Rama “mbron” Serbinë: Kosova humb nga mungesa në Ballkanin e Hapur (video)

Në seancën plenare të Kuvendit në Tiranë kryeministri Edi Rama iu përgjigj në interpelancë për Ballkanin e Hapur deputetit të Partisë Demokratike opozitare Tritan Shehu

Knid Ndrenika

Deputeti i Partisë Demokratike opozitare Tritan Shehu fajësoi kryeministrin se Ballkani i Hapur anashkalon Kosovën dhe lidhet me “shkëmbimin e territoreve” me Serbinë.

Kryeministri tha se Ballkani i Hapur është mekanizëm për të jetësuar procesin e Berlinit për katër liritë europiane të lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve.

Kryeministri Edi Rama hodhi poshtë në seancën plenare të Kuvendit dyshimet se me Ballkanin e Hapur anashkalohet Kosova dhe se zbatohet ndonjë projekt për Serbinë apo Jugosllavinë e Re apo të Madhe.

Zoti Rama në interpelancë me deputetin opozitar demokrat Tritan Shehu, ish-ministër i Jashtëm, tha se Kosova humbet nga mospjesëmarrja në Ballkanin e Hapur.

Zoti Shehu fajësoi kryeministrin se Ballkani i Hapur anashkalon Kosovën dhe lidhet me “shkëmbimin e territoreve” me Serbinë.

Sipas deputetit demokrat Shehu, Serbia po merr rol parësor në Ballkan duke qenë e lidhbur me aleancat rusokineze:

Zoti Rama tha se Ballkani i Hapur është për liritë themelore të lëvizjes së mallrave, njerëzve, shërbimeve dhe kapitaleve:

Kryeministri shtoi se Ballkani i Hapur i jep zgjidhje zbatimit të marrëveshjeve dhe jetësimit të Procesit të Berlinit.

 

Kryeministri Rama në Kuvend- Interpelancë e kërkuar nga deputeti Tritan Shehu

 

Zoti Shehu, edhe unë ju falënderoj për këtë mundësi sepse besoj që për temat e interesit të përbashkët publik apo kombëtar, nuk është asnjëherë mjaft të diskutojmë dhe mbi të gjitha, të kemi detyrën bashkërisht, të gjitha forcat politike, të bëjmë më shumë për të dëgjuar njëri-tjetrin.

Ballkani i Hapur nuk është as zëvendësim, as tjetërsim, as transformim në diçka tjetër i “Procesit të Berlinit” apo i vetë procesit të integrimit europian të Shqipërisë.

Ballkani i hapur është një mekanizëm për të jetësuar Procesin e Berlinit dhe për të përshpejtuar procesin e integrimit, ku adresohet në mënyrë praktike domosdoshmëria që piketat e mbetur në letër të Procesit të Berlinit të transformohen në kilometra të bëra bashkërisht drejt realizimit të vizionit të këtij procesi, si dhe adresohen po ashtu nevojat e drejtpërdrejta të qytetarëve, të prodhuesve, të përpunuesve apo të tregtuesve të këtij vendi.

A e  dini ju zoti Shehu apo cilido qoftë merr pjesë në këtë debat, se sa janë kompanitë eksportuese shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi? Konkretisht, Shqipëria ka 371 eksportues në Maqedoninë e Veriut dhe 165 eksportues në Serbi. Duke qenë se thelbi i këtij debati është Serbia, po jap dhe një të dhënë tjetër që mbase ndihmon në shtjellimin e idesë dhe ilustron nevojën e këtij mekanizmi. Nga 165  eksportues shqiptarë në Serbi, 57 prej tyre janë eksportues frutash dhe perimesh, të cilët aktualisht dhe prej vitesh janë në aktivitet, pavarësisht se çfarë diskutojmë ne apo pavarësisht se cila është panorama politike mbi të cilën, shpesh ngrihen në mënyrë të nxituar, por jo rrallë dhe të gabuar, hipotezat për të kundërshtuar zgjerimin e bashkëpunimit rajonal.

Ideja dhe vizioni i  Procesit të Berlinit, besoj, janë të qarta për të gjithë, ndërsa për sa i takon mekanizmit të Ballkanit të Hapur, unë dua t’iu informoj se ne, Shqipëria, jemi të parët që kemi nisur me marrëveshjet kuadër për të jetësuar Procesin e Berlinit dhe faktikisht, ne kemi në kuadër të atij procesi 2 marrëveshje të nënshkruara më parë me Kosovën dhe me Malin e Zi për One Stop Shop apo një ndalimet në kufijtë tanë, por edhe me Maqedoninë e Veriut, në ndërkohë, jemi gati siç parashikohet në marrëveshjen dypalëshe të nënshkruar në kuadër të Samitit Rajonal në Tiranë.

