Rafuna: Kosova humbi 300 milionë euro nga masat e BE-së, bizneset të shqetësuara nga ikja e punëtorëve

Prishtinë, 5 janar 2024 – Masat e BE-së i kanë kushtuar Kosovës afro 300 milionë euro humbje.  Kurse, liberalizimit të vizave po i frikësohen bizneset. Afro 70 për qind kanë shprehur shqetësimin e tyre me largimin e punëtorëve pas liberalizimit të vizave.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, ka thënë se nga masat e vendosura nga Bashkimi Evropian, Kosova ka humbur rreth 300 milionë euro projekte të cilat do të kishin ndikim të drejtpërdrejt në biznese.

Ai këto komente i bëri në një konferencë për media ku shtoi se këto masa kanë ndikuar edhe në imazhin e Kosovës në kuptimin e investitorëve të huaj.

Rafuna bëri thirrje që institucionet shtetërore të punojnë në plotësimin e kushteve që vendit t’i largohen këto masa.

“Si rezultat i masave të BE-së ne jemi dëmtuar në dy aspekte: e para është materiale ku deri me tani janë të bllokuara mbi 292 milionë, përafërsisht 300 milionë euro projekte që nuk kanë mundur që të implementohen, ato projekte janë kapitale që me pas impakt drejtpërdrejt te bizneset. E dyta është edhe si çështje e imazhit. Nuk është imazh i mirë kur ti si shtet ke masa ndëshkuese në kuptimin e investitorëve të huaj.  Ne kërkojmë që ato masa të hiqen sa më shpejt, kërkojmë nga institucionet që të plotësoj kushte dhe kriteret që të mos jemi nën masa ndëshkuese”.

Rafuna tutje ka treguar thënë se 67 për qind e bizneseve kanë shprehur shqetësimin e tyre me largimin e punëtorëve pas liberalizimit të vizave.

Në konferencën për medie, Rafuna ka paraqitur një përmbledhje të punës së OEK-ut gjatë vitit 2023, sfidat e kompanive dhe rekomandimet për institucionet qendrore.

Ai ka deklaruar se nga një analizë që kanë bërë me 500 kompani të ndryshme në vend, del që 67 për qind e tyre janë shumë të shqetësuar nga largimi i punëtoreve pas liberalizimit të vizave.

“67 për qind e bizneseve janë shumë të shqetësuar nga largimi i punëtoreve pas 1 janarit me liberalizimin e vizave. 27 për qind kanë deklaruar se është e shqetësuese, 4 për qind kanë deklaruar si pak e shqetësuese dhe 2 për qind kanë deklaruar se nuk është aspak e shqetësuese”.

Rafuna tha se nga kjo analizë del që 70 për qind e kompanive si sfidë kryesore gjatë viti 2023 kanë pasur mungesë të personelit të kualifikuar.

“Pritjet tona janë që në vitin 2024 nuk do të këtë rritje të inflacionit dhe normave të interesit. Do të këtë ulje të inflacionit. Ky është një lajm i mirë edhe për bizneset që në vitin 2024 do të këtë rënie të normave të interesit. Kemi bërë një analizë me 500 biznes të sektorëve të ndryshme dhe kemi nxjerrë se cilat kanë  qenë sfidat dhe barrierat më vitin 2023. Del që gjatë vitit ka pasur një mungesë të kërkesës, këtu hyn edhe ndërtimtaria te shitja e banesave, 53 për qind kanë deklaruar që ka mungesë të porosive. 70 për qind kanë deklaruar që kanë mungesa të personelit të kualifikuar. Problemi me mungesë të energjisë elektrike kanë deklaruar se kane 28 për qind”.

Sipas tij bizneset kosovare gjatë këtij viti do ta përcjellin trendet e procesit të teknologjisë dhe digjitalizimit si dhe procesi i tranzicionit në ekonominë e gjelbër, për të cilat tha se OEK do t’i ndihmojë.

(Monitor.al)