Rama: Në samitin e NATO-s kërkova që Kosova të ftohet në Programin e Partneritetit për Paqe

Madrid, 29 qershor 2022 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se në Samitin e NATO-s që po mbahet në Madrid ka kërkuar që Kosova të ftohet në Programin e Partneritetit për Paqe.

Ai u ka bërë thirrje vendeve që ende nuk e kanë njohur kosovën që ta vlerësojnë qëndrimin e saj të njëjtë me Bashkimin Evropian lidhur me agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës.

“SOT në NATO: Kërkova që Kosova të ftohet menjëherë në mekanizmin e Partneritetit për Paqe. Vendet që nuk e njohin ende Kosovën duhet të vlerësojnë qëndrimin e saj krejt të njehsuar me BE-në ndaj agresionit rus mbi Ukrainën, pavarësisht se Ukraina nuk e ka njohur ende Kosovën”, ka shkruar Rama në Twitter.

Partneriteti për Paqe është program i bashkëpunimit dypalësh ndërmjet shteteve partnere euroatlantike dhe NATO-s. Ky program ka për qëllim të rrisë stabilitetin, të ulë kërcënimet për paqe dhe të ndërtojë raporte më të forta të sigurisë mes partnerëve dhe aleancës.

(REL)