“Nuk e kam ditur që ai ka vdekur”, ka thënë Nadezhda Skaleyush, pasi e ka kuptuar që varri i babait të saj, është gjetur në një zonë të ndarë për mercenarët rusë, të vrarë në Ukrainë.
“Mirëpo të dhënat mbi varr i përkasin atij”.
Skaleyush nuk ka pasur ide që babanë e saj, 40-vjeçarin, Aleksandr Skaleyush, e kanë rekrutuar nga burgu, mercenarët e grupit Wagner – të lidhur me Kremlinin.
E pyetur nëse ai do parapëlqente rekrutimin, ajo ka thënë: “Me shumë gjasë po”.
Platforma e Radios Evropa e Lirë, Idel Realities, ka gjetur se varri i Skaleyushit është në mesin e 200 varreve tjera në një varrezë në Nikolayevka, fshat me 522 banorë, sipas regjistrimit të popullsisë më 2010.
Rreth 25 kilometra në juglindje të Lumit Volga, në qytetin Samara, fshati gjendet në zonë të autostradës, por nuk ka qasje në transport publik.
Me makinë nga Samara, duhen vetëm gjysmë ore për të arritur aty.
Në mesin e muajit prill, shefi i Wagnerit, Yevgeny Prigozhin, e ka bërë një udhëtim në Nikolajevka, për të prezantuar një pllakë përkujtimore, për mercenarët që varrosen aty.
“Këtu varrosen luftëtarët e kompanisë private të sigurisë, Wagner, të cilët kanë vdekur për vendin e vet, në periudhën 2022-23”, shkruan në obelisk.
Ndonëse asnjë gazetar nuk ka qenë i ftuar në ceremoni, Wagner e ka publikuar një video, në të cilën Prigozhin, ka thënë se “pasardhësit tanë do ta kujtojnë kontributin e ushtarëve me shekuj”.
Moska nuk i ka bërë të ditura të dhënat për humbjet që ka pësuar në Ukrainë, prej nisjes së luftës, në shkurt të vitit të kaluar.
Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se rreth 10.000 mercenarë të Wagnerit janë vrarë vetëm në pesë muajt e fundit, dhe se shumica e kanë humbur jetën rreth zonës së luftimeve në Bahmut.
Vetë Prigozhini e ka përshkruar luftën në Bahmut si “grirëse mishi”, dhe është ankuar se forcat e tij nuk janë të armatosura mirë.
Gazetarët kanë zbuluar shtatë varreza të Wagnerit, gjashtë në Rusi dhe një në rajonin ukrainas Luhansk, të pushtuar nga Rusia.
Në fillim të muajit prill, gazetarët i kanë zbuluar të paktën 69 varre të Wagnerit në varrezën në Novosibirsk.
Një zonë e varrezës në Irkutsk është ndarë për pjesëtarët e Wagnerit dhe tashmë aty janë të varrosur trupat e 11 personave.
Në mars, rreth 70 varre të pjesëtarëve të Wagnerit janë gjetur në Jekaterinburg.
Gazetarët kanë raportuar në prill, se numri është rritur në 106.
Varre të pjesëtarëve të Wagnerit janë gjetur edhe në Taxhikistan dhe Uzbekistan.
Në fillim të muajit prill, gazetarët kanë identifikuar 607 varre të Wagnerit në fshatin Bakinskaja, në rajonin Krasnodar.
Rreth 100 varre tjera janë gjetur në qytetin e pushtuar ukrainas, Luhansk.
Ndonëse Wagneri insiston se burrat kanë vdekur si heronj, grupi duket se po bën përpjekje të vazhdueshme që t’i varrosë pjesëtarët e saj nëpër lokacione të ndryshme dhe pa bujë të madhe.
Duke kërkuar nëpër llogaritë e pjesëtarëve të vdekur të Wagnerit – nëpër rrjetet sociale – Radio Evropa e Lirë ka arritur të kontaktojë disa familjarë, dhe të mësojë më shumë për rrugën që i ka çuar ata në Ukrainë.
“Nuk e di çfarë të të them”
Sipas dokumenteve të gjykatës, Aleksandr Skaleyush, banor në qytetin jugor Orenburg, e ka ndalur një kalimtar të rrugës, në qershor të vitit 2020, dhe ia ka vjedhur telefonin.
Ai më vonë ia ka shitur atë telefon një shoferi të taksive, për 15 dollarë.
Pas një viti, policia e ka gjetur dhe e ka arrestuar.
Në gjykatë, Skaleyush është raportuar të jetë rrëfyer dhe penduar.
Më 30 qershor 2022, gjykata e ka shpallur atë fajtor, dhe e ka dënuar me një vit burgim.
“Askush prej familjarëve tanë nuk ka dashur të jetë në kontakt me të”, i ka thënë vajza e saj Radios Evropa e Lirë.
“Ai ka qenë vazhdimisht në telashe me ligjin. Vazhdimisht i dehur. Nuk e di çfarë të të them. Ai nuk ka punuar. Ka konsumuar shumë alkool. Ai është zhdukur më 2020, dhe kjo është krejt çfarë di”.
Faqet e Skaleyush në rrjetet sociale, kanë qenë aktive deri në mars të vitit 2022.
Sipas mbishkrimit mbi varr, ai është vrarë në Ukrainë, më 19 nëntor 2022.
Pasi ka folur me Radion Evropa e Lirë, Nadezhda Skaleyush e ka kontaktuar Wagnerin për të marrë më shumë informacion për babanë e saj.
