Të tre vendet, përfshi këtu edhe Maqedoninë e Veriut do të marrin pjesë pas sinjaleve të reja politike nga Bullgaria
Kryeministri Edi Rama ka konfirmuar pak më parë pjesëmarrjen në samitin e BE-së që mbahet më 23 dhe 24 qershor në Bruksel, pas lajmeve pozitive që erdhën nga Sofja ku opozita bullgare i ka hapur rrugë heqjes së vetos ndaj Maqedonisë së Veriut.
Në një reagim në Twitter, Rama shkruan se do të marrë pjesë edhe pse “nuk do të ketë shumë për të dëgjuar”.
“Sapo dëgjova që diçka po lëviz sot në Bullgari. Shumë herët për të qenë optimist dhe shumë pak për të ndryshuar pjesën e fjalimit të nesërm ku Bullgaria kritikohet si një vend që ka rrëmbyer dy vende të NATO-s, ndërkohë që ka një luftë të nxehtë në kufirin e Evropës! Ne do të marrim pjesë në mbledhjen e Këshillit të BE-së. Nuk do të ketë shumë për të dëgjuar për ne, por ne do të kërkojmë të dëgjohemi për idenë e një Komuniteti të Ri Politik Evropian që ne mbështesim, për Ballkanin e Hapur që çon përpara frymën e Evropës dhe për rrëmbimin tonë nga Bullgaria që shkatërron atë”, shkruan Rama në Twitter.
Edhe Serbia konfirmoi sot se të tre vendet, përfshi këtu edhe Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, do të marrin pjesë nesër në samitin e BE-së.
“Pas konsultimeve të hollësishme dhe gjithëpërfshirëse me bashkëpunëtorët dhe anëtarët e qeverive, liderët e tre vendeve vendosën të shkojnë së bashku në samit, duke rënë dakord për parimet që do të jenë shtylla kryesore e bisedimeve me zyrtarë të shumtë të BE-së”, raporton Kurir.
Duke pasur parasysh se Republika e Serbisë, Republika e Shqipërisë dhe Republika e Maqedonisë së Veriut përfaqësojnë vazhdimisht interesat e qytetarëve të tyre dhe të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor në të gjitha forumet relevante ndërkombëtare, vendimi për pjesëmarrje dhe qasje të përbashkët në samitin e Brukselit është një tjetër hap drejt progresit, por edhe një sinjal i qartë se pavarësisht pengesave të shumta, ne vazhdojmë të japim një kontribut konstruktiv në rrugën e integrimit evropian.
Jemi të vetëdijshëm se temat që do të diskutojmë në samit nuk do të jenë të lehta, por pjesëmarrja jonë do të tregojë dhe konfirmojë edhe një herë përkushtimin tonë në rrugën evropiane të Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Gjithashtu u ra dakord që në takimet në Bruksel do të vazhdojmë të luftojmë për dialogun, si modelin kryesor dhe të vetëm korrekt për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura, me përpjekje për të forcuar besimin e ndërsjellë dhe për të intensifikuar komunikimin me zyrtarët e Unionit.