Tiranë, 28 tetor 2021 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, reaagoi ashpër ndaj kritikave të fuqishme të Kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, ndaj tij dhe qeverisë së tij, në seancën e sotme të Kuvendit të Shqipërisë.
Rama, me gjuhën e tij tashmë të zakonshme, foli me përçmim për pozicionin e Bashës në Partinë Demokratike. Ai la të kuptohet se Basha po përpiqet ta shpëtojë veten nga “Foltorja” e Sali Berishës, të cilit iu referua si “llumi”.
“Foltorja na mban me gajret ne, por ty jo. Mos i sill këtu këto. Mos e ço gjuhën atje ku të dhëmb dhëmbi ty. Rrotulloje gjuhën që të mos shkojë atje se na detyron dhe neve. Kur thua t ‘do s’do, mua do më kesh përballë’, vallai kjo është… Unë ty të dua përballë, gjithmonë. Të kam dashur, të dua dhe do të dua. Nuk di si të të ndihmoj. Se ka cinike këtë. Por, për ta ngritur në një nivel tjetër debatin. Ti vjen këtu dhe ekzaktësisht duke lexuar abetaren që të ka mësuar ai llumi nga i cili do që të distancohesh. S’bëhet distancimi nga ai llum, duke qenë pjesë e tij. Mos shpif dhe mos merr shembull nga llumi. Ti je karikaturë e atij llumi. Megjithëse ai llum të nxori në krye, ti je diçka tjetër. Ti duhet të rilindësh. Ne dimë se si shkohet drejt rilindjes. Na dëgjo! Ki besim! Ndërvepro me gjuhën e fakteve! Nëse hyj në garë unë me Ferdinandin për atë çka nuk është bërë për Durrësin, e fitoj garën. Nëse ti më thua: ‘plehrat do t’i lëmë rrugëve’, nuk jam dakord me ty. Duhet t’i mbledhim në pikat e grumbullimit. Nuk është kjo alternativa”, u shpreh ai.
Rama foli edhe për nismën e PD-së për krijimin e bazës ligjore për vettingun në politikë. Ai foli me përçmim edhe për këtë nismë, duke e cilësuar edhe atë si përpjekje për të shpëtuar veten e tij.
Megjithatë, Rama tha se mazhoranca socialiste është e gatshme të diskutojë lidhurme këtë nismë.
“Ne e dimë se ku e ke hallin me atë vettingun tënd. Të kuptoj. Është gjetje e lodhur që të jemi të qartë. Nuk ta beson njeri ty. Megjithatë, nuk dua që ta diskutoj. Unë i qëndroj atij parimi. Hajde ta diskutojmë siç meriton të diskutohet, me ekspertët tuaj dhe tanët. Mbi cilat ekspertiza bazohet? Çfarë thonë partnerët tanë për këtë punë? Institucionet Nëse na del që kjo nismë është shpëtimtare për vendin do ta votojmë. Nëse na del se është kamerdare si ato të fëmijëve që fryhen me gojë për të bërë sikur notojnë në formë peshkaqeni, atëherë do të themi: ‘Lulëzim, vazhdo vëlla, bëj peshkaqenin e gomës që të durohesh nga peshkaqeni i foltores. Ta ndajmë këtë. E shohim, e diskutojmë. Çdo gjë që i shërben qytetarëve e votojmë”, është shprehur Rama.
(r.m.)