Uashington, 20 prill 2023 – Raketa e re gjigante “Starship”, e prodhuar nga kompania “SpaceX”, shpërtheu të enjten në fluturimin e saj të parë provë.
Shpërthimi i raketës pa ekuipazh ndodhi disa minuta pasi u ngrit nga platforma e lëshimit. Më pas ajo ra në ujërat e gjirit të Meksikës.
Kompania e “SpaceX” e Elon Musk-ut synonte ta dërgonte raketën 120 metra të gjatë në një udhëtim rreth botës që do të niste nga pjesa jugore e Teksasit, pranë kufirit me Meksikën. Raketa ishte pa ekuipazh apo satelitë në të.
Pritej që disa minuta pas ngritjes raketa të shkëputej nga platforma shtytëse e saj, gjë që nuk ndodhi. Raketa filloi të bjerë dhe 4 minuta nga nisja e fluturimit, shpërtheu, duke u rrëzuar në oqean.
Kompania kishte në plan ta përdorë raketën kozmike “Starship” për të dërguar njerëz dhe ngarkesë në Hënë dhe me vonë edhe në Mars.
NASA pritet të përdorë një raketë të tillë “Starship” për ekipin e saj të ardhshëm që pritet të shkelë në Hënë. Tashmë njerëz të pasur, të cilët duan tA vizitojnë Hënën, po rezervojnë bileta.
“SpaceX” tentoi ta niste raketën në fillim të javës, por lëshimi isaj u anulua për shkak të disa problemeve teknike.
Raketa “Starship” është shumë e fuqishme dhe i tejkalon me lehtësi raketat hënore të NASA-s. Ajo është projektuar që të jetë plotësisht e ripërdorshme, gjë që e ka ulur në mënyrë dramatike koston e prodhimit të tyre.
(Zëri i Amerikës)