Tiranë, 23 qershor 2023 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, bëri thirrje për lirimin pa kushte të tre zyrtarëve policorë të Kosovës të rrëmbyer nga forcat serbe të sigurisë brenda territorit të Kosovës.
Rama e cilësoi si “të pajustifikueshme” mbajtjen në paraburgim e tre policëve kosovarë dhe si “tejet shqetësuese” protestat e Serbisë kundër arrestimit të disa qytetarëve serbë në Kosovë.
“Mbajtja e tyre në burg është e pajustifikueshme dhe përpjekja për ta mbuluar këtë lajthitje shtetërore (të Serbisë) për mbajtjen e 3 policëve të huaj, duke ngritur zërin për arrestimin e disa shtetasve serbë nga policia e Kosovës është tejet shqetësuese”, tha Rama të premten, në një konferencë për medie, në Tiranë.
“Shtetet demokratike nuk i përgjigjen kurrë në këtë mënyrë arrestimeve që mendon se janë arbitrare”, tha Rana dhe theksoi se Serbia duhet të bashkëpunojë me KFOR-in për pretendimet e saj lidhur me arrestimet e serbëve në Kosovë.
“Asnjë lloj përftimi nuk (Serbia) ka duke i mbajtur në burg tre efektivë policie të një shteti tjetër, për shkelje të kufirit, gjithmonë duke e zënë se kjo ka ndodhur. Serbia nuk e njeh fare atë kufi. Çfarë problemi ka? Apo po e njeh shtetin e Kosovës? Kjo është një lajthitje shtetërore”, tha Rama.
Ai theksoi se “pa u kthyer në shtëpi ata tre burra (tre policët kosovarë të rrëmbyer nga forcat serbe të sigurisë) nuk ka asnjë hapësirë për planin e shtensionimit”.
Kryeministri i Shqipërisë bëri të ditur se presidentit të Francës, Emmanuel Macron, kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, dhe presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel u është drejtuar sërish me një letër në të cilën kërkohet zbatimi i planit franko-gjerman për normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë.
Rama theksoi se në të kundërtën ekziston rreziku i “një përplasjeje të armatosur mes grupeve që operojnë në veriun e Kosovës dhe forcave të sigurisë”, gjë që, siç tha, është vetëm në interes të Rusisë.
Plani franko-gjerman, i cili u pranua si plan i Bashkimit Evropian, synon të çojë në normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë.
Rama u bëri thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që ta “mbyllen brenda” bashkë derisa të zbatohen të gjitha pikat e Marrëveshjes bazë drejt normalizimit të marrëdhënieve midis dy shteteve, me të cilët ata u pajtuan në muajin mars, ndonëse nuk e nënshkruan.
“Dy liderët duhet të mbyllen brenda nën kujdesin dhe trysninë e kumbarëve të planit të dakordësuar, pa të drejtë dalje deri kur të përfundojë bashkëbisedimi dhe të trajtohen ato pika që askush nuk i kundërshton, por njëkohësisht secili ia hedh tjetrit fajin pse nuk zbatohet. Fakt është se nuk është vullnet”, tha ai.
Rama shprehu keqardhje që në Bashkimin Evropian podiskutohet edhe për vendosjen e saksioneve ndaj Kosovës e Serbisë, për shkak të moszbatimit të marrëveshjes. Ai e kritikoi Kurti për shpërfilljen e kërkesave të SHBA-së dhe BE-së.
Rama tha se është I gatshëm të takohet me Kurtin, pavarësisht dallimeve koceptuale që kanë.
“Unë jam i gatshëm të takohem me Albinin në çdo moment, në nivel personal. Ju do habiteni se sa mirë shkojmë bashkë. Por, në nivelin konceptual kemi shumë probleme”, theksoi ai.
Rama u pyet edhe për politikën e Tiranës ndaj Serbisë. Ai tha se Shqipëria është angazhuar gjithmonë për parandalimin e çfarëdokonflikti në rajon.
“Ne kemi qenë shumë të qartë, të drejtpërdrejt dhe të vendosur të ndjekim politikën që kemi ndjekur edhe me Serbinë. Pozicioni ynë ka pasur gjithmonë parasysh që ne të ndikojmë, aq sa na lejohet, aq sa është e mundur, që çdo lloj kërcitje armësh, sado e shkurtër, të mbahet larg nga Ballkani”, u shpreh ai.
(r.m.)