Tiranë, 20 nëntor 2021 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se ndotja e mjedisit është një sfidë e madhe e cila duhet të trajtohet me seriozitet.
Rama ka thënë se bashkitë që nuk e përballojnë dot pastrimin do të kenë mbështetje më të madhe.
“Vitin e ardhshëm do të fillojmë me katër zonat më kritike për të vijuar me zonat bregdetare. Por, ka një tjetër arsye për të reflektuar sepse kemi një model që e bën më shqetësues situatën, që tregon që përtej të gjitha shtërngimeve financiare, lidershipi i bashkisë dhe organizimi luan një rol që mund të arrijë deri në pikën që mund t’i kapërcejë këto probleme”, ka thënë Rama, gjatë vizitës në Bashkinë e Lezhës.
Rama e ka lavdëruar këtë bashki për menaxhimin e mbetjeve urbane. Ai ka thënë se Lezha duhet të merret shembull.
“Në Bashkinë e Lezhës kemi pasqyrë ndryshe nga pjesa tjetër dhe as nuk ka ndonjë taksë marramendëse për pastrimin apo ndonjë mbështetje speciale nga qeveria. Por, ka një skemë organizimi, përmes së cilës arrin të garantojë, ndoshta jo 100 për qind të shkëlqyer, por është një kuotë e lartë pozitive”, është shprehur ai.
Rama e ka ngritur shqetësimin edhe për pastërtinë e plazheve. Ai ka thënë se Policia e Shtetit duhet të ndihmojë pushtetin lokal të adresojë çështjen e gjobave për krimet mjedisore.
“Sezonin e ardhshëm është mirë të adresojmë edhe problemin e pastrimit të plazheve. Është e domosdoshme që së bashku të adresojmë edhe aspektin e ndëshkimit, gjobave. Por, në fund të ditës, i gjithë ky zinxhir nuk funksionon nëse Policia e Shtetit nuk e përfshin krimin mjedisor si pjesë e punës të përditshme dhe vazhdon të ketë dobësi”, ka thënë Rama.
(r.m.)