Tiranë, 8 korrik 2023 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar se ka vendosur të bëjë ndryshime në kabinetin e tij qeveritar.
Nëpërmjet një postimi në Twitter, Rama ka bërë të ditur se ka vendosur që Bledi Çuçin ta shkarkojë nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme dhe në vend të tij të emërojë Taulant Ballën.
Ai ka thënë se këto ndryshime do t’ia përcjellë për dekretim Presidentit të Rapublikës, Bajram Begaj, të hënën.
“Të hënën do t’i dorëzoj zyrtarisht Presidentit të Republikës propozimet e mëposhtme! Falenderoj ministrin Bledi Çuçi për punën e tij si gjithnjë korrekte edhe në këtë detyrë dhe uroj që ministri i ri i Punëve të Brendshme Taulant Balla, të çojë më tej përpjekjen tonë të palëkundur shtetndërtuese në çdo drejtim”, ka shkruar Rama.
Ky vendim i kryeministrit Rama vjen pas ngjarjeve të fundit në Krujë, ku djali dhe vëllai i deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja, rrahën barbarisht dy kushërinj të fisit Maja. Konflikti nisi pas ankesës së kushërinjve Maja se shpërthimet në guroren në Borizanë, e cila është pronë e familjes Rraja, po i dëmtojnë shtëpitë e tyre.
Banorët e zonës pranë gurores janë ankuar vazhdimisht për dëmet që po u shkaktohen, por organet e shtetit nuk i kanë adresuar asnjëherë ankesat e tyre.
Të shtunën, Rrahman Rraja njoftoi se ka hequr dorë nga mandati i deputetit, për shkak të dhunës barbare që ushtruan familjarët e tij ndaj kushërinjve Maja.
(r.m.)