Qyno: 57 vrasje nga 1 janari, kaos në polici, nuk ka operacione për kapjen e bandave

Në emisionin “Drejt” nga Luan Rama në RTV Ora, gazetari Elton Qyno u shpreh se janë afro 57 vrasje nga 1 janari dhe se intensiteti i ekzekutimeve është shtuar.

Ai tha se nuk ka operacione policore për kapjen e personave të njohur të botës së krimit duke shtuar se nëse nuk egërsohet shteti atëherë do të ketë akoma vrasje.

Qyno: Janë afro 57 vrasje nga 1 Janari. Intensiteti i ekzekutimeve është shtuar këtë periudhë për shkak të situatës së ndryshimeve në polici. Situata jashtë kontrollit në disa qytete, Fier apo Laçi. Nuk prisja që të kishte një intensitet të rritur në Tiranë, sepse grupet janë më pak agresivë. Rasti i të shtunës është i përsëritur. Nisi me vrasjen e Santagio Malkos në Porcelan.

Po përplasen grupe kriminale që më parë kanë vepruar bashkë dhe tashëm po qëllojnë njëri-tjetrin me kallashnikov. Nuk bëhen operacione për kapjen e atyre që janë në kërkim edhe pse kemi disa institucione. Por ama nuk kemi një operacion në Tiranë për kapjen e këtyre personazheve. Nëse nuk egërsohet shteti do kemi përherë vrasje. Ngjarja e të shtunës e egër, duket sikur ka një cikë dorë Vlora, sepse personat nuk tërhiqen nga vendi i ngjarjes dhe duket se ata që kanë qëlluar nuk i njihnin viktimat, por vetëm kanë marrë paratë.

oranews