Beograd, 10 qershor 2021 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shprehur rezerva ndaj planit të Qeverisë së Kosovës që ta padisë Serbinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për gjenocid në Kosovë.
Në një intervistë për “Euronews Serbia”, Rama ka thënë se palët “duhet të fokusohen tek e ardhmja, për të zgjidhur një herë e mirë problemet e së shkuarës”.
“Së pari, kjo është një çështje shumë e komplikuar nga aspekti i përmbajtjes ligjore. Së dyti, unë mendoj, dhe e kam thënë publikisht në bisedime dhe po jua them edhe juve, ne duhet të fokusohemi tek zgjidhja e këtij konflikti dhe tek e ardhmja. Do të duhej të mendonim më shumë se sa vite do t’i humbim duke mos arritur zgjidhje për këtë problem. Nuk mund të ketë fitues, derisa të mos ketë zgjidhje“, ka thënë Rama.
Sidoqoftë, ai ka thënë se vendimi përfundimta i takon klasës politike në Prishtinë dhe jo Tiranës zyrtare.
“Gjenocidi është një akt shumë mirë i përkufizuar në arkitekturën juridike të njerëzimit dhe mendoj se nuk do të ishte iniciativë që do të sillte rezultate, që do ta ndihmonte paqen dhe bashkëpunimin. Sidoqoftë, ky është një vendim i pavarur i tyre dhe jo i imi apo i shqiptarëve”, ka shtuar ai.
I pyetur nëse Shqipëria do ta mbështeste padinë përgjenocid ndaj Serbisë, në rast se Kosova ia kërkon këtë, Rama ka thënë se pala kosovare, pavarësisht të drejtës për të vendosur në mënyrë autonome, duhet më parë të konsultohet me partnerët dhe aleatët e saj.
“Ne nuk jemi vetëm në këtë botë. Kemi partnerë dhe aleatë. Vetë Kosova është një realitet i ri që është rezultat i përpjekjeve të mëdha brenda Kosovës dhe jashtë saj. Idetë dhe vendimet e mëdha nuk duhet të merren vetëm sepse dikush mendon ashtu ose vetëm sepse ne mendojmë ashtu, por duhet të merren duke bërë konsultime të gjera dhe duke dëgjuar se çfarë thonë partnerët dhe aleatët tanë. Deri më tash unë nuk kam dëgjuar që dikush ta ketë përkrahur këtë ide. E kam fjalën për partnerët dhe aelatët”, është shprehur ai.
Rama është pyetur edhe rreth deklaratës së tij se bashkimi i Shqipërisë dhe Kosovës është i pashmangshëm.
“Unë e kamthënë këtë dhe mund ta përsëris prapë, jo si ndonjë program timin ose si ndonjë dëshirë timen, por si analizë timen. (…) Analiza është e thjeshtë: popujt e Ballkanit osedo të kenë perspektivë tëqëndrueshme dhe vendin e tyre në Bashkimin Evropian, në familjen e shteteve evropiane ose mund të ndodhin gjëra të ndryshme. Gjithçka ka ndodhur në të kaluarën. Përse nuk do të mund të përsëritej?”, është shprehur kryeministri i Shqipërisë.
(r.m.)