Rama e akozon BE-në për hipokrizi: “Karma is a bitch”

Davos, 20 janar 2023 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e akuzoi Bashkimin Evropian për “hipokrizi” që kërkon standarde më të larta për vendet aspirante se sa për veten, shkruan Politico Europe.

Kryeministri shqiptar Edi Rama i tha të enjten Presidentes së Parlamentit Europian Roberta Metsola se “Karma është kurvë” – duke iu referuar skandalit të madh të korrupsionit që e ka tronditur javët e fundit këtë institucion.

Duke lënë të kuptohet si hipokrizi mbi korrupsionin në vendet e klubit – si edhe në vetë Parlamentin Europian – Rama tha se BE-ja tani kërkon standarde më të larta nga anëtarët e mundshëm (si Shqipëria) se sa anëtarët e saj.

“Më shumë se gjysma e vendeve të BE-së nuk do të mund të hynin më në BE”, tha Rama, duke folur në një panel të POLITICO në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.

“Nuk po flas për ish-komunistët. Po flas edhe për themeluesit, më besoni”, u shpreh ai.

Parlamenti Europian ka qenë në qendër të një hetimi të gjerë nëse qeveritë e huaja, përfshirë Katarin dhe Marokun, kanë ndikuar ilegalisht në punën e tij. Hetimi ka futur në kurth ish-nënkryetarin e Parlamentit, një ish-deputet, një asistent të parlamentit dhe një shef të OJQ-ve, duke ka nxjerrë në dritë procedurat e këtij institucioni për t’u marrë me konfliktet e mundshme të interesit.

Rama pretendoi se procesi i anëtarësimit për vendet kandidate është i ndryshëm nga ai kur vende si Malta, vendi i origjinës së Metsolës, u bënë anëtare të bllokut, duke thënë se kjo është bërë “tepër neurotike dhe e padrejtë”. Shqipëria renditet e 110-ta në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, poshtë Afrikës së Jugut, Bjellorusisë dhe Kazakistanit.

Metsola ka theksuar se Parlamenti “ka qenë gjithmonë jashtëzakonisht pozitiv kur bëhet fjalë për zgjerimin e BE-së, sepse shumë prej nesh e mbajnë mend kohën kur u anëtarësuam”.

Por, derisa Rama tha se vendi i tij po mësonte nga BE-ja se si të ndërtonte institucione demokratike, ai ende kishte një ndjenjë që BE-ja po merrte rezultatin e saj kur shpërtheu skandali.

“Roberta, më fal, duhet ta them, kur doli ky rast korrupsioni, unë thashë: ‘Karma është kurvë’”, tha Rama.

Më herët këtë muaj, Metsola njoftoi për propozimin e 14 reformave sistemore për të forcuar rregullat e transparencës për eurodeputetët pas skandalit të korrupsionit.

(r.m.)