Delphi (Greqi), 29 prill 203 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë janë më të mirë se që kanë qenë ndonjëherë, por theksoi se mbyllja e dialogut mes dy vendeve do të ishte mbyllja e një kapitulli konfliktesh në rajon.
“Dialogu Kosovë-Serbi do thosha është çështja që mbetet ende çështje e madhe dhe zgjidhja e kësaj çështjeje do të thotë të mbyllësh një kapitull përgjithmonë, një kapitull të shumë kapitujsh gjaku dhe konfliktesh. Kjo është diçka shumë e rëndësishme dhe strategjike. Megjithatë, edhe sa i takon këtij elementi të veçantë, kësaj çështjeje të veçantë, marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë nuk kanë qenë asnjëherë kaq të mira sa janë aktualisht. Pra, janë marrëdhënie shumë të mira krahasimisht siç kanë qenë këto marrëdhënie më përpara. Megjithatë, ka ende shumë për të bërë për të përmirësuar këtë marrëdhënie”, deklaroi Rama në Forumin Ekonomik “Delphi 2023, World Affairs”, në Greqi.
Rama tha se i gjithë Ballkani Perëndimor gjendet në situatë shumë më të mirë për shkak se, ndryshe nga vite më pare, tani shtetet i flasin njëra-tjetrës.
Duke folur për mungesën e stabilitetit në rajon për shkak të ndikimit rus, Rama tha se Shqipëria dhe Kosova janë të dy vendet e Ballkanit Perëndimor ku nuk ka aspak ndikim rus.
“Kur flitet për aspektin gjeopolitik dhe politikën ndërkombëtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ne kemi një panoramë shumë komplekse. Kemi 3 shtete anëtare në NATO, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, por Shqipëria nuk ka fare ndikim rus ndërkohë që Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë një influencë ruse shqetësuese. Nga ana tjetër, kemi Serbinë, Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën. Kosova është si Shqipëria, është tërësisht e harmonizuar në të njëjtën linjë me Shtetet e Bashkuara dhe BE-në, nuk kanë ndikim rus, ndërkohë që Serbia apo Bosnja kanë shumë ndikim rus. Nuk flitet këtu vetëm për qeverisjen, por edhe në popullsi”, theksoi Rama.
(r.m.)