Rada Trajkoviq: Kthimi i Radoiçiqit në Kosovë është mesazh për amerikanët

Beograd, 19 korrik 2022 – Kryetarja e Lëvizjes Evropiane të serbëve të Kosovës, Rada Trajkoviq, ka thënë se nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, përmes videos së publikuar nga pjesa veriore e Kosovës, përcjell një mesazh për amerikanët – se po i shpërfill akuzat dhe sanksionet e tyre.

Radoiçiq, i cili ka qenë i dyshuar për përfshirje në vrasjen e Oliver Ivanoviqit, kurse tani është në kërkim nga organet e drejtësisë së Kosovës dhe në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndër të tjera, ka thënë: “Këtu jam dhe ju e dini çka do të thotë kjo”.

Ish deputetja e Kuvendit të Kosovës, Rada Trajkoviq, ka thënë se përmes kësaj deklarate Shteteve të Bashkuara të Amerikës u dërgohet mesazh edhe nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Para së gjithash do të thosha se ky është një mesazh për administratën amerikane nga Milan Radoiçiqi, por edhe nga shteti serb, thjesht sepse këtë deklaratë e ka bërë Radoiçiqi. Përfaqësuesit e qeverisë të Serbisë, por edhe Aleksandar Vuçiqi, si president, vazhdimisht flasin në kontekstin më pozitiv për njeriun që është futur në listën amerikane të personave që akuzohen për krim, korrupsion, trafik droge dhe armësh (Radiçiqin). Pra, Vuçiqi, Lista Serbe dhe Radoiçiqi e injorojnë këtë vendim dhe e kundërshtojnë vendosjen e Milan Radoiçiqit dhe Zvonko Veselinoviqit në atë listë si kriminelë më të rrezikshëm në rajon”, ka thënë Trajkoviq, në njëintervistë për televizionin “Nova”.

Rada Trajkoviq është një ndër kritikët më të ashpër të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe partisë serbe në Kosovë, Lista Serbe, e cila kontrollohet nga Vuçiqi. Ajo e kakundërshtuar fuqishëm projektin e Vuçiqit për ndarjen e Kosovës, duke e akuzuar Vuçiqin se përmes tij po synonte të shpëtonte kokën e tij, duke sakrifikuar serbët në pjesën tjetër të Kosovës.

(r.m.)