Rama “kërcënon” kurs të ndryshëm për në BE, Michel kërkon hapjen e negociatave

Konferenca e plotë për gazetarë e kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit të Këshillit Europian, Charles Michel në Tiranë

Knid Ndrenika

Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel tha se Shqipërisë duhet t’i hapen negociatat për antarësim me besimin përpara fundqershorit pasi i ka përmbushur të gjitha kushtet.

Zoti Michel foli në konferencë për gazetarë me kryeministrin Edi Rama pas takimit mes tyre dhe mes delegacioneve në Tiranë.

Ai tha se “pozita e kryeministrit është plotësisht e arsyeshme dhe e përligjur”, duke iu referuar qëndrimeve të zotit Rama.

“Është e përligjur që në Shqipëri të ketë padurim për të kaluar këtë pengesë dhe për të filluar këtë negociatë sa më shpejt. Unë jam një partner dhe një mik i angazhuar për të zgjidhur vështirësitë me të cilat jemi konfrontuar. Pas disa javësh do kemi një mbledhje të presidencës franceze”-tha ai.

Ndërkaq, zoti Rama kërcënoi se Shqipëria do të ndryshojë kursin për eurointegrimin nëse Brukseli nuk ia hap negociatatat për shkak të vetos bullgare ndaj verimaqedonasve.

“Ne nuk kërkojmë të ndahemi nga Maqedonia e Veriut për sa kohë ka akoma hapësirë të mendohet se Bullgaria mund të hapë rrugën. Bëmë dhe një konsultim kombëtar ku përfshimë qytetarët e vendit për të dhënë opinion dhe ishin thuajse gjysmë milioni shqiptarë që u shprehën që nëse edhe me përmbylljen e Presidencës franceze kjo çështje nuk do të mbyllej, atëherë ne jemi në të drejtën tonë që të dalim nga rrezja e konfliktit që Bullgaria ka hapur me RMV dhe do t’i drejtohemi patjetër të gjithëve”-tha zoti Rama.

Ai megjithatë shtoi se “ky do jetë qëndrimi ynë, por deri në fund kur të bëhet mbledhja e Këshillit Europian, qëndrimi ynë është që të hapen negociatat për të dyja vendet”.

Konferencë e Përbashkët për shtyp:

Kryeministri Edi Rama mikpriti sot Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, i cili ndodhet në Tiranë, në kuadër të vizitës së tij në vendet e Ballkanit Perëndimor. Pas ceremonisë zyrtare, Kryeministri zhvilloi një takim kokë më kokë me Presidentin Michel, i cili u pasua nga takimi mes dy delegacioneve.

Bashkëpunimi i Shqipërisë me BE, avancimi në progresin e integrimit europian, ecuria e reformave, si dhe sfidat serioze të sigurisë me të cilat po përballet bota, si pasojë e agresionit rus në Ukrainë ishin në fokus të bisedimeve.

Në përfundim të takimit, Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp:

 

Kryeministri Edi Rama: Përsëri, në një kohë relativisht të shkurtër, Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel rikthehet në Tiranë.

E nënvizova fjalën përsëri sepse është shumë e rëndësishme që për një moment të bëjmë dallimin mes periudhës së deri pak viteve më parë dhe periudhës më pas në raport me vizitat, por jo vetëm por dhe me intensitetin e komunikimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, gjë që besoj, tregon se përtej vështirësive të procesit, përtej aspekteve të mirënjohura të formalizimit të hapave të mëtejshëm për t’u hedhur, jemi në një nivel krejt tjetër të bashkëjetesës në situatën politike europiane, si rezultat edhe i një vullneti, gjithmonë e më të shprehur, nga ana e Bashkimit Europian, nga ana e autoriteteve në Bruksel për ta afruar më shumë Ballkanin Perëndimor drejt Bashkimit Europian.