Ajo ka thënë se pjesëtarë të Wagnerit i kanë thënë me sarkazëm që ta sigurojë një certifikatë të vdekjes “nga gazetari që e ka informuar”, se i ka vdekur babai.
Më vonë, një përfaqësues i Wagnerit e ka konfirmuar që babai i saj ka vdekur.
Tri javë në luftë
Varri në Nikolayevka, i Mikhail Skripkinit, është një prej pak varreve që ka fotografi.
Kryqi ortodoks është dekoruar me një fotografi të tij në uniformën ushtarake, prej kohës kur e ka kryer ushtrinë, pas përfundimit të shkollës së mesme.
Kur është vrarë më 27 tetor 2022, ai ka qenë 32-vjeçar.
“Po, ai është vëllai im”, ka thënë Dmitry Skripkin për Radion Evropa e Lirë, pasi i është treguar fotografia e varrit.
“Nuk e kam ditur që ka vdekur”.
Ndonëse Dmitry Skripkin nuk ka pranuar të flasë më shumë në këtë temë, gruaja e tij, Yekaterina Koltunova, ka pranuar të intervistohet.
“Ne e kemi ditur që ai ka shkuar në luftë më 1 tetor”, ka thënë ajo.
“Ai sapo e pati kryer gjysmën e dënimit, mirëpo i kanë thënë se do të shërbejë edhe gjashtë muaj si ushtar, dhe më pas mund të lirohet”.
Ajo ka thënë se fakti që ai është vrarë në luftë, vetëm tri javë më vonë, tregon sa keq janë të përgatitur mercenarët e Wagnerit.
Koltunova ka thënë se Skripkin është inkurajuar që të shkojë në luftë nga një teze e tij, me qasje pro-luftës.
“Ajo i ka thënë se burrat po kthehen prej atje, dhe se po marrin shumë para”, ka thënë Koltunova.
“Më pasi ai ka deklaruar se dëshiron të shkojë në luftë”.
Në korrik të vitit 2016, kur ai ka qenë 25-vjeçar, Skripkin është zënë me një pako me tre telefona mobilë.
Ai ka dëshmuar më vonë se nuk ka pasur ide që në kuti kanë qenë edhe 14 gramë heroinë.
Ai, më pas, është zënë dhe besohet se në kohën e arrestimit ka qenë shumë i dehur.
Skripkin ka thënë se një mik i tij në burg, e ka lutur që të kryejë kontrabandën me telefona, në këmbim të parave.
Ai e ka mohuar se ka pasur njohuri që në pako ka pasur edhe drogë.
Gjykata në Samara e ka dënuar atë me 10 vjet e një muaj burgim.
“Misha vërtet ka dashur të shërbejë në ushtri”, ka thënë Koltunova, për të treguar “se është i fortë. Ai ka qenë më parë në ushtri, në Lipetsk. Ai është kthyer në gjendje normale. Ka qenë shumë i kujdesshëm dhe bujar. Ai nuk ka pasur familje të veten. Djalë i mirë. Nuk e di çfarë tjetër të them. Ai ka planifikuar të kthehet në ushtri, pasi ata i kanë premtuar se do t’ia japin një banesë. Mirëpo ai më pas përfundoi më burg”.
Koltunova i ka thënë më pas Radios Evropa e Lirë, se ajo dhe burri i saj janë në kontakt me Wagnerin, në përpjekje e sipër për ta konfirmuar vdekjen e kunatit të saj, dhe për të siguruar një certifikatë të vdekjes.
“Askush nuk do të shkonte për ta marrë”
Një tjetër varr i pjesëtarit të Wagnerit në Nikolajevka, e mban emrin e Yury Zhartsevit.
Përmes llogarive të tij në rrjetet sociale, Radio Evropa e Lirë ka mësuar që ai ka qenë nga Ufa, qytet në rajonin Bashkortostan.
Ai ka qenë 44-vjeçar kur është vrarë në Ukrainë, më 18 janar 2023.
“Yurka im ka pasur biografi modeste”, ka thënë ish-gruaja e tij, Oksana Zemlyanskaya.
“Ai ka qenë pjesëtar i një familjeje të madhe, fëmija i shtatë. Kam qenë shoqe me motrën e tij dhe e kam njohur prej kur kemi qenë fëmijë. Mirëpo kur i mbushi 15 vjet, ai ra në shoqëri të keqe dhe e humbi kontrollin mbi jetën e tij. Pasi është burgosur, e ka humbur gjithë familjen”.
Zemlyanskaya ka thënë se ai është dënuar disa herë për vjedhje dhe sulme.
Më 29 korrik 2201, gjykata në Ufa e ka dënuar Zhartsevin me 12 vjet e gjysmë burgim, për vrasje.
Zhartsev është deklaruar i pafajshëm, duke thënë se nuk ka synuar të vrasë njëri.
Zemlyanskaya ka thënë se Zhartsevi nuk i ka treguar që po shkon në Ukrainë, por ka shtuar se nuk është befasi, sepse ata janë divorcuar para shumë kohësh.
Ajo ka thënë, po ashtu, se nuk do të befasohej nëse do ta kuptonte që ai ka kërkuar të varroset në një varrezë të Wagnerit në rajonin Samara, në vend që të dërgohet në Ufa, në shtëpinë e tij.
“Ai e ka ditur që askush nuk do të shkonte për ta marrë”, ka thënë ajo, duke shtuar se do të bëjë përpjekje për t’ia vizituar varrin në Nikolajevka.
(REL)