Tiranë, 27 prill 2022 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbajtur një konferencë për gazetarë pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste ku është diskutuar për procesin e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm të vendit.
Ndfër të tjera, Rama është pyetur edhe nëse do të ishte e mundur të zgjidhej një president i përbashkët me Kosovë.
Ai ka thënë se Hashim Thaçin do të propozohej dhe votohej me bindje, por kjo nuk është e mundur për shkak se ish-presidenti i Kosovës “për momentin nuk është qytetar i lirë.
“Kushtetuta jonë ka parashikuar që president nuk mund të zgjidhet dikush që në 10 vitet e fundit nuk jeton në Shqipëri. Ne do e kishim vënë Hashim Thaçin president. Do ishte president i shkëlqyer, për Shqipërinë dhe Kosovën. Por, fatkeqësisht, për momentin, ai nuk është qytetar i lirë, pasi ndaj tij po zhvillohet një proces. Mos më bëni të them se çfarë procesi është”, ka thënë Rama, citon Panorama.
Rama e ka përjashtuar mundësinë që përzgjedhjen e presidentit të ardhshëm të vendit të konsultohet me ish-kryeministrin Sali Berisha, të cilin e ka quajtur “përfaqësues të botës së përtejme”, politikisht.
“E kam thënë dhe e përsëris që është shumë e qartë vija e kuqe për ne. Ne nuk bëjmë asnjë negociatë dhe nuk kemi asnjë komunikim për të ardhmen me atë që në funksion të politikës është përfaqësues i botës së përtejme”, është shprehur Rama.
“Me botën e përtejme, PS nuk ka asnjë lidhje dhe as nuk negocion, as komunikon. As nuk bën asgjë. Sa herë na jepet mundësia do t’u themi atyre se gjallimi i tij fizik është diçka tjetër dhe gjallesa politike është tjetër. Nuk është koha për ta turpëruar Shqipërinë në këtë farë feje. Ata janë pakicë që do vazhdojnë të rrudhen, nëse i shkojnë mbrapa botës së përtejme”, ka shtuar ai
(r.m.)