Natyrisht që, nuk besoj se, ose më saktë, jam i bindur që shqiptarëve asnjëherë nuk do i duket e tepërt, por shpresoj të mos i duket e tepërt Presidentit të Këshillit Europian përsëritja e shprehjes së mirënjohjes për mbështetjen e Bashkimit Europian në momentet më të vështira, që nga momenti pas tërmetit tek periudha e pandemisë sepse janë momente, të cilat kanë shënuar pika shumë të rëndësishme në forcimin e marrëdhënieve mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë dhe anasjelltas.

Nga ana tjetër, dëshiroj të theksoj se ne ndjehemi shumë krenarë që jemi pjesë njëkohësisht e frontit të përbashkët që sot është më shumë sesa asnjëherë tjetër qartësisht një front i të mirës kundër të keqes, duke pasur parasysh konfliktin luftarak në Ukrainë.

Folëm me presidentin Michel për situatën e përgjithshme dhe për angazhimet, por edhe për sfidat, në raport me luftën në Ukrainë. Folëm patjetër dhe besoj se ai do të komunikojë vetë më në detaje për procesin në vigjilje të Këshillit Europian ku dihet, Shqipëria së bashku me Maqedoninë e Veriut janë në agjendë për t’u shqyrtuar çështja e çeljes formaleve të bisedimeve për anëtarësim, folëm për ecurinë e marrëdhënieve rajonale, për Ballkanin e Hapur, për të gjithë sfidat e brendshme të rajonit dhe sigurisht folëm për reformat në vendin tonë, duke filluar nga Reforma në Drejtësi e cila tanimë po jep frutet domethënëse. Të gjithë e ndoqën dje operacionin shumë domethënës të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Shtetit për të goditur një rrjet kriminal dhe për t’i dhënë, ndoshta, goditjen më të rëndësishme, përsa i përket thellësisë së saj, krimit të organizuar në të tëra vitet e kësaj lufte që vazhdon, ashtu sikundër edhe shembuj kuptimplotë të vënies përpara drejtësisë të individëve, pavarësisht lidhjeve, pavarësisht përkatësive të tyre politike që tregojnë qartë se, jo vetëm jemi në rrugën e duhur, por se kemi hedhur hapa domethënës edhe në krahasim me vendet që prej kohësh i kanë çelur negociatat.

Nuk po zgjatem më tutje dhe po i kaloj fjalën presidentit të Këshillit Europian, duke e falënderuar edhe njëherë përzemërsisht bashkë me ekipin e tij për rikthimin në  kryeqytetin tonë dhe duke e falënderuar po ashtu publikisht, jo thjeshtë për mbështetjen e vazhdueshme që ai i ka dhënë qysh ditën e parë në krye të kësaj detyre integrimit të plotë të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, por për një sens shumë të prekshëm kujdesi në raport me këtë rajon, ku bën pjesë dhe Shqipëria dhe patjetër dhe për sensin e respektit dhe gatishmërisë për të ndihmuar në çdo hap vendin tonë.

Faleminderit miku im dhe fjala është për ju! 

 

Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel: Faleminderit i nderuar zoti Kryeministër, faleminderit zoti Edi Rama për mikpritjen e ngrohtë dhe është kënaqësi që rikthehem në Shqipëri. Që prej vizitës sime të shkuar, në fillim të vitit 2020, shumë gjëra kanë ndryshuar, Covidi, natyrisht lufta me Ukrainën, por një gjë nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë kurrë dhe ky është angazhimi ynë i plotë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Dhe ky është një moment kyç që ne të takohemi sot me ju, me aleatë të vërtetë, me një mik të vërtetë sepse ndërkohë që ne flasim, Rusia vazhdon të sulmojë Ukrainën dhe ne vazhdojmë që të ruajmë dhe të rrisim presionin ekonomik si edhe mundësinë që ka Rusia që të financojë luftën që Europa dhe aleatët e vetë kanë qëndruar së bashku në mbështetje të Ukrainës. E dëshiroj t’ju falënderoj juve zoti Kryeministër për mbështetjen e fortë të Shqipërisë të vendosur dhe faleminderit për punën tuaj që keni bërë në arenën globale dhe në veçanti sivjet si anëtar i Këshillit të Sigurimit.

