Nga Ruben Avxhiu
Që kur janë shpikur taksat dhe detyrimet ndaj shtetit dhe komunitetit, individët dhe firmat janë përpjekur për t’i shmangur ato.
Askush nuk dyshon se përpjekja për evazion është reale në mbarë votën edhe në ditët tona. Prandaj ajo që tronditi botën në rastin e zbulimit të të ashtuquajturave Letra të Panamasë nuk ishte dukuria e manipulimit, por masiviteti i tij.
Me mijëra firma, shumë prej të cilave të lidhura me figura të mëdha shtetërore e botërore, janë përpjekur për të fshehur në mënyrë imorale në mos kriminale pasurinë dhe aktivitetin e tyre ekonomik.
Lexuesit shqiptarë kanë qenë veçanërisht kurreshtarë për këtë zbulim të ri edhe për arsye se ai vjen në një kohë kur shqiptarët si kurrë ndonjëherë po flasin për reform në drejtësi, për spastrim të politikës nga krimi, për një goditje historike të abuzimit në gjykata dhe të korrupsionit në administratat shtetërore.
Po ajo çfarë precipiton, në Shqipëri, nga zhvillimet në media, politikë e institucione shtetërore mbetet zhgënjyese.
Së pari, ndonëse qysh tani është verifikuar një prani shqiptare në këtë thesar skandalesh, ajo është e vogël. Megjithë gërmimet jemi ende te një emër i vetëm që nuk kënaq dot etjen e opinionit publik shqiptar që kërkon një armik publik për një denoncim dhe dënim simbolik.
Më tej, faktorët politikë janë më shumë të interesuar për të përdorur çdo zbulim në këto “qitape” si municion për luftën politike ndaj palës tjetër. Lufta kundër korrupsionit dhe abuzimeve ka interes vetëm nëse dëmton imazhin e palës tjetër politike, ose fiton pikë në sytë e faktorit ndërkombëtar.
Opozitës demokratike do t’i kisha dhënë të njëjtën këshillë që i jepja më kot asaj socialiste dikur. Mos bëni akuza ekstreme ndaj qeveritarëve. E para sepse nuk fitoni votues të rinj, përveç atyre që keni dhe e dyta sepse kur të ngjiteni ju në pushtet duhet të veproni në bazë të atyre akuzave.
Sot, me të drejtë bëhet pyetja se kur demokratët paskan qenë aq të korruptuar, ku janë hetimet, procedimet, zbulimet publike të abuzimit? Kjo vlente edhe për demokratët pas vitit 2005, apo për ta kur të ngjiten përsëri në pushtet.
Ka ardhur koha të kalohet nga akuzat masive, të bujshme e të skajshme në ato konkrete, të detajuara dhe të përmbajtura. Ato që nëse një demokrat apo socialist del i korruptuar, nuk është arsye për ta rrëzuar tërësisht partinë e për ta kthyer Shqipërinë përsëri në një vend monist.
Problemi tjetër është ai institucional. Sado letra të zbulohen, nuk ka besueshmëri se institucionet do të vijojnë me hetimin dhe dënimin. Zbulime të bujshme nga e kaluara nuk kanë sjellë ndonjë veprim të suksesshëm të ligjit.
PS në pushtet fajëson prokurorinë dhe një kuadër gjykatësish nga koha e Berishës, demokratët në opozitë dyshojnë se qeveria po kërkon një lloj sistemi paralel drejtësie, me ngjyra politike.
Edhe media është për fat të keq e paaftë për të luajtur rolin e arbitrit. Në kohën e re të portaleve të lira, kopjimeve masive të materialeve dhe burimeve të politizuara, konkurrenca në media njeh vetëm ligjin e xhunglës.
Në këto kushte, informacione të pavërteta me zbulime të paqena milionash që gjoja vërtetojnë korruptimin personal të Ramës e Berishës hidhen vazhdimisht në treg hir të disa klikimeve më shumë, apo për favore e inate politike. Ky masivitet denoncimesh të gënjeshtra ka pothuajse gjithnjë të njëjtin rezultat: mbulimin e rasteve të vërteta të korrupsionit, që janë zakonisht modeste dhe të lokalizuara. Hetimi i thjeshtë dhe profesional i tyre mund të çojë lehtësisht, në kapjen e peshqve më të mëdhenj. Madje edhe të politikanëve më të rëndëishëm. Kjo sepse në radhë të parë u kthen besimin qytetarëve se drejtësia mund të funksionojë.
Këto janë disa javë e muaj kyçë, kur njerëzit ende po ruajnë besimin dhe shpresën se më në fund tani do të ndryshojë diçka, sa kohë që në SHBA nuk ka ndodhur ndonjë “çmenduri” në zgjedhjet presidenciale, sa kohë që Letrat e Panamasë kanë krijuar një mjedis dëshire për të parë një fitore të drejtësisë, në një kohë kur SHBA dhe BE po përpiqen në mënyrë të fokusuar për të sjellë një ndryshime dhe e fundit, sa kohë që ende nuk ka filluar viti i ri zgjedhor, kur gjithshka do të bëhet në mënyrë fatale kuqeblu, mes dy krahëve politikë, me të njëjtën synim të vetmin, votën dhe pushtetin.