Rama, në NjuJork: “Heronj ishin shqiptarët që i shpëtuan hebrenjtë nga vdekja”

Nju Jork, 7 dhjetor 2021 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u nderua me çmimin e organizatës “Vital Voice Global”  të themeluar nga ish-sekretarja e shtetit, Hilari Klinton, për ndihmën që ka dhënë për refugjatët nga Afganistani.

Në ceremoninë e dorëzimit të çmimit, në Nju Jork, zonja Clinton tha se i ka për përshtypje gatishmëria e kryeministrit Rama për të thënë “po” për strehimin e shtetasve afganë në Shqipëri.

“Kryeministri Rama kuptoi thuajse instinktivisht sa e rëndësishme ishte të shtrinte dorën, të thoshte ‘po’. Kështu, së bashku me Vital Voices, Institutin e Xhorxhtaunit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Gratë për Gratë dhe Nina’s List dhe shumë të tjerë, Kryeministri Rama ua hapi dyert e Shqipërisë njerëzve nga Afganistani e, kryesisht, grave në nevojë, dhe, falë udhëheqjes së tij dhe përpjekjeve të qeverisë shqiptare, më shumë se 1. 000 afganë të evakuar janë të sigurt në Shqipëri”, tha Clinton.

“Kur e mora në telefon kryeministrin për ta falënderuar për këtë angazhim të jashtëzakonshëm, ai u përgjigj shumë natyrshëm: ‘Po çfarë tjetër duhet të kishim bërë?’. Do doja të kishte më shumë udhëheqës me këtë lloj qasjeje”, theksoi ajo.

Zonja Clinton e vlerësoi kryeministrin shqiptar edhe për përfshirjen e grave në kabinetin e tij qeveritar.

“Pas rizgjedhjes së tij, në shtator, Kryeministri Rama shënoi një rekord historik, duke emëruar numrin më të madh të grave në qeverinë e Shqipërisë ndonjëherë”, theksoi ajo.

“Në një kohë kur në mbarë globin tonë të drejtat dhe siguria e grave janë në momente të vështira, angazhimi i Kryeministrit Rama për të çuar përpara mirëqenien, mundësitë e grave në Shqipëri”,  theksoi ajo.

Ndërkaq, Rama tha se ai nuk ka bërë  kurrfarë heroizmi që të nderohej me këtë çmim dhe theksoi se heronj ishin shqiptarët që gjatë Luftës së Dytë Botërore shpëtuan nga vdekja hebrenjtë.

“Nuk është kurrëfarë heroizmi të mos u kthesh kurrizin njerëzve që rrezikojnë të vdesin. E meqë po flasim për heronj, dua ta vë diskutimin në kornizën e duhur, duke ju thënë se heronjtë ishin të tjerë. Heronj ishin shqiptarët që kishin gjithçka për të humbur gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe i shpëtuan hebrenjtë, duke e bërë Shqipërinë vendin e vetëm në Europë që kishte më shumë hebrenj në fund të Luftës së Dytë Botërore se sa në nisje të saj dhe duke e radhitur Shqipërinë tek të drejtët mes kombeve, përmes shpëtimit të 3750 hebrenjve dhe mbylljes së kapitullit të Luftës pa asnjë hebre të dorëzuar te nazistët”, u shpreh ai.

Rama tha se ai  është ndjerë i nderuar kur zonja Clinton e kishte thirrur në telefon për t’i kërkuar strehimin e afganëve në Shqipëri.  Ai theksoi se familja Clinton gëzon respekt të madh te shqiptarët sepsekjo familje ndihmoi çlirimin e Kosovës.

“… ishte nder shumë i madh, sepse, duhet ta dini që, nëse quhesh Klinton, në Shqipëri apo mes shqiptarëve, kjo është diçka shumë speciale, që lidhet me çlirimin e gjysmës së kombit tonë, Kosovës”, tha Rama.

Ai tha gjithashtu se Shqipërisë i takonte të ndihmonte afganët që e kanë ndihmuar NATO-n, sepse ajo ka obligime ndaj Aleancës.

Kryeministri i Shqipërisë foli edhe për numrin e madh të grave në kabinetin  e tij qeveritar, Ai ta se këtë e  ka bërë duke e respektuar një këshillë të kryeministres së ndjerë britanike, Margaret Thaçer, e cila kishte vlerësim të lartë për gratë.

“Ndërsa për gratë në qeveri, kjo është shumë e thjeshtë. Nuk kam pse marr lëvdata për këtë. E kam bërë duke e ndjekur në njëfarë mënyre këshillën e zonjës së hekur, Margaret Theçer. Ajo thoshte: ’Nëse do që diçka të thuhet, kërkoja një burri, nëse do që diçka të bëhet, kërkoja një gruaje’”, u shpreh Rama.

