Tiranë, 26 shkurt 2024 – Shqipëria kërkon që të bëhet mikpritëse e Takimit të Nivelit të Lartë të Nato-s në vitin 2027. Këtë e bëri të ditur të hënën, kryeministri Edi Rama, ndërsa në rrjetin social X (ish Twitter) ai publikoi një letër falenderimi dërguar Sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken, pas vizitës së tij në Tiranë më 15 shkurt. Zëri i Amerikës, ndërkohë ka mësuar, se disa javë më parë, Shqipëria, ia ka paraqitur zyrtarisht një kërkesë të tillë Aleancës.
“Unë besoj se është koha që për herë të parë në Ballkanin Perëndimor, të mbahet një takim i nivelit të Lartë të NATO-s”, shkruan zoti Rama në letrën e tij, ndërsa vë në dukje se e ka diskutuar këtë çështje dhe gjatë bisedimeve që ka patur me Sekretarin Blinken gjatë vizitës së tij në kryqytetin shqiptar. “Në vijim të diskutimit tonë në Tiranë, do të doja të ritheksoja synimin e Shqipërisë për të mikpritur Takimin e Nivelit të Lartë të NATO-së, në vitin 2027, menjëherë pas atij që do të mbahet në vitin 2026, të cilin Turqia është ofruar bujarisht ta mikpresë”.
Letra ime për Sekretarin Blinken, pas vizitës së tij kuptimplotë në Tiranë🇦🇱🤝🇺🇸 pic.twitter.com/HGOBX8uo6V
— Edi Rama (@ediramaal) February 26, 2024
Në letrën e tij zoti Rama, thekson se Shqipëria “ka dëshmuar gjithnjë angazhimin e vet të palëkundur ndaj unitetit dhe vlerave të Aleancës” dhe se “duke u ofruar për të pritur Samitin e NATO-s, ajo nënvizon rolin e saj si fener i vlerave dhe qëllimit të Aleancës, në këtë pjesë të Evropës”. Sipas kryeministrit shqiptar “një ngjarje e tillë do të kishte një domethënie historike dhe strategjike si për Rajonin ashtu dhe për Aleancën. Ajo do të përcillte mesazhin e fortë se rajoni është i një rëndësie strategjike për Aleancën”.
Javën e ardhshme NATO, do të inaugurojë dhe bazën e saj ajrore në Kuçovë, falë një investimi prej 50 milionë eurosh të Aleancës dhe 5 milionë të tjerë shpenzuara nga Qeveria shqiptare.
Sipas komandantit të Forcës Ajrore shqiptare, Gjeneral brigade Ferdinand Dimo “trupat e NATO-s dhe mjetet fluturuese të NATO-s mund të akomodohen, të stërviten dhe të fluturojnë duke u nisur nga baza ajrore e Kuçovës, që tashmë është një bazë ajrore taktike e NATO-s”.
(Armand Mero, Zëri i Amerikës)