Rama në Beograd: Marrëveshja e Brukselit – rrugë e vetme për uljen e tensioneve në veri të Kosovës

 

Beograd, 7 korrik 2023 – Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në ndalesën e fundit të turneut të tij në vendet e Ballkanit Perëndimor, të premten pasdite, qëndroi në Beograd, ku u takua me Pfresidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Pas takimit, në një konferencë të përbashkët për medie, Rama tha se, përveç Procesit të Berlinit, temë e bisedës ka qenë edhe situata në pjesën veriore të Kosovës. Ai tha se rruga e vetme për uljen e tensioneve është dialogu dhe zbatimi i marrëveshjes së Brukselit, e cila buron nga plani franko-gjerman.

“Rruga e vetme nuk është rritja e tensioneve, por rritja e dialogut mbi marrëveshjen e planit franko-gjerman. Askush nuk duhet t’i marrë si shaka tensionet në veri të Kosovës, për të mos e çuar këtë zonë në një situatë të rrezikshme. I duhet hapur rruga arsyes dhe më pas të kalohet në rrugën e dialogut”, theksoi Rama.

“Askush nuk duhet të nënçmojë rrezikun e eskalimit të tensioneve deri në atë pikë që të vijmë në situatë që disa grupe të armatosura të mund të ndërmarrin diçka që në asnjë mënyrë nuk guxojmë të lejojmë të ndodhë. Kjo do të na çonte në një situatë e cila ndoshta është e krahasueshme me Donbasin”, u shpreh Rama.

Kryeministri i Shqipërisë i cilësoi gabime vonesën e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe qëndrimin e kryetarëve të rinj të komunave veriore në ndërtesat komunale.

“Mendoj se vonimi i themelimit të Asociacionit është një gabim strategjik. Gjithashtu, mendoj se insistimi për të qëndruar në ndërtesat komunale është një gabim”, tha ai.

Rama foli edhe për draftin e Statutit të Asociacionit të hartuar pa konsultime me Prishtinën e Beogradin. Ai shprehu keqardhje që ky draft nuk është marrë në konsideratë nga asnjëra palë.

“Draft-statuti për Asociacionin është një kontribut që e kam dhënë dhe është shumë pozitiv, por nuk është diçka që duhet ta pranojnë domosdoshmërisht dy palët dhe as nuk është marrë në konsideratë nga asnjëra palë”, u shpreh ai.

Presidenti i Serbisë, nga ana e tij, u fokusua në nismën rajonale “Ballkani i Hapur”, të cilën Rama e ka shpallur të përfunduar. Ai foli edhe për këtë nismë edhe në kohën e ardhshme.

“Mendoj se në të ardhmen kjo nismë mund të kontribuojë në afrimin e popujve, në përmirësimin e jetës dhe standardit jetësor të të gjithë qytetarëve tanë. Në periudhën në vijim do të kemi takime në kuadrin e ‘Ballkanit të Hapur”, tha ai.

“Sa i përket planit të deeskalimit për të cilin foli Edi Rama, e di përmendësh. I di të gjitha pikat që kanë të bëjnë me Beogradin, me Prishtinën dhe me bashlësinë ndërkombëtare. Serbia i ka plotësuar dy nga tri pikat kryesore të planit, ndërsa të tretën duhet të plotësojë njëkohësisht me Prishtinën. Aty bëhet fjalë për tërheqjen e njëkohshme të kryetarëve të komunave, këtyre që kanë fituar 3.4 për qind, dhe të njerëzve (protestuesve serbë) nga hapësura rreth ndërtesave të komunave.

Vuçiq tha se ai dhe Rama nuk pajtohen për shumë çështje, prandaj në darkë do të vazhdojnë bisedimet për “pikëpamjet dhe dallimet” e tyre.

(r.m.)