Fakti është që ne jetojmë në një gjeografi që nuk e kemi zgjedhur dhe në këtë hapësirë gjeografike ku ne jetojmë, jemi në kushtet ku duhet të bëjmë çmos të stimulojmë prodhimin, të stimulojmë eksportet, të stimulojmë ndërveprimet.

Në ndërkohë që këta stimuj kanë të bëjnë me një treg të fragmentarizuar, që ka bërë që për shumë vite vendet të qëndrojnë të mbyllura në hapësira, të cilat nuk e stimulojnë në tërësi rritjen e prodhimit, rritjen e eksporteve, rritjen e investimeve direkte, siç e stimulon hapësira e përbashkët e ndërveprimeve.

 

Sipas të dhënave të komunitetit të Transportit dhe të RCC, kamionët e eksport-importit shpenzojnë 28 milionë orë në kufijtë e këtij rajoni, për shkak të atyre pengesave të shumëfishta administrative, burokratike dhe në mungesë të një kuadri të përbashkët regulator mes këtyre vendeve.

Çfarë është ky kuadër i përbashkët regulator mes këtyre vendeve, mungesa e të cilit sipas institucioneve ndërkombëtare, vetëm në orët e pritjes i kushton vendeve 1% të prodhimit të përgjithshëm kombëtar. Ky kuadër i përbashkët regulator nuk është as më shumë e as më pak sesa kuadri i përbashkët regulator i Bashkimit Europian, një kuadër i ndërtuar mbi 4 liritë e Bashkimit Europian; liria e lëvizjes së njerëzve, liria e lëvizjes së mallrave, liria e lëvizjes së kapitaleve dhe liria e lëvizjes së shërbimeve. Pra, kuadri regulator është neutral ndaj të gjitha arsyeve të mosarsyes politike të një vendi apo një vendi tjetër.

Po iu jap një shembull, meqë ju cituat ministrin e jashtëm të Malit të Zi, për të kaluar tranzit në Malin e Zi, sipas të dhënave të kompanive tona, vetëm kostoja për kontrollin veterinar është 80 euro, flas në kosto financiare, plus 20 euro për agjencinë doganore, pra 100 euro për çdo kalim. Nuk flas për koston e kohës së pritjes. Thënë këto, dua të shtoj se mekanizmi i Ballkanit të Hapur dhe të gjitha këto marrëveshje që ne po bëjmë dhe kemi futur në rrugën e zbatimit, disa prej të cilave do firmosen pak javë më vonë, para festave, këtu në Tiranë, do bëjë që lehtësia që do t’u krijohet të gjitha kompanive që përmenda dhe që shkojnë rreth 500 kompani shqiptare, të jetë eksponenciale në raport me vështirësitë që kanë sot. Unë do t’iu sugjeroja që t’i kontaktoni dhe t’i pyesni këto subjekte shqiptare që prodhojnë në territoret e vendit tonë dhe siç thashë, 57 prej të cilave janë subjekte eksporti të frutave dhe perimeve, një mall shumë vunerabël në raport me kohën e transportit.

Tani ju pyesni pse unë mendoj se një nismë e tillë e iniciuar nga Vucic mund të jetë e dobishme në procesin tonë të bashkëpunimit rajonal më kryefjalë integrimin europian. 

Së pari, e kam thënë dhe më parë e mbase mund t’i referoheni arkivave, kjo është një çështje e ngritur qysh në vitin 2015 në mos gabohem, në Samitin e Procesit të Berlinit në Paris, ku unë sëbashku me presidentin e Serbisë, pavarësisht nga njëri-tjetri kemi ngritur çështjen e rrezikut me të cilin përballej procesi i Berlinit, që ishte mbetja në letër e të gjithë dokumenteve të miratuar bashkërisht nga samiti në samit. E ashtu ndodhi faktikisht.

Ndërkohë që, unë do t’ju citoja një pjesë të raportit të fundit të Komisionit Europian për Shqipërinë, tek kriteri politik, ku flitet për raportin mes Shqipërisë dhe vendeve fqinje e ku shkruhet qartësisht që për sa i përket angazhimeve, në kuadër të tregut të përbashkët rajonal të cilit ju apo kundërshtarët e Ballkanit të Hapur i referoheni, Shqipëria ka luajtur një rol pro aktiv në proces e po ashtu, mund t’ju them se Shqipëria është një ndër vendet e gjashtëshes që i ka respektuar dhe i ka çuar përpara të gjitha marrëveshjet e mbetura pezull të tregut të përbashkët rajonal.

