Rama nuk tërhiqet nga nisma për amnisti fiskale

Tiranë, 28 shtator 2022 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi të mërkurën se nuk është tërhequr nga nisma për amnistinë fiskale, pavarësisht kritikave të Bashkimit Evropian dhe të shoqatave të bizneseve.

“Ne nuk jemi tërhequr, por ne po vazhdojmë të diskutojmë dhe po vazhdojmë të dëgjojmë për të sheshuar të gjitha moskuptimet, keqkuptimet apo edhe për të ekspozuar edhe mosdëshirën për të mos kuptuar”, u shpreh Rama, pas mbledhjes së qeverisë.

Rama theksoi se ai është këmbëngulës për ta bërë amnistinë dhe pranoi se drafti fillestar mund të ketë ndryshime.

“Ne jemi këmbëngulës po edhe të duruar që të pastrojmë të gjitha ato cepa nga çdo lloj pluhuri apo iluzioni optik se aty ka pluhur dhe pastaj secili do ketë bindjen e vet,” u shpreh ai.

“Aministinë e kërkojnë 60 për qind e shqiptarëve,” tha Rama, duke iu referuar një pyetësori të bërë nga qeveria pak kohë më parë.

Nisma për amnisti fiskale u kundërshtua fuqishëm nga delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë dhe nga shoqatat e bizneseve në Shqipëri.

Vendet e Bashkimit Europian shprehën shqetësimin për nismën e qeverisë, duke e cilësuar atë si rrezik serioz për reputacionin e vendit dhe si hapje e rrugës për pastrimin e parave të pista.

“Për shkak se rezidentët jotatimorë, përfshirë shqiptarët që jetojnë në BE ose në Ballkanin Perëndimor, përfshihen në objektin e tij dhe u kërkohet të importojnë para në dorë për të përfituar nga amnistia, drafti aktual i ligjit ngre shqetësime serioze për shtetet anëtare të BE-së dhe partnerët e tjerë, si dhe një rrezik thelbësor reputacioni për vendin,” thuhet në reagimin e zyrës së delegacionit të BE-së në Tiranë.

Rama tha se nuk mund të paragjykohen qindra e mijëra shqiptarë emigrantë që kanë punuar në të zezë dhe nuk mund t’i sjellin paratë e tyre në Shqipëri. Sipas tij, vetëm 1 për qind të tyre janë të përfshirë në krime.

Sipas projektit të qeverisë që ëshgtë nxjerrë në diskutim publik, shtetasit shqiptarë apo të huajt me rezidencë fiskale në Shqipëri do të kenë mundësinë të deklarojnë deri në 2 milionë euro për familje dhe t’i shpëtojnë përgjithmonë përgjegjësisë penale apo administrative për krimet e kryera, përfshirë evazionin fiskal, mashtrimin me TVSH-në apo kontrabandën me mallrat e akcizës. Këtë amnisti ata mund ta fitojnë kundrejt një tatimi prej 5 deri në 10 për qind të shumës së parave të depozituara.

Një nismë e ngjashme për amnisti fiskale e vitit 2020 u prit me kritika të Fondit Monetar Ndërkombëtar, prandaj u tërhoq nga qeveria “Rama”.

(r.m.)