Sarajevë, 7 korrik 2023 – “Nuk është sekret që ne duam t’i mbrojmë interesat e Kosovës përmes Procesit të Berlinit dhe duam të arrijmë lirinë e lëvizjes dhe mënyra më e mirë është përmes përdorimit të letërnjoftimeve”, tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Sarajevë, pas takimit me kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Borjana Krishto.
“Shpresoj që Bosnja e Hercegovina të nënshkruajë një marrëveshje të tillë, sipas modelit të Serbisë. Në tetor, në Tiranë, ne duhet të kemi një qëndrim të përbashkët për të gjitha çështjet që na shqetësojnë dhe çështjet që janë ngritur dhe që na shqetësojnë të gjithëve së bashku”, citohet ai nga Radio Evropa e Lirë.
Rama tha se Shqipëria dëshiron të forcojë bashkëpunimin me Bosnjën e Hercegovinën dhe se po punon për hapjen e Ambasadës së Shqipërisë në Sarajevë.
Zonja Krishto tha se në qendër të bisedës me Ramën kanë qenë bashkëpunimi rajonal dhe Procesi i Brlinit.
“Ne nuk kemi çështje të hapura. Ne vumë theksin në bashkëpunimin rajonal dhe se vazhdojmë të jemi të përkushtuar në Procesin e Berlinit”, tha Krishto.
Rama qëndroi në Sarajevë, në kuadër të turneut të tij në kryeqytetet e shteteve të Ballkanit Perëndimor, turne ky që, sipas tij, synon t’i informojë shtetet e rajonit për përgatitjet që po i bën Shqipëria për samitin e Procesit të Berlinit.
Sipas kryeministrit shqiptar, në samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë, më 16 tetor, do të bëhet bilanci i arritjeve të këtij procesi.
Nga Sarajeva, Rama do të vazhdojë udhëtimin në Mal të Zi, ku do të takohet m kryeministrin në detyrë, Dritan Abazoviq, dhe me presidentin, Jakov Millatoviq.
Rama do ta përfundojë turneun e tij në vendet e Ballkanit Perëndimor në Beograd, ku do të takohet me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kryeministri i Shqipërisë e nisi turnen të enjten, me vizitat në Maqedoni të Veriut dhe në Kosovë. Në Shkup dhe në Prishtinë ai e afirmoi Procesin e Berlinit si një mundësi të shkëlqyer për vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Shpresojmë që tani t’i japim një shtysë të re duke pasur parasysh se tani nuk është një proces si deri më sot, por shpresoj ta kthejmë në një proces të tillë me planin e ri të financimeve të Bashkimit Evropian”, tha Rama në Shkup.
Por, në Prishtinë e vuri në plan të dytë Procesin e Berlinit. Në plan të parë doli situata e tensionuar në pjesën veriore të Kosovës.
Rama i mbështet kërkesat e BE-së dhe SHBA-së për uljen e tensioneve, të cilat nga Prishtina zyrtare cilësohen të njëanshme, sepse burim i tensioneve konsiderohet Beogradi. Për këtë arsye, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk pranoi as të takohet me Ramën.
(r.m.)