Fjala e plotë e zonjës Hillary Clinton:

Mirëmbrëma!

Çfarë mbrëmjeje e jashtëzakonshme dhe frymëzuese solidariteti. Më kujtohet gjithë ato vite më parë kur filluam Vital Voices, kur shpresonim se do të bëhej rrjeti global që është sot dhe është kaq përmbushëse të dëgjosh historitë e njerëzve që nderohen sot. Billi, Roberto, Xhejms dhe Den, ju falënderoj secilin prej jush për atë që bëni, për udhëheqjen që ofroni ndërkohë që vazhdojmë të sigurohemi që zëri i çdo gruaje e vajze të të vlejë.

Gjatë muajve të fundit, jemi përballur me përvojën e pabesueshme të kthimit në Afganistan të një grupi burrash, të cilët duan ta kthejnë orën mbrapa për gratë dhe rolin e të drejtat e grave.

Do të doja që ata të ishin njerëzit e vetëm sot në botë që duan të kthejnë kohën pas. Për fat të keq, ka shumë prej tyre, që janë jo vetëm pengesë për përparimin, por, më keq se kaq, janë instrumente të përpjekjes për të zhbërë përparimin e bërë. Ja pse na duhen më shumë se kurrë udhëheqës, aktivistë dhe, veçanërisht, duke iu përmbajtur temës së sotme, burra, burra të mirë Xhejms, burra të mirë që ngrihen, flasin dhe mbështetin të drejtat dhe rolet e grave.

Kësisoj, është një nder dhe kënaqësi e veçantë për mua t’ju prezantoj dikë të cilin e admiroj, të cilin kam patur privilegjin ta njoh, karrierën e të cilit e kam ndjekur me interes dhe admirim të madh, udhëheqja e të cilit është simbol i një misioni të përbashkët, atë të ngritjes së grave dhe vajzave.

Tani, mjaft udhëheqës ndërkombëtarë nuk ishin të gatshëm të bënin shumë. Edhe kur iu kërkua, gjithnjë në rastin kur u përgjigjën pozitivisht, angazhimet që morën ishin shumë të vogla. Megjithatë, pati një numër të vogël – dhe, për fat të keq, kaq janë, një dorë e vogël – udhëheqësish, që u shprehën të gatshëm në një kohë nevoje të madhe. Në krye të kësaj liste është Kryeministri Edi Rama.

Kryeministri Rama kuptoi thuajse instinktivisht sa e rëndësishme ishte të shtrinte dorën, të thoshte “po”. Kështu, së bashku me Vital Voices, Institutin e Xhorxhtaunit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Gratë për Gratë dhe Nina’s List dhe shumë të tjerë, Kryeministri Rama u hapi dyert e Shqipërisë njerëzve nga Afganistani e, kryesisht, grave në nevojë dhe, falë udhëheqjes së tij dhe përpjekjeve të qeverisë shqiptare, më shumë sesa 1 000 të evakuuar afganë janë të sigurt në Shqipëri.

Kur e mora në telefon kryeministrin për ta falënderuar për këtë angazhim të jashtëzakonshëm, ai u përgjigj shumë natyrshëm “po çfarë tjetër duhet të kishim bërë”. Do doja të kishte më shumë udhëheqës me këtë lloj qasjeje.

Por kjo nuk është e vetmja arsye që ai nderohet sonte.

Pas rizgjedhjes së tij, në shtator, Kryeministri Rama shënoi një rekord historik duke emëruar numrin më të madh të grave në qeverinë e Shqipërisë ndonjëherë.

Mbi 70 për qind e ministrave të kabinetit të tij qeveritar janë gra dhe disa prej tyre gjenden këtu këtë mbrëmje – partnere të barabarta në përpjekjen për të formësuar vendin të cilit i shërbejnë.

Ai vazhdon ta vendosë barazinë gjinore në qendër të agjendës së qeverisë së tij dhe të ngrejë zërin kundër dhunës gjinore dhe krah forcimit të pjesëmarrjes ekonomike të gruas shqiptare.

Në një kohë kur në mbarë globin tonë të drejtat dhe siguria e grave janë në momente të vështira, angazhimi i Kryeministrit Rama për të çuar përpara mirëqenien, mundësitë në Shqipëri dhe për afganët e të tjerët duhet të na frymëzojë të gjithëve për të vepruar. Kësisoj, në emër të Vital Voices, kam nderin e madh t’ia jap Çmimin “Pionieri Global” Kryeministrit Edi Rama.

