Rama: “Kosova, në një kurth që ia ka bërë vetes”

Tiranë, 17 tetor 2023 – Kryeministri Edi Rama, gjatë konferencës së përbashkët me Presidentin e Francës Emmanuel Macron, ka folur edhe për konfliktin mes Kosovës e Serbisë dhe për tensionet e fundit mes tyre.

Rama ka zbuluar se dje, gjatë drekës informale të pjesëmarrësve të samitit të Procesit të Berlinit, kryeministri i Holandës Mark Rutte ka këshilluar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, që të mos harrojnë se në një kompromis duhet të kenë parasysh më shumë se “çfarë mund të fitojnë vlen më shumë se çfarë nuk do të humbasin”.

“Dje kemi pasur një bisedë të hapur informale me të gjithë liderët, përfshirë edhe Kurtin dhe Bërnabiq. Mark Rutte iu drejtua të dyve dhe iu tha: ‘Mos harroni kurrë që një kompromis më shumë çfarë do të fitosh është se çfarë nuk do të humbasësh”, ka thënë Rama.

Rama ka folur edhe për paralajmërimin e Presidentit Macron se Franca mund të pezullojë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Ai ka thënë se sot Kosova, siç është shprehur, “është në një kurth që ia ka bërë vetes” dhe ka këshilluar të vijojë me zbatimin e planit franko-gjerman, të cilin e ka cillësuar “zgjidhja më e mirë”.

“Sot Kosova është futur vetë në një kurth që ia ka bërë vetes, por s’ka qenë kurrë më mirë. Do ishte dramatike të humbiste një të drejtë të fituar për të lëvizur lirisht në BE. Ndërkohë të dyja palët kanë një plan (planin franko-gjerman) që është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë Kosovës”, ka thënë ai.

Rama ka thënë se Kosova “duhet ta bëjë pjesën e vet” të punës, kurse Serbinë “t’ia lërë BE-së”.

“Më rrënqethet mishi kur mendoj se mund të ketë ndalesë në liberalizimin e vizave. Por, duhet ta kërkojmë te vetja, jo te presidenti i Francës, Kosova ta bëjë pjesën e vet. Pastaj t’ia lërë Serbinë BE-së. Nuk bëhemi pjesë e politikave që nuk janë pjesë e faktorit të ditës. Çdo shfaqje joeuropiane nuk ka lidhje me ne”, është shprehur Rama.

(r.m.)