Ju keni qenë një partner i besueshëm dhe një mik e aleat i vërtetë për ne. Po ashtu, sa i përket ne diskutuam edhe marrëdhënien ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë pra, Shqipëria është pjesë e familjes europiane dhe mbetet partneri më kryesor për Shqipërinë dhe financuesi më i madh. 

Ne duhet të japim energji të reja procesit të integrimit sepse këto sfida na bëjnë që të mendojmë dhe të kalojmë përtej atyre modeleve tradicionale, me mënyra të reja për të menduar, me mënyra novative për të krijuar stimuj të rinj për reforma që të përshpejtohen dhe të përshpejtohet procesi i integrimit europian dhe ne po punojmë që të japim rezultate të prekshme për gjithë shqiptarët dhe për të gjithë partnerët tanë në rajon. Kjo do të thotë që ne po bëjmë përshpejtimin e integrimit tashmë dhe të mos presim derisa të plotësohen tërësisht negociatat për anëtarësim në qershor dhe ju e përmendët, ne do të kemi një takim të 27 udhëheqësve të Bashkimit Europian, me ju dhe me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor.

Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet për çeljen e negociatave për anëtarësim dhe bisedat për anëtarësim duhet të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur.

 Sot, më pas unë do të shkoj dhe në muzeun tuaj historik kombëtar dhe do të shikoj punën që po vijon te Mozaiku. Restaurimi i Mozaikut është një simbol i fuqishëm i trashëgimisë së fortë e të madhe të Shqipërisë dhe pas tërmetit që ju e përmendët, ne ju thamë që ju mund të mbështeteni te ne për t’ju mbështetur më tej dhe ne po vijojmë punën tonë më shumë se kurrë. Bashkimi Europian arriti të mblidhte gjithë ato fonde si kurrë më parë për infrastrukturën dhe ju të jeni të sigurt që do të mund të vazhdoni të mbështeteni te ne.

Faleminderit i dashur Edi për mikpritjen e ngrohtë, faleminderit edhe njëherë për partneritetin dhe miqësinë tonë kaq të ngushtë dhe faleminderit sepse javët në vijim do të jenë kyçe. Shpresoj që ne së bashku të marrim vendimet e duhura, vendimet e drejta që duhen për të ardhmen e Shqipërisë dhe për të ardhmen tonë të përbashkët. Faleminderit!

 

– Ju propozoni një mekanizëm të ri, jo për anëtarësimin e vendeve si Shqipëria apo vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, por që i mban afër këto vende me Bashkimin Europian. Pse harxhohen kaq shumë energji për të gjetur mekanizma të rinj, metodologji të reja, e nuk investohen këto energji, pikërisht për t’i dhënë më shumë shtysë e në qershor siç e thatë ju, shpresoni por ende nuk e dimë, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të marrin një datë për konferencën ndërqeveritare.

Pse vazhdon të mbahet peng Shqipëria nga Maqedonia e Veriut apo si disa vite më parë, Maqedonia e Veriut u mbajt peng nga Shqipëria, pse nuk gjendet një mekanizëm që në Këshillin Europian të ketë një mënyrë që çdo vend të vlerësohet për arritjet e tij e të mos mbahet peng, për shembull i Bullgarisë, për interesa krejtësisht të politikës së brendshme?

 

Presidenti i KE, Charles Michel: Faleminderit! Keni të drejtë. Kjo është arsyeja se pse e thashë që në fillim dhe dëshiroj të ritheksoj faktin që objektivi kryesor që kam unë e që duhet të kemi është që t’i japim energji të reja procesit të integrimit në BE e prandaj është e rëndësishme që të ketë ecuri, që të zgjidhen vështirësitë apo mosmarrëveshjet, që të fillohen bisedat për anëtarësim sa më shpejt të jetë e mundur. Këtë gjë e kam thënë.