Fjala e plotë e Ramës:

Përpara se të them ato që duhet të them, dua t’ju tregoj se sipas ‘Vital Voice’ në familjen time, gruas sime, Linda, modestia nuk është pika ime e fortë. Kështu që kur më dëgjoni që ju them se ndihem jo vetëm i përulur, por edhe i sekëlldisur për këtë nderim të jashtëzakonshëm që më bëhet, e mendoj kështu vërtetë, sepse më duket një shenjë mjaft alarmuese për botën në të cilën jetojmë, kjo dëshirë e madhe për të vlerësuar një gjykim bazik të arsyeshëm.

Përpara se të mbërrinte Sekretarja Klinton, “hija” që e ndjek pas, hije fort e bukur, me që ra fjala – Huma Abedin, më takoi dhe më tha “ti je hero”. Sigurisht të vjen mirë të dëgjosh fjalë të tilla nga një grua aq e mrekullueshme, por unë nuk jam hero. Nuk është kurrëfarë heroizmi të mos u kthesh kurrizin njerëzve që rrezikojnë të vdesin. E meqë po flasim për heronj, dua ta vë diskutimin në kornizën e duhur, duke ju thënë se heronjtë ishin të tjerë. Heronj ishin shqiptarët që kishin gjithçka për të humbur gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe shpëtuan hebrenjtë, duke e bërë Shqipërinë vendin e vetëm në Europë që kishte më shumë hebrenj në fund të Luftës së Dytë Botërore sesa në nisje të saj dhe duke e radhitur Shqipërinë tek të drejtët mes kombeve, përmes shpëtimit të 3750 hebrenjve dhe mbylljes së kapitullit të Luftës pa asnjë hebre të dorëzuar te nazistët. Pati shumë heronj ajo kohë. Njëri prej tyre quhej Mustafa Rezniqi i cili është nderuar po ashtu nga shteti i Izraelit si i drejtë mes kombeve. Ai shpëtoi 42 familje hebreje, por veprimtaria e tij e fshehjes së hebrenjve në fshatra të ndryshme përreth vendbanimit të tij, u spiunua tek nazistët dhe kur ata shkuan tek ai e i kërkuan të dorëzonte hebrenjtë, ai u dorëzoi dy djemtë e tij, të cilët përfunduan në Mathausen. Por nuk i dorëzoi hebrenjtë!

Ka shumë histori si kjo, po e gjitha vjen nga shumë kohë më parë, kur shqiptarët shkruan Kushtetutën e tyre të parë. Paragrafi kyç i Kushtetutës sonë të parë thotë: “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”. Nënvizoj, fjala “mik” në atë paragraf nuk nënkupton vetëm atë që e fton, por edhe të që të troket e shfaqet në derë i paftuar dhe ajo trokitje është detyrimi që ke ndaj Zotit për t’ia hapur derën e për t’iu gjendur atij që troket.

Kur ishim mbledhur në qershor në një takim të vendeve anëtare të NATO-s dhe po flitej për tërheqjen nga Afganistani, unë e përmenda edhe nevojën për t’u marrë me çështjen e “tradhtarëve”. “Tradhtarë”, siç na mëson historia jonë mjaft e hidhur e diktaturës, janë ata që pasi instalohet një regjim shikohen si bashkëpunëtorë të armikut dhe, në këtë rast, “tradhtarët” ishin të gjithë ata afganë, burra e gra, që na u gjendën ne, që punuan me ne, që mbuluan kaq shumë shërbime për vendet e NATO-s. Gjithashtu ishin ata që u rreshtuan në vijën e parë të ndryshimit, pasi besuan në ato që u thamë ne, që ishim aty për ta bërë një vend ndryshe Afganistanin. Ata na besuan, u rreshtuan krah nesh dhe befas, pas njëzet vjetësh, ne ikëm. Sigurisht, ky nuk ishte vendimi im. Unë e them përherë se të jesh Kryeministri i Shqipërisë në NATO është punë goxha e lehtë, sepse nuk të takon ty t’i marrësh vendimet. Por, gjithësesi, m’u duk mjaft e çuditshme që askujt nuk po i shkonte mendja tek këta njerëz. Më pas, në gusht, kur situata nisi të vështirësohej, dikush erdhi në Shqipëri e më tha: “Sekretares Klinton i duhet ndihma jote”. Ia ktheva: “Si është e mundur? As në ëndërr s’e kam parë!” “E kam seriozisht!”, vazhdoi ai. Pastaj, ai, se ishte një “ai”, meqë ra fjala, më tregon për “Vital Voice” e gjithë të tjerat dhe unë i them: “Në rregull, eja ta bëjmë”. “Si?”, thotë. “Ta bëjmë, t’i marrim këto gra”. Më thotë: “A do që të të marrë në telefon Sekretarja Klinton?”. “Jo, i them.  eja ta bëjmë, pastaj, nëse do të kujtohet më për këtë, le të më marrë në telefon”, E di, meqë ra llafi, se është shumë amerikane. Janë të paparë kur vjen puna për të të joshur e pastaj, kur mbarojnë punë, të thonë: “Më fal kush je?”.

