Rama: “E kam takuar ish-zyrtarin e FBI-së, Charles McGonigal, por kjo s’ka asnjë lidhje me hetimin e SHBA-së”

Tiranë, 25 janar 2023 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka hedhur poshtë akuzat publike të opozitës në lidhje me ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, Charles McGonigal, i cili akuzohet se ka marrë para nga një ish-punonjës i shërbimeve inteligjente shqiptare dhe se nuk i ka raportuar kontaktet dhe lidhjet e tij me zyrtarë të shteteve të tjera.

Rama ka pranuar se ai është takuar me z. McGonigal, por ka theksuar se kjo nuk ka asnjë lidhje me hetimin e kryer në SHBA.

“E kam takuar ish-zyrtarin e FBI-së, Charles McGonigal, por kjo s’ka asnjë lidhje me hetimin e SHBA-së!”, ka thënë ai.

Rama ka thënë se me Agron Nezën, i cili dyshohet se ia ka dhënë z. McGonigal 225 mijë dollarë, është takuar vetëm në praninë e ish-zyrtarit të lartë të FBI-së, ndërsa ka pranuar se Dorian Duçka, ka qenë zëvendës-ministër i energjetikes në qeverinë e koalicionit të vitit 2013 dhe këshilltar i tij pa pagesë.

Akuzat publike të opozitës Rama i ka cilësuar si “derivate të keq-leximit” që kanë qëllim tërheqjen e vëmendjes nga hetimet e Prokurorisë së SPAK-ut lidhur me vrasjen e katër personave në protestën e 21 janarit.

“Këto janë derivate të keq leximit. Përmendja e emrit tim si pjesë e një takimi apo një takimi tjetër s’ka lidhje me përfundimet që ka nxjerrë hetimi në SHBA. Janë nxjerrë përfundime dhe s’ka asnjë lidhje me këto që thoni ju. Po e takova (z. McDonigal) dhe kjo nuk përbën arsye për të nxjerrë konkluzione të reja, duke parë nga Tirana me dylbitë e politikës së zhurmës, për zhurmë, në kushtet që jemi – para faktit të ri për 21 janarin dhe kërkesës së PS-së për të hapur hetimin në SPAK. Kushdo të kuptojë e kupton. Hetimet kanë përfunduar, ka një të akuzuar për mosdeklarim dhe konflikt interesi në raport me mikun e tij shqiptaro-amerikan nga Tropoja që unë e kam njohur me të dhe nuk kam asnjë marrëdhënie.

Agron Neza vjen nga Lëvizja Demokratike. E kam takuar vetëm në praninë e zyrtarit të lartë të FBI-së. Duçka ka qenë zëvendës ministër i energjetikes në koalicion 2013, dhe ka qenë te unë këshilltar pa pagesë. Pse e përdor opozita, unë jam mësuar me këtë, jam i mbingopur me të tilla historira që synojnë çorrollepsjen e njerëzve dhe krijimin e një klime ndasie”, është shprehur Rama.

Ish zyrtari i lartë i FBI-së, Charles MsGonigal, i cili është arrestuar një ditë më parë,  akuzohet se e ka mbështetur një oligark rus që gjendet në listën e të sanksionuarve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se ka marrë ryshfet nga një ish-agjent i shërbimit sekret shqiptar.

McGonigal ka punuar për sektorin e kundërzbulimit të FBI-së derisa është larguar nga FBI-ja, në shtator të vitit 2018. Ndër të tjera, ai ka mbuluar edhe Shqipërinë dhe Bosnjën e Hercegovinën.

Ai akuzohet se nga një ish-punonjës i shërbimeve sekrete të Shqipërisë i ka marrë 225 mijë dollarë dhe se ka zhvilluar një sërë takimesh me biznesmenë dhe politikanë në Shqipëri, në Kosovë dhe në Bosnjë e Hercegovinë, të cilat nuk i ka raportuar sipas rregullave.

(r.m.)