Tiranë, 17 shtator 2022 – Kryeministri Edi Rama reagoi një ditë pas publikimit të artikullit të ”Faktoje” që rrëzonte deklaratat e bëra më herët se Zvicra dënon me burg qytetarët që ngrohen me mbi 19 gradë. Reagimi erdhi gjatë bashkëbisedimit me mediat, këtë shtunë, më 17 shtator, kur kryeministri iu përgjigj interesimit të gazetarëve në lidhje me këtë çështje.
“… Përsa i përket atij shembullit që sollët ju, nuk e kam dëgjuar këtë keqkuptim, por nuk ka rëndësi. Mbase mund të jetë një shembull që vjen si rezultat i një keqkuptimi, mbase kam rënë dhe unë viktimë e një informacioni jo të plotë dhe të saktë, kërkoj ndjesë”, tha ndër të tjera kryeministri Rama, duke shtuar:
”Jemi në një kohë të tillë, por kjo nuk do të thotë aspak që bota nuk është e mbushur me masa të tilla shtrënguese, gjë që ne nuk kemi dëshirë ta bëjmë dhe nuk kemi në plan për ta bërë. Mund të na vijë nevoja, do ta ndajmë me ju, por sot për sot nuk kemi në sirtar ndonjë plan që të dalim e t’ju themi ‘Kaq orë do shkurtohen”.
Pas bashkëbisedimit, zoti Rama postoi në profilin e tij në rrjetet sociale një deklaratë ku sqaron se si lajmi dizinformues ishte shpërndarë nga mediat ndërkombëtare dhe se nuk ishte faji i tij për ndërkombëtarizimin e këtij lajmin dizinformues.
Në 16 shtator, “Faktoje” publikoi një verifikim në lidhje me deklaratat e përsëritura nga përfaqësues të qeverisë për gjoja vendim për dënim me burg të qytetarëve në lidhje me konsumin e energjisë, nga qeveria Zvicerane. Por, kjo e fundit në një komunikim me Faktoje hodhi poshtë dhe argumentoi si të pavërtetë këtë pretendim.
(Marrë nga “Faktoje”)