Rama fajëson “palët e treta” për mungesën e ftesës për pjesëmarrjen e tij në darkën e Athinës

Tiranë, 22 gusht 2023 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar të martën lidhur me mungesën e ftesës për pjesëmarrjen e tij në takimin joformal të liderëve të Ballkanit Perëndiimor që u mbajt të hënën në mbrëmje në Athinë.

Rama ka shprehur habinë që nikoqiri i takimit, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, nuk i ka dëguar atij ftesë për pjesëmarrje, por presidentit Bajram Begaj. Ai ka theksuar se nuk mund ta imagjinonte kurrë që në Samitin e Procesit të Berlinit të këtij viti që do të mbahet në Tiranë në muajin tetor të ftonte Presidentin grek në vend të kryeministrit.

“Në tetor Shqipëria do të kryesojë Samitin e Procesit të Berlinit të këtij viti në Tiranë. Natyrisht, miku im i dashur dhe kolegu shumë i respektuar në Athinë ka qenë i ftuar të marrë pjesë dhe nuk mund ta imagjinoja kurrë të përgjigjesha nën zë, duke ftuar në vend të tij Presidentin grek, për të cilin kam edhe respektin më të madh”, ka shkruar Rama në Twitter.

Rama ka fajësuar “palët e treta” se kanë bërë presion ndaj Mitsotakisit për të mos e ftuar në këtë takim.

“Unë e kuptoj presionin e palëve të treta, të etur për të shfrytëzuar çdo rast për të bërë një mal nga një kodër. Por ne të gjithë kemi sfida shumë më të mëdha përpara, ka male të vërteta për t’u ngjitur”, ka thënë ai.

Në fund, Rama ka theksuar se liderët e vendeve të rajonit duhet të bëhen bashkë “në kohë të tilla të trazuara” dhe të mos mbeten “pengje të politikës së brendshme fisnore”.

“Ajo që duhet të na bashkojë në kohë të tilla të trazuara për hir të popullit tonë, vendeve tona, rajonit tonë, Evropës tonë është më e madhe se ajo që na ndan. Shumë është në rrezik global, që ne të bëhemi peng i politikës së brendshme fisnore”, ka theksuar Rama.

Në darkën joformale në Athinë morën pjesë: presidentët e Këshillit të Evropës dhe Komisionit Evropian, Charles Michel dhe Ursula von der Leyen, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Borjana Krishto, dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Të pranishëm ishin edhe kryeministrat e vendeve anëtare të BE-së nga rajoni – Andrej Pllenkoviq i Kroacisë, Ion-Marcel Ciolacu i Rumanisë dhe Nikolai Denkov i Bullgarisë, si dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe presidentja moldave, Maia Sandu.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis i kishte dërguar ftesë për pjesëmarrje Presidentit të Shqipërisë, Bajam Begaj, por ai nuk shkoi në Athinë. Kabineti i tij tha se Presidenti Begaj kishte një agjendë të caktuar para marrjes së ftesës.

Reagimi i plotë i Ramës:

Këtu është përgjigja ime për të gjithë ata, në Greqi, Shqipëri apo gjetkë, që komentuan në mënyra të ndryshme ose u hutuan nga mungesa ime në Athinë, por edhe për gazetarët që kërkuan mendimin tim dhe nuk morën përgjigje para ngjarjes. Arsyeja është e thjeshtë: nuk doja të shqetësoja mikpritësin dhe të ftuarit e tij, duke e shtuar zhurmën para se miqtë e mi të mirë të mbledhur në Athinë të përfundonin punën e tyre.

Jam i lumtur që Kyriakos mori iniciativën për të thyer bukën me liderët shumë të rëndësishëm dhe për të diskutuar të ardhmen evropiane të Ballkanit në sfondin e agresionit rus. Rajoni ka nevojë që Greqia të përfshihet më shumë në rrugën tonë të përbashkët. Unë i kam thënë gjithmonë atij apo miqve të tjerë grekë, duke e thënë publikisht në disa raste, se sinqerisht besoj se vendi i tyre ka një rol të natyrshëm për të luajtur në Ballkan duke pasur parasysh profilin dhe përvojën e tij në BE.

Shpresoj shumë që takimi të ishte produktiv dhe sigurisht, më mirë të mos kisha parë darkën e përdorur për t’i dërguar Shqipërisë një mesazh kontradiktor përballë qëllimit shumë më ambicioz të nismës dhe shpresoj që ky fakt fatkeq të mos i ngatërrojë mysafirët e nderuar.

Për sa më përket mua, të flasësh, të komunikosh, të debatosh me miqtë, aleatët, partnerët dhe fqinjët, para së gjithash, është thelbi i politikës ndërkombëtare dhe të përpiqesh, gjithmonë të përpiqesh, të vendosësh veten në vendin e tjetrit është një domosdoshmëri. Aq më tepër kur gjërat duket se shkojnë keq.

Në tetor Shqipëria do të kryesojë Samitin e Procesit të Berlinit të këtij viti në Tiranë. Natyrisht, miku im i dashur dhe kolegu shumë i respektuar në Athinë ka qenë i ftuar të marrë pjesë dhe nuk mund ta imagjinoja kurrë të përgjigjesha nën zë, duke ftuar në vend të tij Presidentin grek, për të cilin kam edhe respektin më të madh.

Unë e kuptoj presionin e palëve të treta, të etur për të shfrytëzuar çdo rast për të bërë një mal nga një kodër. Por ne të gjithë kemi sfida shumë më të mëdha përpara, ka male të vërteta për t’u ngjitur.

Ajo që duhet të na bashkojë në kohë të tilla të trazuara për hir të popullit tonë, vendeve tona, rajonit tonë, Evropës tonë është më e madhe se ajo që na ndan. Shumë është në rrezik global, që ne të bëhemi peng i politikës së brendshme fisnore.

(r.m.)