Prishtinë, 14 maj 2024 – Ambasadat e Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë reaguan sot me shqetësim ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për të mos lejuar patriarkun Kishës ortodokse serbe Porfirije, të hyjë në Kosovë një ditë më parë.
Në një komunikatë të përbashkët, diplomatët thanë se “vendimi i qeverisë është në kundërshtim me dispozitat e Planit të (Martti) Ahtisaarit, i cili i përshkruan qartazi të drejtat, privilegjet dhe imunitetet për klerin e Kishës ortodokse serbe, si dhe nuk është në përputhje me detyrimet e Kosovës që dalin nga dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian”.
The Embassies of 🇫🇷🇩🇪🇮🇹🇬🇧🇺🇸, and 🇪🇺 in Kosovo are concerned by the decision of the Government of Kosovo not to allow Patriarch Porfirije of the Serbian Orthodox Church and his accompanying bishops to enter Kosovo to attend the ceremonial start of the regular annual assembly of…
— U.S. Embassy Pristina (@USEmbPristina) May 14, 2024
Ministria e Jashtme e Kosovës tha në një postim në rrjetet sociale se e ka refuzuar kërkesën për vizitën e patriarkut duke nënvizuar se nuk do të lejohen vizitat nga zyrtarët serbë, “përderisa Serbia vazhdon të shkelë marrëveshjen e Brukselit, të mos lejojë vizitat e zyrtarëve tanë shtetërorë në Serbi dhe për më tepër të mos ndalet me fushata kundër Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, si në proceset integruese ashtu edhe ato të njohjes, të vazhdojë të përdorë gjuhë të urrejtjes dhe kërcënime kundër Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve të saj”.
Refuzimi nxiti reagimin e Beogradit dhe Kishës Ortodokse Serbe, e cila tha se “ky veprim pasqyron statusin e Kishës serbe dhe popullit serb në Kosovë”.
Diplomatët e QUINT-it presin që “qeveria e Kosovës të përmbushë standardet më të larta për të drejtat e njeriut si në kuadrin ligjor ashtu edhe në vendimet e saj, të veprojë në interes të të gjithë qytetarëve të saj dhe t’i respektojë vlerat dhe përgjegjësitë thelbësore ndaj qëndrueshmërisë rajonale”, thuhet në deklaratë në të cilën u bëhet thirrje palëve “që të përmbahen nga çdo veprim dhe retorikë që mund të rrisë tensionet dhe mund të çojë në incidente”.
Vizitat e ndërsjella të zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë zhvillohen përmes procedurave të përcaktuara në kuadër të bisedimeve në Bruksel, sipas të cilave palët paralajmërojnë njëra tjetrën përmes zyrave ndërlidhëse dhe misioneve të Bashkimit Evropian.
(Zëri i Amerikës)