimeve) për arsye të pagesave e ka kontabilizuar kontratën e Rrugës së Arbrit me 39 miliardë lekë në vitin 2020. Në buxhetin e vitit 2019 Ministria e Financave e pat raportuar financimin e Rrugës së Arbrit në 58 miliardë lekë në projektbuxhetin që paraqiti në parlament.
Rruga e Arbrit ka një historik të gjatë zvarritjeje që nga koha e qeverisë “Berisha” ku në disa pjesë të saj ishin kryer punime. Kur nisi koncensioni ishin përfunduar plotësisht 20.12 kilometra të saj, me 15.1 kilometra shtesë të përfunduara pjesërisht dhe 26.3 kilometra të tjera për t’u ndërtuar sipas projektit ekzistues.