Tiranë, 15 tetor 2023 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se në Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet nesër (e hënë) në Tiranë nuk do të diskutohet për agresionin e Serbisë ndaj Kosovës.
Duke u përgjigjur në pyetjen se a do të diskutohet në samit për sulmin terrorist të grupit të paramilitarëve serbë në Banjskë pjesën veriore të Kosovës, më 24 shtator, Rama tha se në agjendën e samitit nuk është paraparë diskutim lidhur me këtë akt, por në programin e samitit është paraparë që dreka e punës t’i kushtohet marrëdhënieve fqinjësore të vendeve të rajonit.
“Procesi i Berlinit është një proces i cili lidhet me rritjen e vazhdueshme të të gjitha vendeve të rajonit drejt katër lirive të Bashkimit Evropian: lirisë së lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve. Tipikisht ky proces dhe samitet e këtij procesi nuk janë vend për zgjidhjen e çështjeve bilaterale. Por, në programin e samitit, i cili është përgatitur prej shumë kohësh në harmoni me kancelarinë gjermane, dreka e punës e liderëve do t’i kushtohet edhe marrëdhënieve fqinjësore në rajon. Pra, hapësira për një diskutim të hapur mes të pranishmëve është e programuar, por ky nuk është një samit që merr përsipër të gjejë zgjidhje për probleme që, siç e tha Presidentja, lidhur me çështjen konkrete, janë probleme që trajtohen dhe duhet të zgjidhen nën ombrellën e Bashkimit Evropian”, tha ai.
Rama iu shmang pyetjes së përsëritur lidhur me sulmin e grupit të armatosur serb në Banjskë. Madje, ashiqare, ai iu shmang edhe përdorimit të termit “agresion”, siç është cilësuar nga autoritetet e Kosovës dhe nga disa autoritete ndërkombëtare, dhe të termit “sulm terrorist”, siç ështe emërtuar nga përfaqësuesi i Lartë i Bashkimi Evropian për politikë të jashtme, Joseph Borrell.
Ndërkaq, Prsidentja e Komisionit Evroppian, Ursula von der Leyen, tha se Kosova dhe Serbia duhet të kthehen në tryezën e bisedimeve, duke theksuar se Marrëveshja e Ohrit përbën themelin e pajtimit midis Kosovës e Serbisë.
“Marrëveshja e Ohrit ato që u arritën në shkurt dhe mars janë baza, themeli, për pajtimin nëpërmjet dialogut të BE-së. Është shumë e rëndësishme që si Kosova ashtu edhe Serbia të kthehen në tryezë për të normalizuar marrëdhënien e tyre. Kjo është e vetmja mënyrë me anën e angazhimit, bashkëpunimit dhe vendi i duhur për këtë është dialogu i BE-së, sepse kjo është rruga e duhur për të ardhmen sepse Kosova dhe Serbia do të jenë pjesë të Bashkimit Evropian. Pra pajtimi, bashkëpunimi, angazhimi janë tërësisht të domosdoshme dhe vendi për ta bërë këtë është dialogu i BE-së”, tha ajo.
(r.m.)