QUINT-i kërkon zbatimin e vendimit të Kushtetueses për pronën e Manastirit të Deçanit

Prishtinë, 30 nëntor 2021 – Shtetet e Quint-it kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me moszbatimin e vendimit, sa i përket tokës së Manastirit të Deçanit, duke thënë se mosrespektimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, minon zotimin e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e sundimit të ligjit dhe respektimin për gjyqësor të pavarur.

“Zbatimi i këtyre vendimeve paraqet përgjegjësi themelore demokratike të domosdoshme për konsolidimin demokratik të Kosovës dhe integrimin e ardhshëm euroatlantik”, thuhet në reagimin e përbashkët të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara.

Quint-i e ka ftuar Qeverinë e Kosovës që të lë anash mospajtimet politike dhe të “përqafojë përgjegjësitë e saj demokratike dhe të zbatojë plotësisht të gjitha vendimet e Gjykatës”.

Thirrje të ngjashme për respektimin e vendimit për Manastirin e Deçanit, Quint-i i kishte bërë Qeverisë së Kosovës edhe në muajin maj të këtij viti.

Më 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte marrë vendim që t’i njihet e drejta e pronësisë Manastirit të Deçanit për 24 hektarë tokë.

Por, ky vendim ende nuk është zbatuar dhe më 24 shtator të vitit 2021, Gjykata Kushtetuese i dërgoi një letër kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, përmes së cilës e informoi për nxjerrjen e Aktvendimit për Mospërmbarim lidhur me aktgjykimin e vitit 2016, me të cilin Gjykata Kushtetuese vendosi që Manastiri i Deçanit është pronar i 24 hektarëve tokë dhe pyll.

Në letrën dërguar Kryeprokurorit të Shtetit, Gjykata Kushtetuese theksoi se ajo “nuk ka kompetencë për vlerësimin e përgjegjësisë për moszbatimin e aktgjykimeve të lartcekura nga autoritetet përgjegjëse” dhe ka thënë se “i takon Prokurorisë së Shtetit që të ndërmarrë veprimet e mëtejme, sipas autorizimeve ligjore, bazuar në Kodin Penal dhe atë të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës”.

Vendimi i vitit 2016 kundërshtohet nga qeverisja lokale e Deçanit, që refuzon ta zbatojë atë, duke pretenduar se ajo pronë është e kompanive shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” dhe se asnjëherë nuk ka qenë e manastirit. Autoritetet lokale në Deçan besojnë, gjithashtu, se Gjykata Kushtetuese legalizoi vendimin e Sllobodan Millosheviqit nga viti 1997, kur vendosi t’i dhurojë këtë pronë Manastirit të Deçanit.

(REL)