Natyrisht që unë nuk jam 100% i sigurt që ne të gjithë sëbashku, 27 shtetet anëtare duhet të marrim një vendim të përbashkët por unë kam vendosur që kjo çështje, e mënyrës se si ne po punojmë me miqtë tanë, ta vëmë në tryezë, ta diskutojmë në takimin e Këshillit Europian në qershor dhe prandaj them që unë mora dhe iniciativën që të ftoj miqtë tanë nga Ballkani Perëndimor që të marrin pjesë në takimin e qershorit. Mund të mbështeteni tek unë, tek shumë miq të tjerë të Shqipërisë që të bëjmë çdo gjë që është e mundur për të tejkaluar këto sfida, këto probleme, që sa më shpejt që të jetë e mundur, ne të fillojmë negociatat. Kjo është një gjë.

Nga ana tjetër, është skajshmërish e rëndësishme që ne të mos presim për vendimin përfundimtar për anëtarësimin por që të kemi një platformë politike dhe kjo mungon. Ju duhet të keni rastin që rregullisht, ne nivel udhëheqësish, në nivel ministrash të bashkërendoni, të bashkëpunoni që të shikojmë se si mund të trajtojmë këto sfida që duhen trajtuar nga të gjithë ne sëbashku prandaj ne mendojmë që është gjë e mirë që të bisedojmë me miqtë tanë për këtë koncept, për këtë ide, jo që ne të gjejmë, përshembull një justifikim tjetër, jo që të shtyjmë këtë gjë, por përkundrazi, që t’i japim një shtysë më të madhe politike bashkëpunimi e bashkërendimi të punës dhe ne jemi të frymëzuar nga miqtë tanë.

Dua t’ju tregoj një sekret. Përpara disa muajsh ne ishim të gjithë bashkë, Kryeministri dhe unë në Suedi, për një aktivitet shumë të rëndësishëm dhe shkëmbyem ide me njëri tjetrin dhe e bëjmë rregullisht këtë gjë dhe kryeministri më tha që sa e rëndësishme është që të përfshijmë dhe në nivel politik udhëheqësit, të gjithë, në mënyrë që t’i kemi sëbashku me 27 udhëheqësit e BE-së dhe unë e ndaj këtë mendim me të. Prandaj kjo është pjesë e asaj që po bëjmë që të zbatojmë pikërisht këtë lloj qasje, në mënyrë të menjëhershme, pa pritur aspak për një vendim përfundimtar për anëtarësimin në BE.

Një gjë tjetër shumë e rëndësishme, ju e dini dhe e kemi diskutuar dhe me kryeministrin sot, një ide që është shumë pranë e këtij koncepti që ne dëshirojmë të fillojmë sa më shpejt të jetë e mundur, e anëtarëve të asociuar. Pra ky është një objektiv i përafërt që ne dëshirojmë të kemi formatet e duhura, në mënyrë që të bashkëpunojmë me njëri – tjetrin, të njihemi më mirë me njëri-tjetrin, të kuptojmë gjithçka më mirë, të kuptojmë cilat janë mundësitë, vështirësitë e se si mund të kujdesemi për njëri tjetrin e kjo gjë më pëlqen. Pra ajo që u tha, të kujdesemi për njëri tjetrin, të jemi shumë konkret dhe operacional. Nuk dua të flas pa fund, por meqë ra fjala, unë e ritheksova mbështetjen time personale e të plotë për këto iniciativa dhe iniciativa e Ballkanit është një ide e rëndësishme për të bashkëpunuar me njëri tjetrin dhe që edhe ju sëbashku të kaloni gjithë ato sfida.

