Rama e sulmon ashpër SPAK-un: S’po vepron ndaj Berishës dhe Metës

Tiranë, 7 maj 2022 – Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e sulmoi sot me tone të ashpra Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, se nuk po vepron ndaj gyqtarëve e prokurorëve të nxjerrë jashtë sistemit nga Vettingu dhe veçanërisht ndaj ish kryemnistrit Sali Berisha dhe Presidentit Ilir Meta. Partia Demokratike dhe kabineti i Presidentit Meta , në reagimet e tyre, thanë se sulmet e Ramës janë mesazh për SPAK-un që të tërhiqet nga çështjet që prekin Ramën dhe Partinë Socialiste.

Kryeministri Rama drejtoi kritika të forta ndaj SPAK-ut nga mbledhja e Asamblesë së Partisë Socialiste. Ai tha se “peshkaqenëve të mëdhenj të sistemit të drejtësisë”, siç i quajti ai gjyqtarët dhe prokurorët që u lanë jashtë sistemit të Drejtësisë nga procesi i vettingut, “nuk u ka hyrë gjemb në këmbë”, ndërsa, siç tha ai, SPAK veproi me nxitim të hetonte gjyqtarin Ardian Dvorani.

Ai la të kuptohej sërish se SPAK po godet më shumë nga e majta, duke theksuar se partia e tij ka patur gjithnjë të njejtin qëndrim sa herë që është dashur të merret përpara drejtësisë cilido pjesëtar i saj.

Rama tha se SPAK, deri tani, “ka dalë i humbur” në përmballjen me të keqen. Ai e sulmoi SPAK-un që nuk ka ndërmarrë asnjë veprim ndaj ish kryeministrit Sali Berisha dhe ndaj Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta.

“Kampioni i antikorrupsionit me vulë dhe me firmë të Sekretarit Amerikan të Shtetit është futur në hetim nga SPAK, në hetim për çfarë? Për një hetim të kujt? Për një denoncim të atij që, jo unë, por gjithë Shqipëria mezi pret që ta shohë para SPAKU-t, Ilir Metës. Po si qenka kjo kështu, kaq e përmbysur?”, u shpreh ai.

“Zonja e zotërinj të SPAK-ut, zgjohuni e dilni në mbrojtje Shqipërisë. Nëse Shqipëria sot është e turpëruar përpara një ‘non grate, një të vdekuri që i bën karshillëk këtij populli dhe tërë dynjasë, këtë turp ka vetëm një që duhet ta mbajë, SPAK-u. Askush tjetër!”, theksoi ai.

Rama tha se kjo “nuk është një thirrje partiake, nuk është një thirrje politike por është thirrja e forcës që e ka udhëhequr dhe që e garanton reformën në drejtësi” dhe paralajmëroi se, për shkak të mosveprimit të SPAK-ut, “po sfidohet drejtësia dhe po delegjitimohet SPAK-u dhe i gjithë sistemi i ri i drejtësisë” në Shqipëri.

Partia Demokratike reagoi ashpër ndaj deklaratës së Ramës. Belind Këlliçi, anëtar i Komisionit të Rithemelimit të PD-së, e cilësoi sulmin e kryeministrit Rama ndaj SPAK-ut si mesazh të koduar pikërisht për SPAK-un.

Sipas Këlliçit, Rama ia përcolli SPAK-ut mesazhin që “të tërhiqet nga çështje që prekin drejtpërdrejt Edi Ramën dhe njerëz shumë të afërt të tij”.

“Çdo aferë të çon tek Edi Rama, prandaj sulmi i tij i sotëm ndaj SPAK është treguesi më i mirë se kohës së Edi Ramës i ka ardhur fundi. Ai e ka vetëm hallin e tij dhe të karriges që e mban peng përmes korrupsionit dhe aleancës me krimin e organizuar. I vetmi turp i SPAK-ut do të ishte, nëse i nënshtrohet dhunës së kryeministrit”, theksoi Këlliçi.

Ndërsa presidenti Meta reagoi përmes zëdhënësit të tij, i cili tha se mbrojtja e gjyqtarit Dvorani nga kryeministri Rama dhe nga partia e tij “është thirrje publike për organet e drejtësisë që të mos shkelin vijën e partisë se përndryshe do të kenë pasoja”.

SPAK, nga ana e vet, shmangu reagimet mbi deklaratat e kryeministrit Rama. E pyetur për deklaratat e kryeministrit Rama, zëdhënësja e SPAK-ut tha se ky institucion nuk ka asnjë koment.

(r.m.)