Londër, 24 mars 2023 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nga Londra, ku po qëndron për vizitë, e ka lidhur emigrimin e shqiptarëve drejt Britanisë së Madhe me nevojën e tregut britanik për punëtorë.
Në një bashkëbisedim në auditorin e Institutit Mbretëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Chatham House, Rama tha se problemi nuk qëndron te shqiptarët që mbërrijnë në Britani, por te fakti se disa shqiptarë përdoren në “ëndrrat dhe shpresat e tyre nga kriminelët”.
“Ka diçka mjaft të rëndësishme që po ndodh që e kemi kërkuar prej shumë kohësh. Gjithnjë kemi thënë se na duhet të ndërtojmë një portë të përbashkët operative për të goditur rrjetet kriminale”, theksoi Rama.
“Nuk kam probleme se kufijtë e Britanisë mbyllen, por s’duhet t’i lëmë të rinjtë shqiptarë të përdoren nga kriminelët. Komuniteti shqiptaro-britanik është fantastik, ndërsa kriminelët shqiptarë nuk e sollën krimin këtu, ata nuk e sollën drogën këtu, por e gjetën këtu tregun. Nëse homologët britanikë do të na dëgjojnë, kjo do të jetë shumë e suksesshme. Por, t’i veçosh shqiptarët, nuk është e drejtë”, u shpreh ai.
Në një dalje publike në nëntor të vitit që shkoi, ministrja e Brendshme britanike, Suella Braverman, i konsideroi ‘kriminelë’ shqiptarët që mbërrinin me gomone në Britani.
Kjo deklaratë shkaktoi replika ndërmjet autoriteteve shqiptare dhe britanike, ndërsa mijëra emigrantë shqiptarë dolën në protesta në rrugët e Londrës, të indinjuar nga ky etiketim dhe kërkuan që Qeveria britanike të kërkonte falje.
Rama tha se kontributi i komunitetit shqiptar në Britani do të jetojë shumë më gjatë se Suella Braverman dhe kërkoi që komuniteti shqiptar të vazhdojë “të tregojë veten siç e ka treguar deri tani, duke nderuar flamurin shqiptar dhe atë britanik”.
Një ditë më parë kryeministri Edi Rama u prit në Downing Street nga kryeministri i Britanisë, Rishi Sunak.
Në komunikatën e zyrës së Qeverisë britanike pas takimit, u theksua se “dy kryeministrat u angazhuan për thellimin e punës në kuadër të Deklaratës së Përbashkët dhe Task-Forcës, për të cilat u ra dakord në dhjetor, për të avancuar adresimin e migracionit të paligjshëm dhe bandave kriminale të trafikimit të njerëzve.”
Sipas autoriteteve britanike, rreth 800 emigrantë të paligjshëm janë kthyer në Shqipëri që prej muajit dhjetor të vitit që shkoi.
Në fund të vitit 2022, të dyja vendet nënshkruan një deklaratë të përbashkët, ku angazhohen për hapa konkretë për të goditur emigracionin e paligjshëm.
Për bashkëpunimin në drejtësinë penale, kryeministri Edi Rama dhe kryeministri britanik, Rishi Sunak, përshëndetën punën e përbashkët në vijim për ekstradimin e qindra të burgosurve.
Ata ranë dakord që një ekip i përbashkët të kryejë një vlerësim të kapaciteteve të burgjeve të Shqipërisë, një proces që pritet të përfundojë deri në fund të prillit.
(Jetmira Delia – Kaci, REL)