Megjithatë, nuk ishte ky rasti dhe ajo më telefonoi. Kur të gjitha gratë në listë ishin shpëtuar e vendosur në Shqipëri, më telefonoi dhe, sigurisht, ishte nder shumë i madh, sepse, duhet ta dini që nëse quhesh Klinton, në Shqipëri apo mes shqiptarëve, kjo është diçka shumë speciale, që lidhet me çlirimin e gjysmës së kombit tonë, Kosovës. Dhe, meqë ra fjala, është i vetmi vend mbi këtë tokë, ku sot ka njerëz, djem, që e kanë emrin Klinton, emrin, jo mbiemrin. Madje, ka edhe djem që quhen Bill Klinton. Kështu e kanë thjesht emrin po, si të themi, Bill Klinton Rama. Dhe të gjithë këta djem që sot janë rritur ishin bebe të sapolindura në kohën kur falë Presidentit Klinton, Zonjës së Parë dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara asokohe, ai popull u çlirua nga një regjim, i cili u përpoq ta spastronte etnikisht të gjithin.

E pra, thelbi është që ne e bëmë këtë sepse mendoj se edhe si vend anëtar i NATO-s, po ashtu, na takonte ta bënim. Ne jemi një vend i vogël, nuk mund të ndryshojmë fatet e asnjë lufte dhe shkojmë në luftë kur e vendosin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por ama nëse nuk gjendemi as kur bëhet fjalë për të shpëtuar njerëz, pa bërë sidoqoftë akte heroike si ato që gratë e burrat e vjetër përpara nesh që bënë gjatë Luftës së Dytë Botërore, pse duhet të jemi anëtarë të NATO-s dhe, fundja, ç’vlerë keminë këtë botë?!

Nga ana tjetër, ne ishim afganët e 30 vjetëve më parë, kur na u desh t’i shpëtonim një regjimi mizor, i cili nuk ishte fondamentalist islamik, po ishte fondamentalist ateist. Shqipëria ishte vendi i vetëm në botë që e kishte të shkruar në Kushtetutë se ishte një republikë ateiste dhe, njësoj si talebanët, ata hodhën në erë me dinamit, jo statujat e Budës, por 2453 kisha e xhami dhe i dogjën rrugëve 300.000 vepra arti fetar dhe libra të shenjtë. Ishim Koreja e Veriut e Evropës dhe ne afganët që largoheshim nga vendi me anije.

Kur m’u desh të bëja publik vendimin për të pritur afganët, postova një foto të afganëve në avion, në atë avionin e çmendur që iku nga Kabuli ding me njerëz, dhe të shqiptarëve në anije 30 vjet më parë. E njëjta pamje, të njëjtët njerëz, vetëm kombe të ndryshme, në mjete lëvizëse të ndryshme. Jam shumë krenar t’ju them se asnjë parti politike shqiptare nuk i tha “jo” pritjes së këtyre njerëzve dhe opinioni ynë publik ishte shumë në mbështetje të mikpritjes së tyre.

Por, po ashtu, mendoj se duhej ta bënim edhe si detyrim ndaj fëmijëve tanë. Ata duhet ta dinë se në këtë jetë ka një kohë kur merr dhe ka një kohë kur jep. Atëherë ishim ne që morëm, tani ishte radha jonë të japim.

Ndërsa për gratë në qeveri, kjo është shumë e thjeshtë. Nuk kam pse marr lëvdata për këtë. E kam bërë duke e ndjekur në njëfarë mënyre këshillën e zonjës së hekur, Margaret Theçer. Ajo thoshte: “Nëse do që diçka të thuhet, kërkoja një burri, nëse do që diçka të bëhet, kërkoja një gruaje”. Tani, çështja është që ajo vetë nuk e zgjodhi asnjë grua në qeverinë e saj. Ndoshta sepse ishte vetë aty sa për çdo grua tjetër … Mua nuk më dilte hesapi. Ashtu-kështu që m’u desh të zgjidhja shumë gra, për të bërë punën dhe jo sepse jam i veçantë. Unë, thjesht, e di nga përvoja, që nëse do muhabet për diçka, burrat janë gati dhe mund të flasin e të flasin pa mbarim. Po nëse do që të kryesh punë, mos humb kohë me burrat. Kjo është këshilla ime modeste.

(r.m.)