Prishtinë, 20 qershor 2022 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, paralajmëroi të hënën në Prishtinë se Këshillit të Europës do t’i drejtohet për çështjen e akuzave të paqëndrueshme të ish-senatorit zviceran, Dick Marty, kundër ish-krerëve të UÇK-së.
Rama tha se është shqetësuese që akuzat mbi të cilat u ngrit Gjykata Speciale nuk janë përfshirë në aktakuzat kundër krerëve të UÇK-së. Ai tha se raporti i Dick Martit për trafik me organe të njerëzve është hartuar nën influencën e Rusisë.
“Do të shkoj personalisht në Strasburg, në rastin më të parë, shpresoj në shtator, për t’iu drejtuar Këshillit të Europës për një fakt që bëhet gjithnjë e më shqetësues. Është pabazueshmëria totale e raportit të Dick Martyt dhe influenca ruse mbi këtë përrallë të një Shtëpie të Verdhë e trafikimit të organeve. Duke pasur parasysh që akuza e trafikimit të organeve është akuzë e përsëritur edhe në kontekste të tjera nga ana e propagandës ruse. Duke pasur parasysh dhe në Këshillin e Sigurimit Rusia ka goditur sërish me një fjalim të ambasadorit të saj duke u kthyer tek trafikimi i organeve”, tha ai.
Rama tha se bota duhet të dëgjojë te vërtetat mbi akuzat e ngritura dhe ato mbi të cilat është krijuar Gjykata Speciale.
“Nuk ka asnjë fakt të lidhur me Dick Martyn e raportin i tij që ishte shkaku pse u mor rruga drejt Gjykatës Speciale. Për këtë dikush t’i hapë veshët, në mos të përgjigjet, të paktën duhet të dëgjojë. Bota duhet ta dëgjojë. Sponsorët e atij Tribunali duhet ta dëgjojnë. Ai Tribunal është projektuar për t’u dhënë përgjigjeve akuzave të Dick Martyt. Nuk ka asnjë gjë në atë akuzë. Zero. Kemi të drejtën të besojmë se këtu janë duar aspak dashamirëse me Kosovën dhe shqiptarët që e kanë nxitur këtë raport”, theksoi Rama.
Ndërkaq, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke u përgjigjur në pyetjen se a ka në plan t’i vititojë kreët e UÇK-së të paraburgosur në Gjykatën Speciale në Hagë, tha se e sheh më të udhës të takohet me avokatët e tyre. Ai tha se shumë shpejt do të shkojë në Hagë përkëtë qëllim.
“Unë kam vlerësuar që është më e udhës t’i takoj avokatët mbrojtës të të gjithë luftëtarëve të UÇK-së që janë në paraburgim në Hagë, në një paraburgim të stërzgjatur, sepse ka kaluar një vit e gjysmë prej se mbahen në paraburgim”, tha ai.
Kurti tha se të hënë në mbrëmje do të takohet me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili i vizitoi ish-krerët e UÇK-së në Hagë gjatë fundjavës.
Ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-krerët tjerë të UÇK-së janë arrestuar dhe po mbahen në paraburgim në Hagë në bazë të aktakuzës së ngritur nga Dhoma e Prokurorisë së Specializuar. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
(r.m.)