Rama: Kush na thotë se vjedhim është vetë hajdut

Tiranë, 10 mars 2022 – Kryeministri i Shqipërisë reagoi ndaj protestave kundër ngritjes së çmimit të naftës, të cilat u zhvilluan dy ditë me radhë, para zyrës së tij në ndërtesën e kryeministrisë.

Rama, në një paraqitje live në mediet sociale, ka reaguar ndaj thirrjeve të protestuesve për dorëheqje, duke hedhur poshtë akuzat publike se qeveria po i vjedh qytetarët përmes çmimit të naftës.

“Në një protestë që po zhvillohet këtu poshtë, dëgjoj thirrjet: ‘Poshtë komunizmi!’, ‘Rama ik!’  e të shara me megafon nga individë që flasin në emër të popullit, por nuk kam asnjë problem me këto, sepse komunizmi ka rënë ka kohë. Para pak ditësh populli foli në 6 bashki, tha 5 herë ‘Rama rri!’. Nuk jam përkulur kurrë në jetën time për të futur dorën në xhepin e askujt. Nuk janë problem as ulërimat, sharjet e përqeshjet. Problem themelor është bashkimi tyre te e vërteta dhe faktet. I kam ndjekur reagimet e komentet tuaja në Facebook”, tha ai.

Rama tha se problemi me energjinë dhe naftën nuk është sepse vidhet, por sepse Shqipëria nuk ka mjaftueshëm.

“Ne mund të jemi të ndarë për opinionet, por nuk mund të jemi të ndarë për faktet. Problemi me energjinë thonë është se kemi mjaftueshëm dhe se jemi të pasur, por fajin e ka qeveria sepse shet jashtë!. Kjo është një premisë e gabuar. Ne nuk kemi mjaftueshëm energji edhe kur jemi në kulmin e prodhimit. As naftë, sepse nuk kemi naftë për benzinë dhe diesel, por nafta jonë është e rëndë dhe shitet për bitum. Nëse do të futej në serbatorë, për një javë do t’i çonte për skrap (automjetet)”, u shpreh Rama.

Ai i hodhi poshtë edhe akuzat se qeveria e shet lirë energjinë elektrike dhe e blen shtrenjtë. Ai i ka quajtur hajdutë ata që bëjnë akuza të tilla.

“Po ashtu e shesim lirë dhe e blejmë shtrenjtë, sepse vjedhin politikanët?!. Kjo është një logjikë hajdutësh. Kush e shpjegon çdo gjë me vjedhje, pa dashur të kuptojë, thjesht, është një hajdut. Si mund të akuzosh tjetrin për hajdut pa asnjë provë dhe mbi fakte të stisura. Fakti është se ne e shesim energjinë në kohëra me shi dhe kur e shesim duhet ose të bëjmë këtë ose ta hedhim sepse nuk mbahet në dollap dhe, natyrisht, e shesim lirë, sepse s’ka kërkesë”, u shpreh ai.

Kryeministri Rama e hodhi poshtë kërkesën për heqjen e TVSH-së për naftën. Ai tha se heqja e TVSH-së u provua për bukën, kohë më parë, por nuk solli ulje të çmimit të bukës.

“Kam degjuar që thonë hiqni TVSH-në! Nuk funksionon kështu. Ne e hoqëm TVSH-në për bukën para shumë kohësh dhe rezultati nuk solli asnjë ulje çmimi. Pse? Sepse, si rregull, dora e lirë e tregut nuk i lëviz çmimet sipas urdhrave të Qeverisë”, theksoi Rama.

Megjithatë, Rama tha se qeveria do të ndërmarrë masa për mbrojtjen e qytetarëve 

“Atëherë mos duhet të rrimë duarkryq? Në asnjë mënyrë jo (…) Por, ama duhet disa orë për t’i bërë gjërat bashkë dhe për të planifikuar disa hapa, për të mos thënë nesër që i harxhuam të gjitha fishekët menjëherë. Ne do të njoftojmë si do ta adresojmë këtë problematik të nxehtë”, u shpreh ai.

“Si e kuptoj unë detyrën, unë nuk fle edhe kur të gjithë ata që na japin këto recetat e gatshme flenë. Unë njoh aq shumë me detaje realitetin e familjeve në Shqipëri dhe askush nuk mund të më japë mua leksione”, theksoi Rama.

Protesta kundër ngitjes së çmimit të naftës është organizuar nga shoqëria civile. Të mërkurën, një pjesë e protestuesve, pas tubimit para ndërtesës së Kryeministrisë, i kanë bllokuar disa prej rrugëve kryesore në Tiranë.

Disa protestues janë ndaluar nga policia dhe janë proceduar në gjykata.

(r.m.)