QUINT-i shpreh keqardhje që Lista Serbe nuk merr pjesë në zgjedhjet lokale në veri

Prishtinë, 24 mars 2023 – Vendet e QUINT-it (Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia) shprehën keqardhjen që Lista Serbe nuk e shfrytëzoi “të drejtën demokratike” për të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në veri të Kosovës.

“Na vjen keq që Lista Serbe nuk e shfrytëzoi të drejtën demokratike për të marrë pjesë në këto zgjedhje. Zgjedhjet janë themeli i demokracisë. Është thelbësore të sigurohet që ato të mbahen në mënyrë paqësore dhe të rregullt. Presim që autoritetet përkatëse të veprojnë me profesionalizëm. U bëjmë thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje dhe të shmangin dhunën, e cila mund të prishë zgjedhjet”, thuhet në deklaratën e ambasadave të vendeve të QUINT-it.

Zgjedhjet për kryetarët e komunave verior, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok mbahen për shkak të dorëheqjes së kryetarëve të mëparshëm në shenjë proteste ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e automjeteve të regjistruara në Serbi dhe zëvendësimin e targave jolegale serbe me targa të Kosovës.

Lista Serbe, subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës, refuzon të marrë pjesë në zgjedhje, duke pretenduar se nuk janë plotësuar kërkesat e tyre për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe për largimin e njësive të policisë speciale nga veriu i Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi vendimin e Listës Serbe që të mos marrë pjesë nëzgjedhje si “shenjë të kontrollit” të Beogradit mbi këtë parti dhe e ndërhyrjes së vazhdueshme të Serbisë tij në punët e brendshme të Kosovës.

Marrëveshja bazë drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, me të cilin palët janë pajtuar në Bruksel, më 27 shkurt, dhe në Ohër, me 18 mars, parasheh njohjen e dokumenteve dhe simboleve shtetërore dhe respektimin e sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra-tjetrës. Sipas marrëveshjes, palët nuk do ta pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë.

Diplomatët perëndimorë thanë se palët kanë detyrime ligjore t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

(r.m.)