Radoiçiqi thotë se nuk ka të bëjë me akuzat për rastin “Brezovica”

Prishtinë, 5 shkurt 2022 – Nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, thotë se ai nuk ka të bëjë fare me akuzat lidhur me rastin “Brezovica”, dhe se këtë “e dinë mirë edhe ata që e kanë urdhëruar këtë përndjekje politike, por edhe ata që e bëjnë atë”.

“Nëse dikush në Kosovë e Metohi, qoftë nga institucionet apo përfaqësuesit ndërkombëtarë, mendon se me akuza të tilla të rreme mund të më dëbojë nga Kosova përgjithmonë apo të më ndajë nga bashkëkombësit e mi dhe ta dobësojë luftën për Serbinë dhe serbët, gabon rëndë”, thuhet në deklaratën e Radoiçiqit, të publikuar nga Lista Serbe.

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar të premten suspendimin nga puna për tre zyrtarë policorë, pasi ata dyshohet se kanë dështuar të ndalonin në vendkalimin kufitar në Bërnjak në veri të Kosovës, politikanin serb, Millan Radoiçiq, i shpallur në kërkim nga autoritetet kosovare.

Prokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Rasim Maloku, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se Radoiçiq është në kërkim, pasi dyshohet për ndërhyrje në rastin e njohur si “Brezovica”.

“Radoiçiq dyshohet për ‘frikësim gjatë procedurës penale’, pasi i njëjti dyshohet për ndërhyrje në dëshmitarë. Ka tentuar t’i frikësojë që të mos dëshmojnë”, tha prokurori Maloku.

Më herët, IPK-ja ka njoftuar se mbrëmjen e 3 shkurtit, Radoiçiq ishte paraqitur në pikën kufitare në Bërnjak dhe se kishte rezultuar se është person në kërkim.

Pavarësisht kësaj, ai ka drejtuar veturën e tij mbrapa dhe është kthyer në drejtim të Serbisë, ndërsa dokumentet e tij kishin mbetur te zyrtarët policorë në këtë vendkalim kufitar.

Policia e Kosovës njoftoi të premten se zyrtarët kufitarë e kanë ndaluar automjetin dhe kanë filluar procedurat e regjistrimit dhe verifikimit të automjetit, si edhe të personave në automjet.

“Gjatë realizimit të detyrave policore, zyrtarët kufitarë kanë kërkuar nga personi (vozitësi) që ta parkojë automjetin në vend parking, për të vazhduar me procedurat e mëtejme policore, mirëpo vozitësi gjatë parkimit me veturë është larguar me shpejtësi mbrapa në drejtim të territorit të Serbisë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Në njoftim thuhet se zyrtarët policorë nuk kanë arritur ta ndalojnë automjetin.

Hetuesit e IPK-së, në konsultim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, kanë filluar një procedurë hetimore ndaj tre zyrtarëve policorë, me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

IPK-ja bën të ditur se të tre zyrtarët policorë i takojnë Drejtorisë Rajonale Kufitare “Veriu” dhe se që të gjithë janë punonjës në vendkalimin kufitar në Bërnjak.

Dhjetë persona, në mesin e të cilëve edhe ish-kreu i Komunës së Shtërpcës nga Lista Serbe, Bratisllav Nikoliq. u arrestuan në dhjetor të vitit 2021 lidhur me rastin “Brezovica”. Të arrestuarit dyshohet se kanë marrë vila, vetura dhe dhurata të tjera në këmbim të lëshimit të lejeve për ndërtimin e vilave dhe objekteve të tjera në Parkun Kombëtar “Sharri”, ku gjendet edhe Brezovica.

Më 6 janar, autoritetet kosovare njoftuan se lidhur me rastin “Brezovica” kanë ngrirë rreth 6 milionë euro të të pandehurve, që dyshohet se i kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme.

Në muajin dhjetor të vitit të kaluar, Radoiçiq dhe disa serbë të tjerë nga Kosova u vendosën në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të SHBA-së.

Departamenti i Thesarit tha se grupi i sanksionuar është angazhuar në skema të mëdha të ryshfetit me zyrtarë të sigurisë, kosovarë dhe serbë, të cilët lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve midis Kosovës dhe Serbisë.

(r.m.)