Prishtinë, 23 mars 2022 – Qeveritë e vendeve të QUINT-it (Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Britanisë së Madhe) shprehën të mërkurën keqardhje që Qeveria e Kosovës e refuzoi “propozimin konstruktiv” të tyre që të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare e presidenciale të Serbisë në territorin e Kosovës.
Në një deklaratë të përbashkët të ambasadave të këtyre vendeve, , të shpërndarë nga zyra e medies e Departamentit Amerikan të Shtetit, thuhet se është e drejtë e Qeverisë së Kosovës të vendosë nëse do të lejojë apo jo lehtësimin e votimit në zgjedhjet e një vendi tjetër, por nënvizohet se Qeveria e Kosovës, me këtë vendim, “dështoi të demonstrojë përkushtimin e saj ndaj parimit të mbrojtjes së të drejtave civile dhe politike të të gjithë qytetarëve të saj”.
“Ne e pranojmë se është e drejtë e Qeverisë së Kosovës të vendosë nëse do të lejojë apo jo lehtësimin e votimit në zgjedhjet e një vendi tjetër. Ndërsa ne vlerësojmë gatishmërinë e Serbisë për të gjetur një zgjidhje, me zhgënjim të madh marrim parasysh vendimin e Qeverisë së Kosovës për të refuzuar një propozim konstruktiv të paraqitur nga Kuinti. Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës dështoi të demonstrojë përkushtimin e saj ndaj parimit të mbrojtjes së të drejtave civile dhe politike të të gjithë qytetarëve të saj, përfshirë edhe pjesëtarët e grupeve minoritare”, thuhet në deklaratë.
“Një qëndrim i tillë i Qeverisë së Kosovës nuk është në përputhje me vlerat dhe parimet tona dhe do të cenojë aspiratat e saj evropiane”, theksohet në deklaratë.
Aty thuhet gjithashtu se nga Kosova pritet të përkushtohet për stabilitetin rajonal, për respektimin e proceseve demokratike dhe për mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve.
“Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, ne e mirëpritëm përafrimin e Kosovës me deklaratat dhe vendimet e miratuara nga BE-ja dhe nga anëtarët e Kuintit. Por, nga Kosova pritet gjithashtu të mbrojë vlerat e saj themelore dhe të ketë përgjegjësi për stabilitetin rajonal dhe të respektojë proceset demokratike, si edhe të përkushtohet për mbrojtjen e të drejtave të pjesëtarëve të grupeve minoritare”, thuhet në deklaratë.
“Presim që Qeveria e Kosovës të veprojë në interes të të gjithë qytetarëve të saj, të punojë për uljen e tensioneve dhe të angazhohet në mënyrë konstruktive në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Kjo është thelbësore për të arritur progres drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin që përfundimisht do të zhbllokojë perspektivën europiane të Kosovës”, thuhet në deklaratë.
“Ne e përsërisim thirrjen tonë të fortë drejtuar Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga çdo veprim dhe retorikë që rrit tensionet dhe mund të çojë në incidente”, thuhet në fund të deklaratës së qeverive të vendeve të QUINT-it.
Ndërkohë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se qeveria nuk ka marrë vendim që të moslejohet mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës. Ai ka thënë se Qeveria e Serbisë nuk ka komunikuar fare me Qeverinë e Kosovës lidhur me këtë çështje.
“E vërteta është se nuk ka marrëveshje paraprake që, natyrisht, paraqet kushtin për mbajtjen e atyre zgjedhjeve, që nuk është plotësuar. Ne kemi pritur një shkëmbim normal të letrave, të kërkesës së tyre, të trajtimit të çështjes, mirëpo kjo gjë nuk ka ndodhur”, ka thënë Kurti, të mërkurën.
Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka pranuar që një marrëveshje me Serbinë për organizimin e zgjedhjeve në territorin e Kosovës të bëhet përmes zyrtarëve ndërlidhës të të dy vendeve.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të martën në mbrëmje, ka thënë se autoritetet në Prishtinë kanë kërkuar njohjen e pavarësisë së Kosovës për të mundësuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë dhe se një kërkesë të tillë Serbia nuk ka mundur dhe nuk do ta pranojë asnjëherë.
Vuçiq ka thënë se serbët e Kosovës do të mund të votojnë në Serbi.
(r.m.)