Rama në Turqi, tha se do të marrë pjesë në një takim “të rëndësishëm”

Tiranë, 10 gusht 2022 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ndërprerë pushimet për t’ju përgjigjur ftesës së presidentit truk, Rexhep Tayp Erdogan, për t’u bërë pjesë e ceremonisë zyrtare të Lojërave të Solidaritetit Islamik, ku do të përfshihet dhe skuadra olimpike shqiptare.

Por, vetë Rama tha se do të marrë pjesë dhe në një takim pune në Ankara, të cilin e cilësoi si shumë të rëndësishëm, pa treguar nëse do të pritet nga presidenti Erdogan apo nga ndonjë zyrtar tjetër i lartë turk.

Ajo që zbulon Rama është fakti që do të diskutohet mbi ecurinë e projekteve të bashkëpunimit. E në fakt Turqia ka dhënë mbështetjen e saj financiare për disa projekte të rëndësishme veç zonës së pallateve në Laç, një prej të cilave është dhe Xhamia e Namazgjasë.

Kjo e fundit ka përfunduar dhe është folur disa herë për data të ndryshme të inaugurimit të saj ku prezent do të ishte dhe vetë presidenti Erdogan, por është shtyrë pa u bërë të qarta arsyet e vërteta.

Në vizitën e tij të fundit në Tiranë, më 17 janar, presidenti turk, përveçse shprehu zhgënjimin që Shqipëria nuk ka marrë hapa konkretë kundër eksponentëve të strukturuar të FETO-s, kërkoi që kjo sjellje të mos “errësonte” marrëdhëniet vëllazërore mes dy shteteve.

Nuk dihet nëse kjo çështje do të preket në takimin e “rëndësishëm” që kryeministri Rama thotë se do të zhvillojë këto ditë në Ankara.

(Tvklan.al)