Kryeministri Edi Rama: Është një pyetje me shumë rëndësi dhe është me shumë rëndësi që të jepet përgjigja e plotë, pa lënë që të zërë vend ideja që këtu kemi të bëjmë me një shmangie, përkundrazi. Prej disa kohësh unë e kam diskutuar këtë, qoftë me Presidentin e Këshillit Europian, meqë ai e përmendi vetë këtë fakt, në diskutime të brendshme, qoftë me Presidentin e Francës, qoftë me Kancelaren më parë, me Kancelarin e ri dhe kështu me radhë në të gjitha kontaktet, nevojën që Bashkimi Europian të kapërcejë këtë fazë kur e gjithë marrëdhënia jonë me Bashkimin Europian si Shqipëri apo si vende të Ballkanit Perëndimor, është një marrëdhënie që kalon vetëm përmes procesit të integrimit europian, të kapitujve, e kështu me radhë e të hedhë një hap më tutje për ta afruar politikisht shumë më pranë Ballkanin Perëndimor. Natyrisht pastaj teknikalitetet janë një çështje tjetër, por flasim në parim, duke bërë një integrim të menjëhershëm në aspektin politik, që do të thotë në aspektin e pjesëmarrjes së vendeve tona në tryezat europiane, në aspektin e pjesëmarrjes së vendeve tona, në proceset e përgatitjeve të vendimmarrjeve që lidhen me sigurinë, që lidhen me përballimin e krizave që na prekin bashkërisht, në mënyrë që të bashkëjetojmë si një komunitet i njëjtë, e natyrisht brenda këtij komuniteti vendet kanë edhe detyrimet e tyre.

Nëse vendet e Bashkimit Europian kanë një numër të caktuar detyrimesh si anëtarë të plotë të Bashkimit Europian, ne kemi të tjera detyrime sepse nuk jemi ende anëtarë të plotë dhe ideja e anëtarit të asociuar të Bashkimit Europian, është një ide e cila po merr më shumë mbështetje. Natyrisht nuk e dimë se si dhe kur do materializohet, por unë e kam ndjekur dhe e mbështes plotësisht vizionin e Presidentit të Francës, për këtë komunitet të ri, që vjen sot edhe më shumë në rendin e ditës si pasojë e asaj që ndodh në Ukrainë. Pra një komunitet i ri politik europian ku jo vetëm vendet e Bashkimit Europian si anëtarë, por dhe vende të tjera të jenë të përfshira dhe kështu sigurisht për sa na takon ne, jemi shumë më afër bashkimit Europian e nëse do të vijë dita që ne të jemi anëtarë të asociuar të Bashkimit Europian, kjo i jep fund të gjitha spekulimeve, i jep fund të gjitha teorive të konspiracionit, i jep fund të gjitha paranojave se ne po na mban Bashkimi Europian aty larg se nuk do të na fusë e se kështu e se ashtu. Kështu që unë mendoj që kjo është një gjë fantastike.

Për sa i përket pjesës që ka të bëjë me Maqedoninë e Veriut, unë e kam thënë, ia thashë edhe presidentit, ne jemi absolutisht në një linjë me Këshillin Europian dhe deri në fund kur të kryhet edhe mbledhja e Këshillit Europian ku jemi të ftuar të marrim pjesë dhe ku përmbyllet dhe presidenca franceze, ne shpresojmë që Bullgaria të hapi rrugën e të dyja vendet të fillojnë negociatat formale. Në rast se kjo nuk do të ndodhë, ne do të ndryshojmë kursin, gjë që e kemi konsultuar dhe me publikun këtu dhe një shumicë e konsiderueshme shqiptarësh kanë thënë që nëse nuk ndodh gjatë presidencës franceze, Shqipëria duhet të kërkojë të ndahet nga Maqedonia e Veriut, jo të ndahet nga Maqedonia e Veriut, por të shkëputet nga kthetrat e Bullgarisë për të qenë më të saktë. Kjo është ideja. 

 

– Zoti President duket se premisat në samitin e ardhshëm të vendeve te BE për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duket se nuk janë pozitive. Përse Shqipëria nuk ndahet nga Maqedonia e Veriut në rrugëtimin e saj drejt BE, ka një pengesë? A ka vende mes Bashkimit Europian që janë refuzuese ndaj kësaj ideje?

