Rama: Kosova e Serbia vendosin vetë për vete, por rajoni është edhe i yni

Tiranë, 12 qershor 2023 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në shënimin e 32 vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste, ka folur edhee për draftin e statutit të Asociacionit të komunave me shumisë serbe në Kosovë, të cilin e ofroi pak ditë më parë.

Rama tha se ata që e kundërshtojnë draftin e tij, në Beograd apo në Prishtinë, “jetojnë me komunizmin në kokë”. Ai theksoi se loja “luftërash” duhet të marrin fund njëherë e mirë, sepse rajoni i Ballkanit nuk është vetëm i Kosovës dhe Serbisë.

“Mua më vjen mirë që përpjekja për të dhënë një kontribut konkret për dialogun dhe asociacionin është pritur mirë nga aleatët tanë ndërsa atyre që e kanë kundërshtuar as pa ditur as përmbajtjen, si në Prishtinë dhe në Beograd, duke thënë se as nuk e presin edhe as nuk duan të dëgjojnë për një propozim nga Shqipëria, sepse, sipas tyre, secila duhet ta bëjë vetë Asociacionin sipas mendjes së vet, unë u them dy gjëra:

Së pari, ata që flasin kështu jetojnë akoma me komunizmin në kokë, kur politika merrej me ‘kush e tha’ dhe jo me ‘çfarë tha’. Së dyti, vërtet janë ata që vendosin secili për vete, por ky rajon nuk është vetëm i tyre por edhe i yni. Prandaj, nëse atyre u vjen akoma për mbarë të luajnë luftërash një çerek shekulli pasi lufta ka mbaruar ndërkohë që as njëra palë edhe as tjetra s’i hapin dot njëra-tjetrës, jo luftë por asnjë të shtënë që kapërcen kufijtë, sepse aty është Amerika, është NATO, dhe aleatëve tanë po u soset durimi, sepse po kërkojnë paqe. Unë u them se ne jemi të interesuar për atë lojë luftërash, por jemi kundër asaj loje”, tha Rama, citon ABCNews.

Kryeministri i Shqipërisë foli edhe për marrëdhëniet e tij me Kryeminstrin e Kosovës, Albin Kurtin. Rama tha se ai e Kurti kanë qëllime të njëjta, por ndjekin rrugë të ndryshme.

“Qëllimi im dhe i kryeministrit të Kosovës janë të njëjta, por rrugët për arritjen e atij qëllimi nuk i shohim njësoj, madje gjithnjë e më ndryshe, sidomos kohët e fundit. Për mua, kursi i përplasjes me aleatët tanë është vetëm një kuturisje me pasoja të pallogaritshme, por edhe një aventurë pa kuptim për të gjithë kotësinë e vet”, u shpreh ai.

Rama tha se Kosova është “vetizoluar progresivisht” nga aleatët strategjikë dhe nga miqtë më të mirë të shqiptarëve.

“Kosova ka hyrë në një impakt të rrezikshëm, duke u vetizoluar progresivisht nga aleatët strategjikë dhe miqtë më të mirë të shqiptarëve, ndërkohë që falë tyre, në radhë të parë, Kosovës i ka ardhur në dorë mundësia e madhe reale që edhe diplomatikisht të fitojë luftën me Serbinë që Serbia e ka humbur ushtarakisht, pa asnjë të drejtë apeli, më 12 qershor, sot 24 vjet më parë, kur forcat e NATO-s hynë në Kosovë”, theksoi Rama.

(r.m.)