Nju Jork, 20 shtator 2023 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën e tij në seancën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ka bërë thirrje për ndalimin e luftës në Ukrainë. Ai ka thënë se përvoja e Ballkanit Perëndimor me luftërat ka treguar se shkaktarët e luftërave janë penduar për këtë.
“Dua të kujtoj rrugën e mizorisë që mund të na sjellë dhe kostot e jashtëzakonshme që sjell për të gjithë, përfshirë edhe ata që janë autorët. Historia ka konfirmuar se ata që e kanë parë luftën si rrugë të shkurtër për të arritur objektivat e tyre në fakt kanë përfunduar duke u penduar vetë për të”, ka thënë ai.
Rama ka thënë se Rusia po vazhdon përpjekjet për ta keqpërdorur realitetin e krijuar pas luftërave në Ballkanin Perëndimor, sidomos lindjen e shtetit të Kosovës, për të justifikuar agresionin e saj ndaj Ukrainës.
“Në fakt Rusia e të tjerë janë përpjekur ta përdorin apo më shumë ta keqpërdorin realitetin e ndryshuar në Ballkanin Perëndimor sidomos lindjen e Republikës së Kosovës për të justifikuar ëndrrat e tyre neo-imperiale apo makthet e tyre që kanë eksportuar në Ukrainë”, ka shtuar Rama.
Ai ka theksuar se pavarësia e Kosovës nuk mund të përdoret si pretekst për rrëmbim territoresh apo aneksim të paligjshëm.
“Pavarësisht se sa përpiqeni, Kosova, pavarësia e së cilës është sanksionuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, kreu 14 i kësaj karte të Kombeve të Bashkuara, Gjykata Ndërkombëtare Penale nuk mund të shërbejë si pretekst për rrëmbim territoresh apo aneksim të paligjshëm”, është shprehur Rama.
Ai e ka akuzuar Rusinë se, duke abuzuar me të drejtën vetos, e ka mbajtuar peng Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, por nuk ka arritur ta heshtë.
“Abuzimi i përdorimit të së drejtës së vetos e ka mbajtur peng këtë Këshill, e ka paralizuar atë, por nuk e ka bërë të heshtë, ashtu siç mund të dëshmohet në këtë takim. Në fakt vlerat e rregullat që na bëjnë bashkë nuk duhet të zëvendësohen nga rregulli i forcës. Bota po kalon në mënyrë të rrezikshme në një pikë ku mund të kthehet në tragjedi për të gjithë ne”, është shprehur Rama.
(r.m.)