Pyetja e dyte, do doja të dija cili është qëndrimi juaj për Ballkanin e Hapur? Do t’ju isha shumë falënderuese nëse do ishit sa më pak diplomatik dhe më i drejtpërdrejtë. Cili është qëndrimi juaj?

Zoti Rama ju keni thënë që pas qershorit nëse nuk do të ketë një datë për konferencën e parë ndërqeveritare do t’i drejtoheni të gjithë kancelarive me kërkesën që Shqipëria të ndahet nga Maqedonia e Veriut. A besoni se kjo kërkese e juaja do të gjejë miratimin e këtyre vendeve dhe të vetë Brukselit zyrtar duke marrë parasysh që BE deri më tani nuk po ndan dot një datë për konferencën e parë ndërqeveritare dhe jo më të përcaktojë një qëndrim nëse Shqipëria duhet të ndahet apo jo nga Maqedonia e Veriut. Faleminderit!

 

Presidenti i KE, Charles Michel: Lidhur me pyetjen e parë që keni bërë, do përpiqem të them se kur kjo ndarje u urua në drejtimin e anasjelltë lidhur me situatën me dy vendet natyrisht është shumë e përligjur që në Shqipëri të ketë padurim lidhur me këtë çështje, për të kaluar këtë pengesë dhe për të filluar këtë negociatë sa më shpejt të jetë e mundur. Unë jam një partner dhe një mik i angazhuar plotësisht për të zgjidhur vështirësitë me të cilat jemi konfrontuar, ia kam thënë këtë kryeministrit. Pas disa javësh do të kemi një mbledhje të fundit të Presidencës franceze, janë realizuar përpjekje të mëdha politike lidhur me këtë, për të zgjidhur këtë situatë. Ne do ta bëjmë vlerësimin në muajin qershor. Unë shpresoj ende me gjithë zemër që do të jemi në gjendje para fundit të qershorit që ta bëjmë këtë gjë. Natyrisht nëse kjo nuk ndodh duhet ta rishohim situatën dhe pozita e kryeministrit është plotësisht e arsyeshme dhe e përligjur lidhur me këtë.

Përsa i përket Ballkanit të Hapur, me lejoni ta përsëris në sajë të pyetjes suaj, unë personalisht, po e them dhe frëngjisht e mbështes Ballkanin e Hapur dhe uroj që të gjithë të bashkohen me këtë nisëm sepse sa më shumë që të jenë do të jenë aq më të mëdha aftësitë për të bashkëpunuar, për të forcuar strukturat ekonomike, politike. Kjo do ta lehtësojë afrimin e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian. Me paketat financiare shumë të mëdha që Bashkimi Europian ka mobilizuar për Ballkanin Perëndimor sepse janë paketa financiare për tu financuar në infrastrukturë dhe që kërkojnë të favorizojnë lidhjet rajonale për të rritur shkëmbimet ekonomike. Marrim parasysh sfidën e transformimit digjital edhe ndryshimeve klimatike. Është dhe çështja energjitike që është një çështje gjeopolitike që lidhet me aftësinë blerëse, me fuqinë blerëse, kjo lidhet me pyetjen e mëparshme. Kjo ka shumë kuptim në kuptimin tim. Duhet krijuar kjo platforme politike duke pritur, duhet bërë ky hap integrimi në planin politik, duke u mbledhur të gjithë në të njëjtën tryezë për të menduar sëbashku, për të pasur një inteligjencë kolektive të përbashkët. Kjo do ta lehtësojë procesin, nëse kemi aftësi që t’i mobilizojmë të gjitha inteligjencat politike.

