Prishtinë, 7 dhjetor 2022 – Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, tha se incidentet në veri më 6 dhjetor, dëshmuan se qasja e KQZ-së është e kufizuar në këtë pjesë të vendit.
Në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut, Policia e Kosovës konfirmoi se ka pasur “shpërthime dhe shkrepje armësh”.
Zyrtarët komunalë zgjedhorë, që ishin nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, u tha se u penguan që të shkonin në zyrat komunale zgjedhore në këto dy komuna, për të kryer detyrat e tyre zyrtare.
Gjatë një mbledhjeje të KQZ-së pasditen e 6 dhjetorit, Radoniqi tha se pret të shohë raportin e sigurisë për procesin zgjedhor të Policisë së Kosovës, duke shtuar se “me zor nuk mbahen zgjedhjet, në këtë formë”.
Sipas tij, KQZ-ja nuk mund të rrezikojë jetën e zyrtarëve zgjedhorë.
“Sot kishim planifikuar të vizitojmë zyrat tona, për të parë se a kemi qasje. Çfarë është evidente nga raporti dhe nga çka u pa në media, është pak problematike që të kemi qasje në zyrat tona”, tha ai.
Radoniqi shtoi se më pas raporti i policisë do t’i dërgohet edhe zyrës së presidentes, së bashku me kërkesat e KQZ-së për të ofruar siguri për zyrtarët zgjedhorë.
Megjithatë, ai nuk u pajtua me anëtarët e komisionit, që kërkuan prezencë më të madhe të policisë, duke theksuar se “nëse duam të shkojmë me tërë aparatin policorë, të armatosur deri në dhëmbë, atëherë çfarë zgjedhje duam të organizojmë”.
Disa anëtarë të KQZ-së kërkuan që zyrtarëve zgjedhorë t’iu ofrohet siguri më e madhe, dhe disa kërkuan që Bashkimi Evropian t’ia tërheqë vërejtjen Serbisë, që të largojë grupet, që sipas tyre, qëndrojnë pas incidenteve.
“Në këto kushte, nuk mund të punojmë sipas planit tonë të paraparë. Është e padrejtë të kërkohet nga zyrtarët tanë që të dërgohen në një vend ku ka pasiguri”, tha Radoniqi.
Katër komunat në veri të Kosovës – Zveçan, Zubin Potok, Mitrovicë e Veriut dhe Leposaviq – që nga fillimi i nëntorit kanë mbetur pa kryetarë. Ata u dorëhoqën në shenjë kundërshtimi për një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia.
Data e zgjedhjeve në këto komuna është caktuar 18 dhjetori.
(REL)