Berlin, 21 gusht 2022 – Një rajon perëndimor gjerman është plotësisht i pavarur nga gazi rus. Prej dekadash tashmë, rajoni Rhein-Hunsrueck i përmbush vetë të gjitha nevojat e tij energjitike duke shfrytëzuar energjinë e erës, të diellit apo nxehtësinë që krijohet nga ricklimi i mbetjeve të drurit.
Rajoni gjerman Rhein-Hunsrueck, i gjendur në perëndim të Frankfurtit dhe pranë kufirit me Luksemburgun, është i pavarur nga gazi i Rusisë, apo vendeve të tjera, prej dekadash.
Në horizont dallohen turbina ere dhe panelet diellore janë të gjithëpranishme në çatitë e shtëpive të fshatrave të këtij rajoni.
Përgjegjësi për mbrojtjen e klimës në këtë rajon, Frank-Michael Uhle thotë se deri në vitin 1995 e gjithë energjia që i duhej rajonit Rhein-Hunsrueck importohej nga jashtë.
“Deri në vitin 1995, asnjë kilovat orë energjie që përdorte distrikti ynë nuk prodhohej prej nesh. Gjithçka duhej të importohej. Pastaj disa vizionarë kurajozë thanë se luftërat po luftohen për naftën dhe gazin dhe ne duhet të bëjmë diçka për këtë. Ata mblodhën fondet për turbinën e parë të erës, e cila prodhoi elektricitet për 200 shtëpi. Sot kemi 279 turbina ere që prodhojnë elektricitet për 300 mijë shtëpi”, thotë ai.
Krahas energjisë nga era, distrikti përdor edhe drurin për të prodhuar karburant për ngrohje. Procesi është aq efikas sa vetëm me shkurret dhe copat e drurit të prerë, prodhohet më shumë energji se sa konsumohet.
“Po përdorim aktualisht gjysmat e mbetjeve. Nëse do të donim t’i përpunonim të gjitha, mund të vinim në funksionim edhe tre stacione të tjera nxehtësie. Pra, teorikisht mund të funksiononim me gjashtë stacione. Kapaciteti ynë është aktualisht në një milion litra karburant për ngrohje. Pra, me 100 mijë banorët e rajonit tonë dhe me mbetjet që kemi, mund të zëvendësonim në vit dy milionë litra karburant për ngrohje nëpërmjet stacioneve tona”, thotë Thomas Lorenz, menaxher i përpunimit të mbetjeve në këtë rajon.
Për popullsinë gjermane që nuk jeton në rajonin Rhein-Hunsrueck, Kancelari Olaf Scholz premtoi javën e kaluar se konsumatorëve të gazit nuk do t’u duhet t’i përballojnë të vetëm kostot e rritura të energjisë.
Ai njoftoi masa lehtësimi financiar që do të zbatohen për të mbrojtur familjet me të ardhura të ulëta.
(Zëri i Amerikës)