Pse mbesin pezull marrëveshjet e tregut të përbashkët rajonal? Kjo është një pyetje të cilës Ballkani i Hapur i jep një përgjigje konkrete, sepse është e pamundur zoti Shehu që punët tona, punët e shteteve tona për interesat tona, në këtë rajon tonin, të na i bëjnë me rekomande të tjerët që i kemi aleatë, i kemi partnerë, i kemi miq të çmuar, por që kanë shumë punë të tjera për vendet e tyre për t’u marrë e nuk mund të merren me menaxhimin e vendeve tona apo të rajonit tonë. Ajo që ndodh faktikisht, është po të shihni kalendarin e samiteve të Procesit të Berlinit, nuk e di sa janë bërë deri më tani, se kam humbur dhe numërimin, se u bë një kohë e gjatë që nga viti 2014, nga një samit në tjetrin, çfarë kemi? Kemi boshllëk. Sepse çfarë diskutohet në samit e çfarë firmoset në parim, mbetet pa u jetësuar.

 I njëjti raport, meqë ju i referoheni CEFTA-s nënvizon se në 2019, Shqipëria mbajti me sukses kryesinë e CEFTA-s, në fund të të cilit u miratua mes të tjerave dhe protokolli shtesë gjashtë i marrëveshjes, që synon lehtësimin e lëvizjes së lirë të shërbimeve në hapësirën e CEFTA-s. Po ashtu ishte pikërisht nën presidencën e Shqipërisë që mes palëve u dakordësua dhe procedura e validimit për njohjen e ndërsjellët të operatorëve të autorizuar ekonomik. Ndërkohë që Shqipëria vetë e ratifikoi protokollin gjashtë, që në prill të 2020. Sot e kësaj dite, dy vite nga nënshkrimi i protokollit, protokolli gjashtë nuk është ratifikuar në shumë parlamente të Ballkanit Perëndimor. Atëherë çfarë duhet të bëjë Shqipëria dhe cila është përgjigja që ne duhet t’i japim qoftë halleve të atyre që ndër veprojnë në këtë rajon si subjekte shqiptare, qoftë dhe nevojës së tyre, por dhe nevojës së vendit, për të rritur kapacitetet, për të zgjeruar tregjet, për të zgjeruar hapësirën, ku prodhuesit, përpunuesit, tregtuesit tanë, të mund të ndër veprojnë e natyrisht të rrisin të ardhurat e tyre, duke rritur për pasojë ekonominë tonë kombëtare, punësimin, e kështu me radhë.

Ju thoni, për faktin e marrjes së rolit lider nga Serbia, e cila akoma nuk ka kërkuar ndjesë për krimet e pak viteve më parë, si dhe vendosjes së hegjemonisë serbe në planin politik ashtu dhe atë ekonomik, nuk është e qartë cila është pyetja, por gjithsesi unë ju them që jo sipas meje, jo sipas qeverisë së Shqipërisë, por sipas institucioneve ndërkombëtare financiare, bashkëpunimi ekonomik rajonal dhe krijimi i një tregu të përbashkët rajonal, sepse nuk kemi mendime të ndryshme, as për procesin e Berlinit, as për tregun e përbashkët rajonal, as për CEFTA-n. E vetmja gjë ku ne dallojmë është “si”, jo “çfarë”. “Çfarë” është shumë e qartë. Ne duam pikërisht këtë, një treg të përbashkët rajonal ku të zbatohen katër liritë e Bashkimit Europian, por janë shtatë vite sot që ne nuk e kemi tregun e përbashkët rajonal dhe ka një “pse” kjo, mbase të tjerë mund të kontribuojnë për të gjetur pse-në ose për të gjetur elementë të tjerë të pse-së, por kryesorja është implementimi, pra nuk kemi një proces implementimi të ndjekur në kohë reale nga shtetet, nga qeveritë, nga agjencitë, gjë që Ballkani i Hapur e mundëson e kjo me fakte, jo me fjalë.

Atëherë, nga ky bashkëpunim mund të arrijmë, thonë institucionet financiare ndërkombëtare, më 6.7% rritje të prodhimit të përgjithshëm kombëtar. Pra si mundet ne ta provojmë veten nga ky potencial, ndërkohë që çfarë jemi duke bërë të gjithë? Jemi duke synuar të gjejmë burime të reja rritjeje ekonomike e të mos bazohemi vetëm tek burimet e njohura ekzistuese. E një nga burimet e reja të rritjes ekonomike ose burimi më i rëndësishëm, i pashfrytëzuar, është pikërisht bashkëpunimi rajonal dhe përsëri unë do t’ju ftoja që të bëni një dëgjesë ju, me komunitetin e biznesit shqiptar, që është i përfshirë në tregun rajonal, sot që flasim. Ka disa që janë prej shumë vitesh, ka disa që janë më të rinj si aktorë në këtë treg, e t’i dëgjoni ata, për interesat e tyre, që janë rrjedhimisht interesat e ekonomisë shqiptare e të vendit tonë.

