Prishtinë, 28 janar 2024 – Vendet e QUINT-it, përmes një deklarate të përbashkët, kanë kërkuar pezullimin e rregullores së fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për operacionet me para të gatshme, e cila e pranon vetëm Euron valutë për pagesa në Kosovë.
Ambasadat e vendeve të QUINT-it (Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amertikës) sdhprehin shqetësimin se kjo rregullore, e cila pritet të hyjë në fuqi nga 1 shkurti, mund të ketë ndikime negative në jetën e komunitetit serb në Kosovë.
Në deklaratë thuhet se ky shqetësim është shprehur edhe në takimin e ambasadorëve të vendeve të QUINT-it me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të premten.
“Ne jemi të shqetësuar për ndikimin e rregullores në veçanti në shkollat dhe spitalet, për të cilat asnjë proces alternativ nuk duket i zbatueshëm për momentin. Rregullorja gjithashtu do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës dërrmuese të serbëve të Kosovës që marrin pagesa/ndihma financiare nga Serbia. Pas një shkëmbimi për këtë çështje me Kryeministrin të premten, QUINT-i kërkon pezullimin e zbatimit të rregullores për të mundësuar një periudhë më të gjatë tranzicioni dhe për komunikim të qartë dhe efektiv publik”, thuhet në deklaratë.
Ambasadat e vendeve të QUINT-it theksojnë se kjo çështje duhet të diskutohet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
(r.m.)