Prishtinë, 24 shtator 2021 – Shtetet e QUINT-it (SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës dhe Italisë), përmes një deklarate të përbashkët të misioneve të tyre diplomatike në Kosovë, kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që zbatojë në plotësni vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.
“Siç është theksuar në deklaratën e shteteve të Quint-it të datës 19 maj, respektimi i sundimit të ligjit është obligim i të gjitha qeverive. Ne e nxisim fuqishëm Qeverinë e Kosovës që të vazhdojë pa vonesë me zbatimin e plotë të regjistrimit të ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Mbështetja e Kosovës për sundim të ligjit dhe gjyqësor të pavarur bazohet në zbatimin e plotë dhe të barabartë të të gjitha vendimeve të Gjykatës, pavarësisht mospajtimeve politike”, thuhet në deklaratë.
Kjo deklaratë e pasoi një deklaratë të Gjykatës Kushtetuese se vendimi i saj i vitit 2016 për Manastirin e Deçanit nukështë zbatuar ende.
Shefat e misioneve diplomatike të QUINT-it e cilësojnë shqetësues faktin se Gjykata Kushtetuese detyrohet t’ua përkujtojë institucioneve shtetërore se duhet t’i zbatojnë vendimet e saj.
“Shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës e marrin parasysh dhe e mirëpresin deklaratën unanime të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të datës 24 shtator lidhur me moszbatimin e vendimeve të mëhershme të saj, përfshirë edhe vendimin e vitit 2016 për regjistrimin e tokës së Manastirit të Deçanit. Është shqetësuese që Gjykata Kushtetuese e Kosovës detyrohet t’ua përkujtojë institucioneve ekzekutive të garantojnë dhe zbatojnë sundimin e ligjit në këto raste më se të vonuara”, thuhet në deklaratë.
Në vitin 2016 Gjykata Kushtetuese e Kosovës ia ka njohur Manastirit të Deçanit pronësinë ndaj pronave përreth manastirit. Bëhet fjalë për dhjetra hektarë toke të punueshme dhe të pyjeve në rrethinën e manastirit.
Manastiri i Deçanit është monument i trashëgimisë kulturore nën mbojtjen e UNESCO-s.
(r.m.)