Ju thoni, a nuk e shikon kryeministri lidhjen mes kësaj nisme me idetë e disa viteve më parë të Serbisë për Jugosllavinë e re. Se ku hyn këtu Jugosllavia e re, unë nuk e gjej dot. kur ju them që këtu bëhet fjalë për një hapësirë që nuk është asgjë tjetër veçse një hapësirë ku ne duam e unë synoj zbatimin e katër lirive të Bashkimit Europian. Nëse qarkullimi lirë i qytetarëve, i mallrave, i kapitaleve dhe i shërbimeve, ishte diçka e siguruar në Jugosllavi, atëherë i bie që Bashkimi Europian na qenka Jugosllavia ndërkohë.

Ky është një krahasim absurd, i panevojshëm, i pakuptimtë, por thjeshtë një lojë fjalësh për të cënuar pikërisht nismën. Një nisëm që për mua është interes kombëtar, është interes publik e meqë koha ime po mbaron e nuk dua të abuzoj me të, po shtoj dhe një gjë tjetër dhe në rast se pastaj jo të gjitha pyetjet tuaja morën përgjigje, ju mund të më kërkoni më shumë në ndërhyrjen më pas. Po ju them këtë, sepse janë disa pyetje që lidhen me gjeopolitikën, jo Rusia, jo Kina, jo dreqi e shejtani. Se si mund të jetë një vizion rus apo kinez vizioni i procesit të Berlinit, unë nuk e di. Unë di që Ballkani i Hapur është një njësi zbatimi e shteteve e procesit të Berlinit dhe unë di që ne i kemi ftuar të gjitha vendet të bëhen pjesë, unë di që Kosova humbet një shans edhe për atë çka përbën problemin më të madh që ne kemi me Serbinë si dy shtete, duke munguar në atë tryezë dhe unë di që historia e tregon, pa bërë këtu historinë e shumë konflikteve se ndërtimi i marrëdhënieve ekonomike dhe nxitja e ndërveprimeve ekonomike është përdorur në histori si një katalizator për të zgjidhur çështje politike. Faleminderit!

* * *

Replikë

Zoti Shehu, ju thatë që më dëgjuat me vëmendje, por edhe fjalinë “Ju dëgjova me vëmendje” e kishit të shkruar. Siç kishit të shkruar të gjithë përgjigjen, pavarësisht nga fjala ime, që e lexuat me vëmendje nga fillimi deri në fund. Pra, ju nuk më dëgjuat zoti Shehu, ndërkohë që unë iu dëgjova dhe më vjen keq t’iu them që ju flisni me vete dhe flisni për vete, duke bërë po atë që keni bërë si parti, prej shumë vitesh tanimë, duke i marrë shqiptarët për budallenj. Edhe tani që flasim prapë, në partinë tuaj flitet me vete dhe për vete dhe përsëri u thuhet shqiptarëve se flitet për ta, por kjo është çështja juaj.

Zoti Shehu, askush, as në Bruksel, as në Washington, as në Berlin, as në Paris, as në Hagë nuk është kundër Ballkanit të Hapur. Është e vërtetë që gjithkush thotë që Ballkani i Hapur duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe pjesëmarrja në të edhe e 3 vendeve të tjera është e mirëseardhur. Këtë e kam thënë dhe unë dhe e përsëris dhe unë qysh në ditën e parë.

Por, unë nuk hyj në garë as me ju, as me askënd se me kë është Amerika e me kë është Europa, sepse kjo është një garë, si ato ndeshjet e futbollit me top lecke në filmat me fëmijë të realizmit socialist.

Të kujtohet zoti Shehu, ai filmi ku i thoshte ai “Guri, ata do të na rrahin”. E pra, ka rëndësi shumë se çfarë mendojnë aleatët tanë, por më shumë rëndësi se çfarë bëjmë ne, të gjithë së bashku, për vendin tonë dhe ku janë interesat e Shqipërisë në këtë proces që quhet Ballkan i Hapur. Tregu i përbashkët rajonal i mbron këto interesa, i fuqizon këto interesa. Ballkani i Hapur është një mekanizëm për të realizuar tregun e përbashkët rajonal. Doni ju, Zoti Shehu, nuk doni ju, zoti Shehu, dhe duan apo nuk duan ata që mendojnë si ju, zoti Shehu, Ballkani i Hapur do vazhdojë sepse është në interes të Shqipërisë, është në interes të shqiptarëve dhe shqiptarët na e kanë besuar ne, Partisë Socialiste, mbrojtjen e interesave të tyre, jo juve.

Faleminderit!