Në një konferencë me temë për gazetarinë në kohë krizash zhvilluar në Tiranë, zyrtarë të OSBE-së thanë se në të gjithë rajonin e OSBE-së, ka një mjedis armiqësor ndaj medias.
Knid Ndrenika
Kryeministri Edi Rama theksoi më së shumti përhapjen e lajmeve të rreme që sipas tij bien ndesh me vërtetësinë e lirisë së fjalës.
Për herë të dytë që nga viti 2013 në Tiranë u zhvillua konferenca e OSBE-së për Europën Juglindore me temë “Gazetari në kohë krizash”.
Përfaqësuesja e OSBE-së për lirinë e medias, Teresa Ribeiro tha se liria e shtypit po përballet me kushte të vështira.
“Ka besim të brishtë publik, një ndjesi kundër medias në rritje e përkeqësuar, dhunën në rritje, ngacmimin dhe trysninë kundër gazetarëve që hetojnë rastet e korrupsionit publik dhe privat”-tha ajo.
Zonja Ribeiro theksoi se gazetarë të fortë shpesh përballen me mjedis armiqësor ndaj medias, sikurse ndodh edhe në të gjithë rajonin e OSBE-së.
Kryeministri Edi Rama theksoi më së shumti përhapjen e lajmeve të rreme që sipas tij bien ndesh me vërtetësinë e lirisë së fjalës:
“Në emër të kësaj lirie, po i referohem përhapjes së lajmeve të rreme, sjelljeve kundrë lirisë së njerëzve të tjerë, kur vjen fjala për gazetarinë realiste”.
Ndërkaq, ambasadori i OSBE në Tiranë, Viçenco Del Monako tha se gazetaria është pjesë thelbësore e mozaikut demokratik, por dhe se liria e medias nuk duhet marrë e mirëqenë.