 

Kryeministri Edi Rama: Patjetër që kjo mbetet për tu parë por ajo që ne do të bëjmë është ajo që thashë. E kemi thënë me kohë që ne nuk kërkojmë të ndahemi nga Maqedonia e Veriut për sa kohë ka akoma hapësirë që të mendohet se Bullgaria mund të hapë rrugën dhe siç e dini, bëmë dhe një konsultim kombëtar ku përfshimë qytetarët e vendit që të japin opinione dhe ishin thuajse gjysmë milionë shqiptarë që u shprehën dhe thanë që nëse edhe me përmbylljen e presidencës franceze kjo çështje nuk do të zgjidhet, atëherë ne jemi në të drejtën tonë që të kërkojmë që të dalim nga rrezja e konfliktit që Bullgaria ka hapur me Maqedoninë e Veriut. Do t’i drejtohemi patjetër të gjithëve. Unë e kam bërë të qartë edhe sot e biseduam, e kam bërë të qartë në të gjitha takimet që kam pasur të nivelit më të lartë që ky do të jetë qëndrimi ynë, por deri në fund kur të behet mbledhja e Këshillit Europian, edhe në mbledhjen e Këshillit Europian ku jemi të ftua, qëndrimi ynë është që të hapen zyrtarisht negociatat për të dyja. Kjo është njëra.

Tjetra për sa i përket Ballkanit të Hapur, dua ta ritheksoj me këtë rast, se isha dje në Berlin dhe kemi pasur takime me të gjitha partitë politike në Bundestag, plus edhe me ministren e Jashtme dhe miti që është krijuar që Gjermania është kundër Ballkanit të Hapur është një ushqim për konsum lokal. Gjermania nuk është kundër Ballkanit të Hapur, por Gjermania kërkon që Ballkani i Hapur të jetë gjithëpërfshirës. Janë dy gjera të ndryshme dhe këtë e tha dhe presidenti, që të gjithë janë të inkurajuar të gjithë përfshihen. Kështu që të jemi shumë të qartë, Ballkani i Hapur është një nismë madje me presidentin po diskutonim dhe solli shembullin e Beneluksit. Kështu nisi dhe ai proces. Nisi fillimisht me më pak vende sesa pastaj u përfshinë. Është një nismë e cila synon implementimin, jetësimin e të gjitha parimeve të lirisë së Bashkimit Europian, lirinë e lëvizjes së njerëzve, të mallrave, të kapitaleve të shërbimeve, njësoj si në Bashkimin Europian dhe që kërkon të ecë më shpejt për të garantuar zbatimin e atyre që kemi dakordësuar në Procesin e Berlinit. Procesi i Berlinit që është si të thuash themeli i Ballkanit të Hapur, nuk mund ta implementojnë as kancelaria gjermane, as presidenca franceze, as Bashkimi Europian në Bruksel. Duhet ta implementojmë ne këtu, qeveritë këtu dhe prandaj është krijuar Ballkani i Hapur dhe Ballkani i Hapur do të vazhdojë dhe ne jemi të hapur për të gjitha vendet që të vijnë të ulen dhe të vazhdojmë të punojmë për ato gjëra që mund të biem dakord.

Nuk është e thënë, sepse historia na ka mësuar që nuk arrihet të paqja përfundimtare dhe te zgjidhja e konflikteve, duke mos u ballafaquar në tavolinë duke filluar nga gjërat më të thjeshta që mund të zgjidhen më kollaj dhe për të bërë ato bashkëpunime që janë të rëndësishme për njerëzit në jetën e tyre të përditshme. Nuk mund të mbahen njerëzit pengje të lëvizjes nga të katërta anët se duhet të arrijmë paqen përfundimtare, pastaj të fillojmë të lëvizim. E kundërta është e vërtetë dhe e kam sjellë këtu disa herë shembullin. Gjermania i kërkoi falje Francës kur erdhi Willy Brandt por deri atëherë kishin ndodhur shumë gjëra të tjera dhe nuk u fillua nga falja, u fillua nga komuniteti të përbashkët që u ngrit si një proces bashkëpunimi, këtë duhet të bëjmë dhe ne dhe këtë do bëjmë.

Faleminderit!